'Ku ta dimë ne se çfarë ka injektuar Rama tek vetja dhe çfarë ka injektuar te disa mjekë? Kush ma vërteton këtë mua?". Ky është dyshimi që ka ngritur në një intervistë për Report Tv, ish-drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, i cili aktualisht kandidon për deputet për Lëvizjen Socialiste për Integrim, Besnik Jakaj.

Ai është shprehur se procesi i vaksinimit në vend ka shumë problematika duke filluar që nga mënyra se si kanë ardhur e deri te ruajtja e tyre.

" Në asnjë rast nuk mund të shkelen kushtet për ruajtjen dhe transportin e vaksinave. Ruajtja e vaksinës duhet të jetë transparente. Vaksina të importohen nga një kompani të posaçme.  970 vaksina maksimumi imunizojnë 440 veta.  Ne kemi pasur më shumë kamera në 'Air Albania'. Ka qenë e gjitha propagandë. Në cilin vend të botës keni parë Kryeministrin duke dalë të bëjë atë shoë. Duhet të dalin specialistët por te ne del Kryeministri dhe flet", tha Jakaj.

Kujtojmë se pak ditë më parë Kryeministri Edi Rama iu përgjigj me ironi komenteve se ai nuk injektoi vaksinën Pfizer Anti-Covid, por ujë fiziologjik, duke thënë se nuk mund të merret dot me këto analiza të nivelit të lartë. Rama premtoi se kur të shkojë për të marrë dozën e dytë të vaksinës, do të bëjë publike edhe antitrupat që ka krijuar nga doza e parë.

Në intervistën për Report Tv Jakaj ndër të tjera tha se se duhen bërë analiza për vaksinat dhe për personat që i bëjnë ato.

"Në një moment kur ne nuk shikojmë asnjë analizë të vaksinës. Ajo duhet të jetë transparente.  Të gjithë këta njerëz që vaksinohen duhen bërë analizat. Nuk ka një protokoll shkencor në këtë drejtim. Nuk kam asnjë tendencë politike për këtë që po them. Jam i shqetësuar si mjek, si prind, si bir, si qytetar. Një tjetër shqetësim madhor është se duhet një protokoll për eliminim e mbetjeve të vaksinave", vijoi ish-drejtori i ISHP.

I pyetur se si e shikon situatën dhe a ka kaluar më e keqja, Besnik Jakaj u shpreh se edhe për këtë duhen studime, qoftë edhe për pasojat që sjell koronavirusi.

"Fatkeqësisht një pjesë jo e vogël e popullatës kanë humbur jetën. Bë mënyrë të natyrshme edhe një pjesë e madhe e shoqërisë është imunizuar. Ne ende nuk dimë pasojat afatgjata. Duhet të bëjmë një punë shkencore dhe efektive. Dhe jo që Kryeministri të jetë infeksionisti, epidemiologu, kardiologu etj", tha ai.

Në lidhje me angazhimin politik, kandidati për deputet i LSI-së Jakaj tha për Report Tv se është larguar nga PD në vitin 2013 për shkak të pakënaqësive që pati për mënyrën se si PD qeveriste.

"Kam ikur në vitin 2013 për shkak të pakënaqësive që kam pasur me menaxhimin e pushtetit atëherë. Ia kam bërë të qartë edhe kryetarit të PD-së në atë kohë. Dhe që prej atëherë jam angazhuar me LSI-në dhe e falënderoj për hapësirat. Partitë politike duhet të kenë më shumë hapësira për njerëzit e shkolluar", tha ndër të tjera në intervistën e dhënë për Report Tv, z. Jakaj.