Kryeministri francez Jean Castex njoftoi të hënën një sërë masash të reja për COVID-19, ndërsa vendi po përballet me një rritje të infeksioneve.

‘Virusi po qarkullon në të gjithë territorin’ dhe ‘në spitale po rritet numri i të shtruarve’, u tha Castex gazetarëve në një konferencë për shtyp.

Sipas shifrave të publikuara nga agjencia franceze e shëndetit publik, 12,096 pacientë me COVID-19 ishin shtruar në spital të hënën dhe 2,191 prej tyre ishin në kujdes intensiv. Klubet e natës do të mbyllen në të gjithë vendin për katër javë duke filluar nga e premtja.

Megjithatë, "nuk ka ardhur koha për masa të ashpra, shtetrrethime apo bllokime. Do të ishte joproporcionale," tha Castex.

Qeveria apelon që qytetarët të vaksinohen dhe të marrin dozën e tretë të vaksinës, që të parandalojë valën e 5 të pandemisë.

Castex gjithashtu u bëri thirrje kompanive që 2 ose 3 ditë në javë t’i lejojnë punëtorët e tyre të punojnë nga shtëpia, "kur është e mundur".

Protokollet shëndetësore do të forcohen edhe në shkolla dhe maskat do të bëhen të detyrueshme edhe jashtë.