Vala e të nxehtit që ka përfshirë gjithë Europën nuk ka kursyer as Shqipërinë. Në Tiranë, temperaturat e larta kanë ndikuar ndjeshëm në përditshmërinë e qytetarëve. Shumë prej tyre lëvizin me shishe uji në duar, freskuese apo çadra për t'u mbrojtur nga vapa përvëluese, ndërsa të tjerë kërkojnë çdo cep me hije për t'i shpëtuar vapës.
Por jo të gjithë e kanë “luksin” të shmangin orët më të nxehta të ditës. Punonjësit e ndërtimit vazhdojnë punën mbi skela edhe në kulmin e temperaturave.
Po aq e vështirë është edhe puna për pastruesit e rrugëve, të cilët e kalojnë të gjithë turnin nën diell, apo edhe efektivët e policisë rrugore.
Ose ata që punojnë në kioska të vogla. 33-vjeçarja filipinase Ladymay Dela Penap tregon se punon edhe gjatë orëve të pikut, por i është dashur të përshtatet.
“A është vapë aty brenda? Po është shumë. Por unë jam përshtatur te them te drejtën. Edhe me këto temperatura”, thotë Ladymay DelaPenap.
Sipas mjekëve, më të rrezikuarit nga temperaturat ekstreme janë fëmijët e vegjël, të moshuarit mbi 65 vjeç dhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike. Në raste të rënda, ekspozimi i zgjatur ndaj vapës mund të shkaktojë pasoja serioze, deri në goditje në tru.
“Rastet më ekstreme përfshijnë goditjet në tru, sidomos te fëmijët e vegjël dhe personat mbi 65 vjeç. Kohët e fundit këto probleme po i shohim edhe në mosha të tjera, të ndikuara nga stresi dhe sëmundjet kronike, të cilat rëndohen nga temperaturat e larta”, shprehet Leonard Hasanaj, mjek Familje poliklinika Nr. 10.
Kujdes, sipas tij duhet të bëhet edhe në përdorimin e kondicionerit.
“Temperatura nuk rekomandohet të vendoset më poshtë se 23 gradë Celsius, për të shmangur kontrastin e fortë me temperaturën jashtë”, shton ai.
Për të shmangur komplikacionet, bluzat e bardha këshillojnë qytetarët të mos dalin në diell gjatë orëve të pikut, të konsumojnë sa më shumë ujë, fruta dhe perime, si edhe të qëndrojnë në ambiente të freskëta kur kanë mundësi.
Komente










