Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, ka kritikuar mazhorancën në Kuvend, ku tha se gjatë protestës së opozitës u ushtrua dhunë ndaj qytetarëve pjesëmarrës.
Dule shtoi se kundër protestuesve, me urdhër të qeverisë, u përdor gaz lotsjellës, që sipas tij ishte i skaduar dhe që përbën një krim.
Teksa e akuzoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama për vjedhjen e parave të qytetarëve, Dule kritikoi aktin normativ që po diskutohej në Kuvend, duke thënë se ligjet për buxhetin nuk ndryshohen kaq shpesh.
“Në këtë seancë, pas fjalës së ministres së Brendshme, dëshiroj që të shprehem ndryshe. Megjithë respektin zonja ministre ishit e papranueshme. Nuk mund të vini dhe të justifikoni dhunën brutale të ushtruar nga Policia. Dhe më vjen keq që detyrohem ta përmend, një nga viktimat e asaj dhune është edhe folës në këtë Kuvend. Nuk kishte me vete as një çakmak. Duhet të jepni llogari se jeni kapur me dashin e kopesë në kurriz duke vjedhur.
Keni hedhur ndaj protestuesve gaz lotsjellës të skaduar, është krim. Ne i mbanim si dëshmi nëpër xhepa bombolat e gazit lotsjellës që hodhën forcat tuaja. Në vend që të kërkonit një ndjesë dhe të vinit para përgjegjësisë zinxhirin komandues që dha këto urdhëra të papajtueshme me ligjin dhe kushtetutën, ju vini për të bërë kryetarin e Grupit tuaj Parlamentar të nënqeshë nga moskuptimësia e situatës së krijuar nga sjellje të tilla. Individë dhe segmentë të forcave të sigurisë kanë devijuar nga detyrat e tyre kushtetuese. Kur një fëmijë 14-vjeçar që nuk mund të manipulohet nga askush, del e thotë se është përdorur dhunë, juve na thoni se është shoqëruar në bazë të të gjitha rregullave.
Kudo në Europë rishikohen buxhetet, por jo aq herë sa e rishikoni ju brenda një viti. Shkoni dhe vizitoni dhe reklamoni në rrjete sociale dhembshurinë tuaj për familjet në nevojë. Çfarë keni bërë për ta? Vetëm hajdutëri. Juve vidhni me çdo ligj e projekt. Juve e keni kthyer korrupsionin edhe në instrument të politikës së jashtme. Prandaj do të ishte e ndershme nëse realisht ka mbetur qoftë edhe një fije ndërgjegjeje që ju shkëput nga militantizmi partiak. Mos bini pre e atyre që keni në krye, sepse jeta parlamentare është e shkurtër, jeta njerëzore është e gjatë”, tha mes të tjerash Dule.
Lajmi kryesor:
LIVE TV- Debate në Kuvend për protestën e PD! Koçiu: Policia nuk dhunoi, veproi sipas ligjit pasi u sulmua me molotov! PD: Hodhët gaz lotsjellës të skaduar











