KELCYRE- Kristi në klasë të 4 dhe Alesia në klasën e 7, përshkojnë çdo ditë një orë rrugë në këmbë për të shkuar në shkollë e po kaq për të kthyer. Të dy çantat me libra i mban në kurriz, 10-vjecari, i cili nuk ngopet as me bukë.

“Unë ia mbaj çantën dhe motrës. Një herë ha bukë, një herë nuk ha. Shkojmë në shkollë me bukën thatë. Por s’ka gjë për mua, dua ndihmë për motrën se i dhemb shumë këmba”, tha ai për mikrofonin e Report TV.

Motra e tij, Alesia 13-vjece, ka pësuar Ishemi cerebrale në foshnjëri dhe ecen me vështirësi. Ankohet vazhdimisht për dhimbje të këmbëve, mesit dhe kokës. Nëna e saj, Albina Rrapaj, e cila vuan teksa sheh të bijën me dhimbje të përditshme, përmes Report TV apelon për ndihmë. Kërkon trajtim të specializuar për të bijën.

"Vajza ka lindur me probleme. Nga mosha 2 vjec e kam kuptuar dhe i bëra ndërhyrje por nuk shkoi mirë. Nuk ecën dot. Çantën ia mban djali. Fëmijët i çoj në shkollë, here me bukë e here pa bukë”, tha ajo.

Por hallet nuk mbarojnë këtu. Katër anëtarët e familjes Rrapaj jetojnë në një banesë, të rrënuar, me muret e çatinë që po shemben në fshatin Kuqar të Këlcyrës. As këtë strehe që po i zë brenda nuk e kanë të tyre.

“Burri është në KEMCP dhe vajza gjithashtu, banesën nuk e kam timen. Unë kërkesë kryesore kam të vizitoj vajzën dhe t’i bëj mjekime se nuk është mirë. Jemi shumë keq në këto kushte, ju lutem të gjithëve të na ndihmojnë për shtëpi dhe për çupën se është me paralizë”, tha më tej.

Të ardhurat e kësaj familje janë 23 mijë lekë në muaj, nga dy pensionet e invaliditetit dhe ndihma modeste ekonomike.

Përmes apelit në Report TV, Albina Rrapaj, kërkon një shtëpi të re në qytetin e Këlcyrës, për të shkolluar fëmijët si dhe për të ndjekur trajtimet mjekësore të vajzës së sëmurë.