Vangjeli: Drama në PD, jo partia më e madhe se kryetari, por opozita më e madhe se partia

Vangjeli: Drama në PD, jo partia më e madhe se kryetari, por opozita më e madhe se partia

Selia e Partisë Demokratike

Duket sikur ka një cikël që përsëritet në të njëjtën mënyrë. Duket sikur skena politike në Shqipëri, përgjithësisht me të njëjtën lojtarë të improvizuar në vite, nuk ka fantazi të shpikë diçka të re, përveçse të ripërsërisë veten deri në detaj.

E sotmja në PD është një pothuaj Déjà Vu me PS-në e viteve më parë. Edhe Edi Rama u ballafaqua atëherë me lëvizje që kërkonin largimin e tij, kur humbi në minutën e fundit zgjedhjet 2009-ës, që duhej të ishin fituar nëse ai do të ishte sjellë ndryshe.

Përballë tij, LMN-ja nuk mundi të formulohet si lëvizje dhe si alternativë; ajo mundi të shërbejë vetëm si një arsye më shumë për radikalizimin e politikës në të majtë, nga kërcënimi për djegie mandatesh në nisje, tek çadra e urisë në bulevard dhe spiralja e protestave deri në janarin e 2011-ës.

E njëjta situatë që po ndodh edhe në PD sot, po dëshmon varësinë e jashtëzakonshme të organizatave politike në vend nga humori dhe interesi vetjak i ca fare pak individëve: partitë janë monedha që i paguhen hipësit më të lartë. Bashës, për projektin e tij vetjak që pret të bëhet kryeministër një ditë, kurdo qoftë ajo kohw dhe Berishës, që e kërkon partinë si një element negociate përballë fatit që i kanë shkruar amerikanët në Uashington.

Paralelja me PS-në e 12 vjetëve më parë qëndron në faktin se përballë Bashës nuk është vetëm një grup deputetësh të pakënaqur, si ata që i thoshin Ramës ik dhe hap rrugën! Përballë tij është për paradoks Sali Berisha, i cili vjen nga e shkuara e PD-së, si propozimi i vetëm për të ardhmen e saj. Kaq i madh është grotesku i asaj që po ndodh, kaq dramë po prodhon situata komike që po aktrojnë dhe konsumojnë të gjitha palët, sa do të ishte e njëjta gjë sikur në 1990-ën, të zgjohej nga vdekja Enver Hoxha dhe të kërkonte të rimerte partinë që kishte krijuar si “fituese”, por që ja kishte tretur me humbje Ramiz Alia.

Ngjarjet po zhvillohen kaq vrulltas në Tiranë sa tashmë pothuaj askush nuk flet më për thelbin e problemit, por të gjithë janë të përqëndruar në shfaqjen që prodhohet si akt force mes dy B-ve të PD-së, të cilët së bashku, po e çojnë me siguri në gropë partinë më të madhe të opozitës.

Problemi thelbësor në PD nuk është që partia të jetë më e madhe se kryetari, siç tentojnë të thonë me dëshpërim shumë pak zëra përtej dy rivalëve: problem thelbësor është që askush prej tyre nuk premton se do të jetë në gjendje ta bëjë opozitën më të madhe se partia.

Lulzim Basha hesht sepse e ka bërë opozitën edhe më të vogël se partinë e tij. Mbasi i futi nën çadrën e 25 prillit aleatët, ai ka marrëdhënie të tendosura dhe inekzistente me secilin prej tyre, siç komenton edhe Duka, edhe Dule, edhe Shehi dhe me gjasë, siç mendon edhe Idrizi që ka zgjedhur të heshtë për momentin dhe Mediu që ka halle të tjera.

Me LSI-në situata është edhe më keq. Nga përplasjet armiqësore për vota në zgjedhje e deri tek deklarimet e të enjtes në Kuvend, kur Basha përfshiu edhe Ilir Metën tek trekëndëshi i Bermudës, hendeku mes tyre është bërë kritik.

Që nga dimrin i këtij viti, kur Meta paralajmëronte në mënyrë të “çuditshme” se do të ishte ai kryetar i opozitës nëse fitonte zgjedhjet Edi Rama, tek trokitjet në ambasada të Bashës për kërcënimet me jetë që merrte nga presidenti dhe Berisha, armiqësia vetjake mes tyre vetëm është rritur.

Hesht edhe Sali Berisha që e sheh Bashën si Enveri Ramizin dikur. Ish-kryeministri, mbas frontit antiregjim të 92-shit, realisht ka mundur të bëjë vetëm njëherë mrekullinë: kur mundi të bashkojë dhe të kanalizojë në kutinë e tij të votimit, të gjithë vullnetet politike ndaj vullnetdobtit Nano.

Ky ishte rasti i fundit në të djathtë që e bëri opozitën më të madhe se partia kryesore e saj. A ka shans që njëri nga të dy, të bëjë në 2025-ën një gjë të tillë? Sa kohë që dy duelistët heshtin në të këtë pikë, atëherë Rama përballë tyre mund të mendojë qetësisht se fati e ka sjellë që për paradoks, ai do të vazhdojë të jetë në pushtet edhe një mandat tjetër, jo falë votës së “miqve”, por si pasojë e vullnetit të armiqve të tij.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Opozita leshi: 30/10/2021 17:46

    Rama ne pushtet derisa te mbylle syte

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Historia e pabesueshme/ Nga aeroporti që priste 250 milionë njerëz në vit deri më 2010-ën, në një fantazmë!

Historia e pabesueshme/ Nga aeroporti që priste 250 milionë njerëz në vit deri më 2010-ën, në një fantazmë!