Vangjeli: Asnjë palë nuk e do interpelancën për McGonigal! Në 14 Berisha do mund Saliun! Pëllumbi: Sherret, garë brenda PD kush bën opozitë më të fortë

TIRANË- Prej më shumë se 3 seancash plenare, po kërkohet me ngulm nga opozita zhvillimi i një interpelance me kryeministrin Edi Rama për lidhjen e tij me McGonigal, megjithatë, për analistin Lorenc Vangjeli, askush nuk do që kjo përballje të ndodhë. Në ‘Kontrast’ në Report Tv, Vangjeli tha se këtë përballje nuk e do as opozita e Enkelejd Alibeajt, as ajo e Sali Berishës, madje as vetë kryeministri Edi Rama. E për këtë ai solli argumente.

“Asnjë palë nuk e do interpelancën. Sepse iu duhet konflikti dhe jo ezaurimi i shkakut, duhet diçka për të krijuar ato skena dhe jo për t’iu afruar thelbit. Parlamentin e duan të delegjitimuar Meta dhe Berisha. Berisha sepse nuk menaxhon dot grupit e tij parlamentar. E do dhe Rama të delegjitimuar. Rama ka filluar ta tregojë nevojë për një distancë me parlamentin dhe thotë “po unë ç’dua këtu”. Parlamenti qoftë në kohën e  Berishës dhe sot është shtojcë e kryeministrit. Në këtë pikë palët bien bashkë. Opozita nuk do të thotë asgjë më shumë nga sa janë thënë deri më sot, do dëgjohet e njëjta retorike dhe nuk ka perëndi që do të dallojë çfarë thotë njëri dhe çfarë thotë tjetri. Rama është në vështirësi, doli në TV dhe në një interpelancë nuk do të thoshte asnjë fjalë. Kjo ndeshje ishte thjesht një përplasje për procedurë, herë pas here ngrenë dorën kërkon 3 minuta për procedurë dhe lëshojnë tufë marrëzish”, tha Vangjeli.

Mirëpo, përballë këtyre argumenteve, deputeti i Partisë Socialiste, Arben Pëllumbi shprehet se nuk është aspak dakord. Pëllumbi thotë se nuk iu intereson konflikti dhe ajo se çfarë po ndodh në Kuvend, ai thotë se nuk është gjë tjetër veç se një garë për të treguar se cila palë e PD-së është më e ashpër me mazhorancën.

“Nuk jam dakord, nuk na intereson asnjë lloj konflikti, përveç hallet e tjera, t’i shtosh dhe një tjetër, nuk jam dakord, për më tepër që në 14 maj kemi zgjedhje dhe ne jemi shumë mirë të organizuar, kemi betejë elektorale, mund të tregojmë forcat aty. Ka nevojë elektorati që të na dëgjojë, kemi drejtuar për vetëm pushtetin lokal dhe tani ka ardhur momenti për të dhënë llogari. Janë inskenime, nuk drejtohet seanca, po nuk more masa, po nëse ne themi pse nuk flasim? Ca do bëjmë të kalojmë në përplasje fizike? Jo jemi tolerant, ajo rregullore nuk është bërë për mazhorancën dhe opozita të bëjë ç’të dojë. Është lufta e brenda se kush do marrë vulën e PD, pse u shty protesta me 3 mars. Ka garë se kush është më i ashpër, nuk ka lidhje me mazhorancën”, tha Pëllumbi.

Nga ana tjetër, ai shtoi se ka bindje që edhe në 2 mars interpelanca nuk do të zhvillohet, se është thjesht një justifikim që po përdor Berisha për protesta.

“Nuk do të zhvillohet normalisht, se duan që të kenë mundësi që të zhvillojnë protestën në 3 mars, është strategji e Berishës që për fat të keq detyrohet t’i shkohet nga pas edhe krahu tjetër që të mos mbetet pa aksion”, shtoi ai.

Këtë “luftë” analisti Lorenc Vangjeli e sheh ndryshe. Ai thotë se konflikti po përdoret si një alibi për Berishën, për humbjen që do të pësojë në 14 maj. Madje ai thotë se kjo datë, do të jetë e rëndësishme për Berishën si individ, por edhe si politikan.

“Konflikti i intereson Berishës edhe nëse do ishte vetëm në një dhomë vetëm, do zihej me veten. Alibi për humbjen në 14 maj. Jorgani më i përkryer për të mbuluar defektet e qeverisjes, konflikti i intereson dhe Ramës. Rama ka nevojë për kohë. (...) Berisha nuk do jetë më kryeministër i këtij vendi. Loja bëhet për 2025. Në 14 maj, Berisha do të mund Saliun, politikani kundër individit egoist, në politikë dhe gjithçka tjetër”, shtoi Vangjeli.

Në fund, Pëllumbi i pati edhe një koment për zgjedhjet në 14 maj, ku tha se socialistët po bëhen gati për t’i fituar të gjitha bashkitë.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar