/ATSH-Z.Tosku/-Në kuadër të javës Evropiane të Vaksinimit, në ambjentet e Ministrisë së Shendetësisë u zhvillua konferenca mbi rëndësinë e vaksinimit të fëmijëve.
Në takimin e ditës së hënë ishin të pranishëm Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, Përfaqësuese e UNICEF-it në Shqipëri Antonella Scolamiero, Përfaqësuese e Zyrës Rajonale të OBSH në Tiranë Ledia Lazëri , Arjan Bregu dhe Silva Bino të Institutit të Shëndetit Publik.
Ministri Beqaj gjatë fjalës së tij, vuri theksin tek e drejta dhe rëndësia e vaksinimit për të gjjithë fëmijët.
"Vaksinimi është një e drejtë themelore e fëmijëve, dhe si e tillë, prindërit kanë përgjegjësinë ta realizojnë atë ndërsa institucionet e sistemit të kujdesit shëndetësor kanë detyrim t'ua ofrojnë dhe të krijojnë kushtet që ky shërbim të ofrohet kudo dhe të jetë i sigurt, pavarësisht kushteve social-ekonomike dhe venbanimit të tyre.
Në vendin tonë, kjo mbulesë është mbi 97% për çdo vaksinë të kalendarit kombëtar në çdo komunitet anekënd territorit të Republikës këto dy vitet e fundit", u shreh Beqaj.
Nga ana tjetër, Beqaj tha  se "ndryshimet ekonomiko-sociale e demografike që kanë ndodhur gjatë këtyre 20 viteve të fundit, e kanë rritur shkallën e rrezikut për importimin dhe përhapjen e sëmundjeve që ne tashmë i kishim eliminuar.
Megjithatë sipas tij, mungesa e rasteve me fruth në Shqipëri është një shembull tjetër i qartë që flet për rëndësinë që ka bashkërendimi i përpjekjeve dhe aksioneve të përbashkëta në këtë drejtim.
Nga ana e saj, Përfaqësuese e UNICEF-it në Shqipëri Antonella Scolamiero u shpreh se "të gjithë fëmijët shqipëtarë kanë të drejtët e vaksinimit por ne duhet të punojmë në mënyrë që të parandalojmë çdo sëmundje që mund të shfaqet. Aktualisht, zyra e UNICEF-it po mbështet Ministrinë e Shëndetësisë me shërbimet e prokurimit të vaksinave. Vitin e kaluar, nëpërmjet shërbimeve të prokurimit u prodhuan 10 lloje vaksinash me rreth 995,000 doza në total duke arritur shumën prej 3 milion dollarësh amerikane.
Ndërkohë që , Silva Bino i bëri thirrje nënave që të mos hezitojnë që t'i bëjnë fëmijëve vaksinën në moshën 1 vjeçare, pasi kjo vaksinë nuk ka aspak lidhje me shfaqjen e autizmit tek fëmijët.
"Është vënë re se 3 % e fëmijëve nuk vaksinohen në moshën 1 vjeçarë për shkak të kësaj frike që nënat kanë për sëmundjen e autizmit, por studimet amerikane tregojnë se autizmi nuk ka lidhje me vaksinimin", u shpreh Bino.
Përfaqësuesja e Zyrës Rajonale të OBSH në Tiranë Ledia Lazëri gjatë fjalës së saj tha se "është shumë i rëndësishëm ndërgjegjësimi i prindërve, qytetarëve për arsyet pse një femijë duhet të vaksinohet. Aktivitetet e organizuara në kuadër të Javës Evropiane të Vaksinimit, në këtë 10-vjetor të saj, do të mundësojnë rritjen e shkallës së njohurive dhe ndërgjegjësimit për vaksinimin dhe sëmundjet që parandalon ai".
Disa nga arsyet që duhet të vaksinohen fëmijët kanë lidhje me mbrojtjen
nga sëmundje të rënda të parandalueshme, shpërthimet epidemike si dhe mbrojtjen nga transmetimi i sëmundjes nga një fëmijë në një tjetër etj.