Vangjel Toçi, 93 vjet nga lindja
e zbuluesit të monumenteve të Durrësit

Vangjel Toçi, 93 vjet nga lindja<br />e zbuluesit të monumenteve të Durrësit
TIRANE-  Vangjel Toçi, njeriu që e ka lidhur emrin e tij me disa nga monumentet më të rëndësishëm të antikitetit dhe të mesjetës në qytetin e Durrësit, nëse do të ishte gjallë, sot (11 tetor) do të festonte 93-vjetorin e lindjes.

Qyteti i lashtë i detyrohet prof. Vangjelit dhe ekipit që ai drejtoi në vite, zbulimin e Amfiteatrit 1900-vjeçar; mozaikun e njohur në botëm shkencore me emrin „Bukuroshja e Durrësit“ e që ndodhet sot në hyrje të muzeut historik kombëtar në Tiranë; Termat (banjat) e periudhës romake në themelet e teatrit „Aleksandër Moisiu“; mozaikun me kalë deti, që vazhdon të jetë në pritje të specialistëve për tu hapur përfundimisht, …

Lista e monumenteve dhe gjetjeve është e pafund. Mjafton të themi se në fondet e Muzeut arkeologjik të qytetit ndodhen më shumë se 20 mijë objekte të regjistruara, që ende nuk janë shqyrtuar nga arkeologët.

Kjo është vetëm një pjesëe vogël e veprimtarisë madhore të Vangjel Toçit, njeriut që iu desh të ndeshej jo pak me injorancën e kohës, me mediokrit dhe me ata që mund ta sulmonin më lehtë edhe për vëllain e tij, të pushkatuar pa gjyq nga diktatura, Mark Toçin, eshtrat e të cilit nuk janë gjetur dot.

Katër ditë më parë, kur në amfiteatrin e zbuluar prej tij në vitin 1966 mbërriti një grup inspektimi i organizatës „Europa nostra“ patëm një motiv më shumë për ta kujtuar arkeologun, që nuk mbaroi një shkollë të specializuar, por që u bë shembull i qytetarit model për të gjithë durrsakët. Kjo është arsyeja, që qytetarët durrsakë e kujtojnë me respekt e nderim edhe sot, e shumëkush nuk e kupton arsyen përse në Durrës nuk ka një shesh apo një rrugë qëndrore me emrin „Vangjel Toçi“, apo përse vazhdon ngurrimi për ti dhënë emrin e tij Muzeut Arkeologjik, të cilin ai gjithashtu e themeloi 63 vjet më parë. 

Le ta rikthejmë edhe një herë në kujtesë jetën dhe veprimtarinë e Vangjel Toçit.

Vangjel Toçi
(Në foto:
Vangjel Toçi
Vangjel Toçi)

BIBLIOTEKA, FILLIMI I RRUGËS SË GJATË

Vangjel Toçi u lind më 11 tetor të vitit 1920 në qytetin e Elbasanit, në një familje nëpunësi. Ata u zhvendosën shumë shpejt në Durrës, ku Vangjeli përfundoi Shkollën Qytetëse. Mjaft i interesuar për studimin, ai ndjek Liceun e Shkodrës në vitet 1937 – 1941. Më pas fiton një bursë për në Universitetin e Bolonjës (Itali) për Mjekësi, por, për shkak të zhvillimeve të Luftës, nuk mundi ta përfundojë.

Bashkëkohësit e profesor Vangjelit thonë se merita e parë e tij në Durrës është krijimi I Bibliotekës së qytetit më 11 shtator të vitit 1945, së cilës ai I dhuroi edhe  1000 libra të tij personalë. Duke u kerkuar bashkëqytetarëve të kontribuojnë për Bibliotekën, bibliofili bëhet një lajmëtar dhe shembull I kulturës për durrsakët. Institucioni, që ndodhet ende në godinën ku u themelua, në një vend të dukshëm ka foton e themeluesit të tij, njeriut që krijoi katalogët e parë topografikë, alfabetikë, sistematikë dhe krahinorë për Durrësin.

Në vitet e drejtimit të bibliotekës, Vangjel Toçi  iu kushtua me pasion muzeumologjisë dhe veçanërisht specialitetit të arkeologjisë për të mos u shkeputur më prej tij. Objektet e zbuluara në Nekropolin e qytetit zenë vend në stendat e bibliotekës, duke u bërë kështu eksponate të vërteta, të cilat I hapën rrugë krijimit të Muzeut të parë arkeologjik në vitin 1951. Skulptura, stele, kapitele, kolona, bazamente, arkëza funerare, shtyllëza anepigrafike, etj. pjesa më e madhe e të cilave ndodhen në fondin e Muzeut arkeologjik janë objektet e shumta prej guri e mermeri, të cilat kanë parë dritën e diellit pas qindra vitesh nga përkujdesi I duarve të Profesorit.

Një pjesë e monumenteve u ekspozuan në lulishten e njohur sot si Shwtitorja Bregdetare, projekt qw morri jetë falë kurajos së drejtorit.

Nën drejtimin e Vangjel Toçit në Muzeun e Durrësit u krijuan me radhë sektoret e historisë, arkeologjisë, luftës nacional-çlirimtare, etj.; në vitin 1968 pasi afroi në muze disa nga artistët më të shquar durrsake ai ngriti Galerinë e Arteve Figurative.

Pak para se të dite në pension, ai bëhet nismëtari I ndërtimit të Muzeut të ri arkeologjik të qytetit antik, vepër e cila perfundoi vetem 10 vjet më parë, duke vendosur në eksponatet e tij, një pjesë nga trashëgimia e zbuluar nga duart e Vangjel Toçit dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Vangjel Toçi
(Në foto: Vangjel Toçi)


“BUKUROSHJA” DHE AMFITEATRI ANTIK, DY MREKULLITË E DURRËSIT

Profesor Vangjeli ishte një shkencëtar autodidakt. Por siç shkruan për të shkencëtari francez, Roger Lecotte, “gjetjet e tij të mrekullueshme I detyrohen erudicionit dhe instiktit të sigurtë, nje vetie parashikimi të pikës së zbulimit”.

Ky përcaktim është çelësi që spjegon “pse-në” e zbulimeve të bujshme të Vangjel Toçit. Duke ndjekur me vemendje shtypin shkencor dhe veçanërisht atë që I kushtohej Durrësit antik, profesori gjurmon mozaikun e mrekullueshëm që më vone do të njihej në të gjithë botën shkencore me emrin “Bukuroshja e Durrësit”. Të dhënat që jepnin arkeologët austriake Prashniker dhe Shober nga gërmimet e tyre në Durrës gjatë Luftës së parë botërore u bënë busulla e zbulimit të vitit 1959, që e ka shenuar përsëri qytetin antik në bibliografitë e arkeologjisë.

Vëzhgimet e kujdesshme të zonës dhe të dhenat e Marin Barletit për praninë në Durrës të një amfiteatri të rrënuar I hapën rrugë në vitin 1966 zbulimit më tëmadh arkeologjik në vendin tone, amfiteatrit antik, mrekullisë e cila bashkëjeton me qendrën e re të qytetit me dinjitetin që I dhanë bashkëqytetarët pararendës.

 DASHURIA PËR SHQIPEN
 
Në familjen Toçi edhe 12 vjet pas humbjes së njeriut të dashur, studioja e profesorit ka mbetur siç ka qenë. Mes rafteve me libra dhe shënime të duket sikur të ndjek edhe zëri I tij I butë.

Në 20 vitet e fundit të jetës, kjo studio u bë laboratori I tij krijues. Bashkepuntori I Vjetër Shkencor, I cili ne vitin 1970 u nderua me {mimin e Republikës “Për punën e gjatë dhe këmbengulëse, me vlerë të dalluar shkencore, në lëmin e zbulimeve arkeologjike dhe veçanërisht për amfiteatrin antik të Durrësit” do të niste në këtë dhomë të vogël një tjetër sfidë, veprën “Nga emrat ilirë tek emrat shqiptarë”.       

Vangjel Toçi

Zbuluesi I mbi 300 emrave ilirë, shkruan se “Qëllimi me përkushtim I kësaj vepre madhore ka qenë, që me anë të thellimit të studimit në fushën e onomastikës ilire, mbi bazën e punimit të zhvillimit fonetiko-historik, të lidhë ilirishten me shqipen duke nxjerrë në pah ndër të tjera, me anë të emrave ilirë, leksikun e shqipes”. Vetëm për këtë temë, e cila mbeti e papërfunduar për shkak të sëmundjes së autorit, janë shkruar mbi 20 mijë faqe.

Dhjetra artikujve të shkruar në shtypin shkencor shqiptar nga Vangjel Toçi, u janë referuar specialistë të njohur në shkallë boterore, si Carlo de Simone, Russu, Lui Rober, Zaharia Manjani, Dysselier, Gatti, Franke,  Vulpen, etj.

Nuk janë të pakët 30-40-vjeçarët në Durrës dhe në mbarë vendin që nuk e dinë se kanë një lidhje me profesor Vangjelin. Emrat që ata mbajnë janë sugjeruar prej tij me ane të një broshure me emra ilirë, të cilën e kishin thuajse në të gjitha zyrat e gjendjes civile. Genti, Plarenti, Dorina, Dardani, Albani, Platori, e dhjetra të tjerë mbajnë këta emra të bukur, të zbuluar në shtyllëzat e vogla nga duart e pasionuara të Vangjel Toçit, njeriut  që e deshi Durrësin dhe arkeologjinë.

(Redaksia online )
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Aksidentohet djali i Brad Pitt dhe Angelina Jolie, pëson dëmtime në kokë

Aksidentohet djali i Brad Pitt dhe Angelina Jolie, pëson dëmtime në kokë