I prerë dhe me tone të ashpra është shprehur deputeti i Lëvizjes Demokratike Shqiptare, Halit Valteri për vrasjen e 25-vjeçarit Klodjan Rasha nga efektivi i policisë. I ftuar në emisionin Repolitix ai thotë se nëse autori i vrasjes shpallet fajtor, Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe Drejtori i Policisë së Tiranës duhet të japin dorëheqjen.

Ai thotë se do të jetë vetë ai që do të shkojë në shtëpitë e drejtuesve të policisë për t'i kërkuar llogari mbi këtë ngjarje të rëndë.

"Ne duhet të presim një konkluzion të fundit. Kemi parë një zhurmë mediatike ku të gjitha kanë një version. Del një gazetar që jep konkluzion që kjo ka ndodhur në këtë formë. Lërini organet e drejtësisë  që të hetojnë. Unë doja të dilja të protestoja aty por që në momentin që pashë ekspontentë partie që udhëheqin protesta. Prisni sa nëse shpallet fajtor polici, unë do jem i pari që do shkoj në shtëpinë e Ardi Veliut dhe Sandër Lleshajt dhe do i marrë zvarrë e do u them ecni dhe jepni llogari atje. Ata të pafytrë jo vetëm që duhet të japin dorëheqjen... duhet të japin dorëheqjen Ministri i Brendshëm, Drejtori i Policisë së Shtetit dhe Drejtori i Policisë së Tiranës. Çfarë duhet të ndodhë më? Lleshaj ka thënë që çdo gjë që bëjnë policët janë fytyra e Sandër Lleshajt. Ai nuk ka fytyrë më të rrijë në Shqipëri por të shkojë të marrë azil" - tha Valteri.

Gjithashtu Valteri ka hedhur akuza dhe mbi përbërjen e forcave të policisë "Shqiponja" duke i cilësuar ata problematikë. Sipas tij, efektivët e "Shqiponjës" nuk dinë të sillen dhe të komunikojnë qytetarët dhe veprojnë vetëm përmes dhunës.

"Aty ishte një trishtim. Nuk ka fjalë ta përshkruash atë pjesë. Kisha një mesazh për 13 mijë efektivëve të policisë. Jeta e njerëzve vlen më shumë se dyshimi juaj, dreqi ta hajë kemi parë operacione policore të pafundme që herë janë dorëzuar pas ndjekjeve të shumta. Unë kam një notë proteste. E them me përgjegjësi të plotë dhe nga konstatimet e mia që efektivët e Shqiponjës janë policët më problematikë në kryeqytet. Janë shumë arrogantë që nga mënyra se si ecin, si komunikojnë dhe se si mundohet të bëjnë gjërat. Kanë mbledhur djem problematikë që ne i kemi njohur që përpara se të bëheshin policë, u kanë veshur një uniformë dhe u duket vetja sikur çfarë janë. Unë vetë kam pasur disa raste ku jam përballur me gjuhë vulgare derisa prezantohesh dhe transformohen në tjetër njerëz. Unë kam respekt për policinë e shtetit pasi jenë njerëzit që nuk janë trajtuar mirë nga asnjë qeveri në këtë vend. Rruga këtë punë këtë ka, përballja me krimin ka risqe" - tha Valteri.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:21
Vizita e Bashës në shtëpinë e Rashës, Meçe: E pamoralshme! Tentativë për ta kanalizuar politikisht (VIDEO)

Vrasja e Klodjan Rashës nga efektivi i policisë kanë sjellë debat në emisionin Repolitix. Analisti Arben Meçe shprehet se vizita e Bashës në shtëpinë e 25-vjeçarit ditën e djeshme ishte e pamoralshme dhe një tentativë për të kanalizuar politikisht këtë ngjarje.

"Të përdhunosh përmendoren e të rënëve të policisë është një vepër penale dhe duhet ndëshkuar. Revolta në momentet e para ka qenë shumë paqësore. Këta ishin një grup huliganësh që e kthyen këtë protestë paqësore në të dhunshme. Në momentin kur fillon vandalizmin, këtu nuk kemi një grup njerëzish të qetë por një grup vandalësh. Veprimi më i pamoralshëm ishte reagimi i PD-së ditën e djeshme. Doli në konkluzione menjëherë dhe kërkoi dorëheqjen e Sandër Lleshajt. Dhe shkoi në shtëpinë e të ndjerit në formën e një fqinji dhe jo si drejtues politik. Që nga ky moment, kanalizimi politik. Nuk është gjë tjetër veçse një skenarizim" - tha Meçe.

Ndërsa ish-drejtuesi i policisë, Arben Hajdarmataj u shpreh se veprimet e kryedemokratit Basha nuk ishin të pamoralshme pasi si kryetar opozite ai është përfaqësues i popullit.

"Unë si qytetar nuk e shoh të pamoralshme veprimin e kryedemokratit Basha. Unë mendoj që lideri i opozitës përfaqëson pjesën e më të pambrojturve të shtetit" - tha Hajdarmataj.

Ndërkohë Hajdarmataj komentoi dhe protestën e zhvilluar pasditen e sotme për të cilën u shpreh se përballë atyre qytetarëve nuk duhet të qëndronin forcat e patrullave por duheshin që në fillim FNSH.

"Strukturat e policisë së shtetit prandaj janë të ndara. Secila prej strukturave është i specializuar në diçka. Nuk mund të lihen patrullat e përgjithshme përballë protestuesve. Duhej të kishin ardhur Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë" - tha Hajdarmataj.

"Të gjithë organet kompetente ishin në dijeni për protestë" - tha Valteri.