Valle shqiptarësh, kurbane, refuzim, namaz, amnisti dhe propagandë: Si rrodhi vizita e Sulltan Mehmetit V në trevat shqiptare më 1911

Valle shqiptarësh, kurbane, refuzim, namaz, amnisti dhe propagandë: Si rrodhi vizita e Sulltan Mehmetit V në trevat shqiptare më 1911

Në fillim të qershorit të vitit 1911, nga Stambolli u nis për vizitë në Kosovë Sulltan Mehmeti V. Deri në Selanik ai erdhi me anije. Nga aty rrugëtimin e vazhdoi me tren përmes Shkupit dhe Ferizajt për të arritur në Prishtinë. Historiani holandez, Erik J. Zürcher, njëri nga turkologët më të njohur dhe autor i librit “The Young Turk Legacy and Nation Building: From the Ottoman Empire to Ataturk’s Turkey” ia ka kushtuar një kapitull kësaj vizite. Përshkrimi i vizitës tregon krejt kompleksitetin e situatës në Ballkan në prag të tërheqjes së Perandorisë Osmane nga viset e dikurshme të Rumelisë. Në vijim një prezantim i fakteve kryesore dhe më intriguese të Erik J. Zürcher.

*

Me të arritur në Shkup, në kryeqytetin e Vilajetit të Kosovës, Sulltan Mehmeti V u transportua me një pajton që e tërhiqnin katër kuaj (të sjellë nga Stambolli) nga stacioni i trenit te ndërtesa qeveritare (konaku), por ai u vendos në shkollën e arteve, ngase kjo ishte ndërtesa më e rehatshme në afërsi. Pas arritjes, ai foli para dinjitarëve lokalë dhe përsëriti temat qendrore të vizitës së tij. Ai deklaroi se qëllim i tij ishte “mirëkuptimi i ndërsjellë i elementeve (etnike)” dhe se Komiteti “Bashkim e Përparim” meriton respekt për shërbimet ndaj atdheut. Sulltani u prit me entuziazëm nga popullsia shqiptare. Shqiptarët lozën valle pas të cilave secili prej tyre mori nga një lirë. Nga fshatrat e largëta deri në 20 kilometra kishin ardhur në qytet rreth 5 mijë shqiptarë, por duket se ishin bërë përpjekje të mëdha për të “nxitur” entuziazmin e shqiptarëve. Sipas një raporti, mytesarifi (guvernatori) i Prizrenit u kishte vënë në dispozicion fshatarëve shqiptarë ushqim për pesë ditë për të ndërmarrë këtë udhëtim.

"Sulltani u prit me entuziazëm nga popullsia shqiptare. Shqiptarët lozën valle pas të cilave secili prej tyre mori nga një lirë. Nga fshatrat e largëta deri në 20 kilometra kishin ardhur në qytet rreth 5 mijë shqiptarë, por duket se ishin bërë përpjekje të mëdha për të “nxitur” entuziazmin e shqiptarëve. Sipas një raporti, mytesarifi (guvernatori) i Prizrenit u kishte vënë në dispozicion fshatarëve shqiptarë ushqim për pesë ditë për të ndërmarrë këtë udhëtim".

*

Në Shkup erdhën dy krerë të shqiptarëve të cilët kishin marrë pjesë në kryengritjen e vitit 1910, Sylejman Batusha dhe Hasan Aga nga Plava. Ata i shprehën besnikëri Sulltanit dhe u amnistuan. Kreu tjetër i shqiptarëve, Isa Boletini, nuk erdhi në Shkup. Për të siguruar mbështetjen e shqiptarëve, Sulltani premtoi se do të ndërtojë një medrese në Prishtinë. Ai po ashtu premtoi 300 lira për një shkollë në Ferizaj. Për të pajtuar familjet e rëna në gjak, Sulltani premtoi 30 mijë lira. Një masë tjetër për të qetësuar situatën ishte amnistia. Nga burgu i Shkupit u amnistuan 107 shqiptarë dhe 134 bullgarë.

*

Më 15 qershor 1911 Sulltani u nis me tren nga Shkupi në Prishtinë. Në Ferizaj për nder të tij u prenë dy dele. Pas tri orësh Sulltani arriti në Prishtinë ku sipas shtypit të xhonturqve, ai u prit nga 300 mijë shqiptarë. U prenë katër dele për nder të Sulltanit i cili i amnistoi pjesëmarrësit e kryengritjeve të viteve 1910 dhe 1911. Komuniteti serb në Prishtinë luajti një rol interesant. Ndonëse pritej që serbët do të kundërshtonin vizitën e Sulltanit, ata në masë të caktuar përkrahën politikën e xhonturqve, pasi që më shumë i druheshin rrezikut nga nacionalistët shqiptarë dhe maqedono-bullgarë. Madje në Shkup ishte pritur ardhja e princit serb të kurorës, por vizita nuk u realizua ngase ai shkoi në Londër për të marrë pjesë në kurorëzimin e Mbretit Georg V. Për nder të Sulltanit në Prishtinë këndoi kori i seminarit të popëve serbo-ortodoksë dhe nënkonsulli serb, Rakiq, kishte tubuar një turmë të madhe serbësh.

*

Ditën tjetër, më 16 qershor 1911, delegacioni me Sulltanin në krye arriti në Gazimestan për të vizituar varrin e Sulltan Muratit. Shtypi xhonturk shkroi se në këtë ngjarje morën pjesë 300 mijë shqiptarë. Historiani britanik, Edwin Pears, në kujtimet e tij shkruan se morën pjesë 80 mijë njerëz, ndërsa sekretari i Sulltanit, Halit Zija, i cili ishte në Fushë Kosovë, raporton për 50 mijë pjesëmarrës. Raportet e konsujve britanikë theksojnë se osmanët patën vështirësi të mëdha për të sjellë në Gazimestan një masë kredibile njerëzish. Kryeveziri u kishte bërë thirrje personalisht Hasan Beut (përfaqësues i Prishtinës) dhe Bejtullah Beut nga Gjilani që të merrnin pjesë dhe shumica e fshatarëve erdhën nga këto treva. Nga Peja, Gjakova dhe Prizreni, ku rezistenca kundër shtypjes osmane ishte më e madhe, erdhën pak përfaqësues zyrtarë. Fotografitë që u botuan në revistën “Resimli Kitab” lënë të kuptohet se në këtë ngjarje morën pjesë maksimalisht 20 mijë veta.

*

Përballë mauzoleut të Muratit I u ngrit një çadër e cila i përkiste Sulltan Selimit I (1512-1520). Pas lutjes së përbashkët në të cilën mori pjesë edhe Sulltani, u fal xhumaja nga një personalitet lokal, nga Ismail Haki Efendiu nga Manastiri, i cili ishte doktor i së drejtës islame. Sipas një raporti, imami Reshit Ibrahim Efendiu kaloi përgjatë radhëve të besimtarëve duke u bërë thirrje të sillen si vëllezër me njëri-tjetrin dhe ua përkujtoi atyre se Sulltan Murati në testamentin e tij kishte urdhëruar myslimanët t’i duan të krishterët dhe hebrenjtë si vëllezër. Pastaj u lexua një deklaratë e kryevezirit. Sipas Halit Zijasë këtë deklaratë pritej ta përkthente Ismail Haki Efendiu nga Manastiri, por ai nuk dinte shqip. Ceremonitë morën fund me një paradë ushtarake. Pastaj Sulltani mori rrugën drejt Selanikut.

*

Vizita e tij pati 4 qëllime: rregullimin e marrëdhënieve me shqiptarët myslimanë të cilët nga xhonturqit shiheshin si faktor kyç për ruajtjen e pushtetit të Perandorisë Osmane në rajon. Qëllimi i dytë ishte forcimi i politikës së Komitetit “Bashkim e Përparim” duke organizuar demonstrimin e solidaritetit në një rajon etnikisht të përzier. Qëllimi i tretë ishte forcimi i ndikimit politik të Komitetit “Bashkim e Përparim”. Qëllimi i katërt ishte forcimi i vetëdijes kombëtare osmane (dhe sidomos osmano-myslimane) përmes vizitës në Fushë Kosovë.

SI.E./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Macron i përmend Kurtit Asociacionin teksa flet për rrugën e Kosovës në Këshillin e Evropës

Macron i përmend Kurtit Asociacionin teksa flet për rrugën e Kosovës në Këshillin e Evropës