Elisa Spiropali: Varka e mbytur e opozitës si skenar Hollywood-i

Elisa Spiropali: Varka e mbytur e opozitës si skenar Hollywood-i

Elisa Spiropali

Ka muaj e muaj dhe do të bëhen edhe vite e vite që dy burra, Saliu dhe Iliri, pa llogaritur këtu ndonjë tjetër, ndodhen në të njëjtën varkë. Lundrojnë rrugëve të Tiranës. Njëherë hedhin spirancën në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Herën tjetër parkojnë në sheshin përpara parlamentit. Pastaj kërcënojnë se do ta bëjnë në çdo cep të Shqipërisë. Gjithmonë në kërkim të një kauze. Në kërkim të një thagme a hataje nga qeveria që ta përdorin si shpresë për të ardhur vetë ata në qeverisje, në kërkim të një stacioni në kalendar kur vetë kalendari i ka braktisur.

Në emër të këtij qëllimi me të cilin ata justifikojnë çdo mjet të përdorur, kësaj here duan të bëjnë sikur besojnë se ju ka rënë llotaria amerikane.

Nga bregu tjetër i Atlantikut ata bëjnë sikur besojnë se ju erdhi më në fund prova dhe fakti që shpjegon pse janë humbës serial. Dëshmia se pse janë të papranueshëm nga shqiptarët dhe non grata nga angloamerikanët. Prova dhe dëshmia se pse as syri I tyre nuk i avitet gjëkundi Qabesë së bekuar të pushtetit.

Jo shkaku, por justifikimi, jo thelbi, por arsyeja që ata i kanë larë duart me shqiptarët që nuk i besojnë dhe nuk i votojnë, sipas tyre, tanimë është, se Edi Rama dhe qeveria socialiste kanë korruptuar Amerikën.

Kanë vjedhur paratë e shqiptarëve dhe kanë blerë SHBA-në, zyrën ovale, departamentin e shtetit, FBI-në, CIA-n e gjithkënd tjetër që shohin tek ata fiks të njëjtin portet që ju kanë vizatuar shqiptarët: detyrimin që ata të ikin si kremastarë të thyer të rrobave të vjetra që nuk vishen më.

Vetëm një fantazi e dëshpëruar lidh oligarkët rusë me shegët dhe luleshtrydhet e Divjakës, mafien kineze me lapsat me ngjyra të Edi Ramës, praninë e MCGonigalit në Tiranë me trafikun në Laprakë, japrakët e padurueshëm të foltores me milionat e Sorosit, ambasadoren me citatet e Hoxhës së komunistëve të djeshëm, inceneratorët me grabitjet e të nesërmes, revolucionin e bilbilave me frontin e luftës në Ukrainë, flamurin e Flamurit me betejën për të shpëtuar Amerikën nga Edi Rama.

Vetëm dëshpërimi i thellë i tyre sjell në jetë fantazinë se ata që refuzohen në Tiranë e Shkodër, në Elbasan apo Sarandë, në Vlorë apo në Kukës, do të bëhen të dobishëm aty ku u kanë mbyllur derën si minues të demokracisë dhe mbartës të korrupsionit domethënës. Si të korruptuar me rob shtëpie dhe helmues të çdo shtëpie shqiptarësh me etjen e tyre për revansh pushteti dhe në kërkim të pushtetit si revansh për pushtetin e humbur.

Të gënjesh dynjanë është mëkat, por të gënjesh vetveten siç po bëjnë lundërthyerit e pa dalë në breg të varkës së mbytur, dy me ulërima dhe të tjerë po me ulërima në korr, është marrëzi. Por tashmë marrëzia është bërë antar nderi në selinë nderhumbur në anë të Lanës.

Ka dy dosje hetimore që kanë shkuar në gjykatë dhe në asnjëherën prej tyre nuk ka asnjë akuzë të lidhur me shtetin shqiptar, me qytetarë shqiptarë apo dhe me vetë kryeministrin.

Vetëm lutja e tyre, bëje Zot ëndwrr, është shumë pak për të ndryshuar këtë të vërtetë të thjeshtë që sheh problem aty ku drejtësia amerikane dhe hetimi kompleks I institucioneve amerikane, nuk kanë gjetur gjë të tillë.

Këto dosje janë probleme amerikane që do të kenë zgjidhje amerikane dhe Shqipëria është totalisht dorëjashtë dhe e papërfshirë.

Kryeministri ka pasur disa takime me ish-drejtuesin e FBI-së McGonigal. Në Tiranë dhe në Neë York. Ka pasur takim edhe në selinë qëndrore të FBI-së po në New York, në vijim të zbatimit të detyrave kushtetuese që ka një kryeministër, i cili nuk është përgjegjës dhe nuk ka asnjë përgjegjësi nëse këto takime janë raportuar apo nëse janë raportuar në mënyrën e duhur nga zoti McGonigal.

Janë takime formale dhe informale ashtu siç ndodh në praktikën normale të kontakteve politike. Zhurma që ngrihet mbi to dhe për to, ky zjarr që ndizet në mes të shtëpisë është në fakt litari që kujtohet gjithmonë në shtëpinë e të varurit.

Ndërkohë që Rama, në emër të Shqipërisë, është actor dhe factor në diplomacinë ndërkombëtare, njëri nga akuzatorët e tij është non grata në dy anët e Atlantikut dhe me gjasë nesër edhe gjetkë, tjetrit I mbyllet dera në fytyrë edhe nga partitë socialiste evropiane për shkak të zgjedhjeve të gabuara, kurse të tjerë, janë non grata edhe brenda gardhit të partisë medemek demokratike.

Të izoluar e të vetmuar, në mungesë të një alternative tjetër, ata thjesht kërkojnë të vizatojnë kundërshtarin me të zezën e djallit sepse kështu mendojnë se do të frenojnë e shtyjnë për më tej, të nesërmen e tyre zi e më zi.

Stuhia që ata kanë ngritur prej gati dy muajsh në gotën e tyre të thyer është më së paku qesharake. Ajo ka vetëm një qëllim. Qëllimin për të mbuluar mosbesimin dhe refuzimin e qytetarëve shqiptarë për t’i votuar me arsye që vijnë nga një komplot ndërkombëtar që i ka viktimizuar. Deri tek paranoja e Enver Hoxhës shkojnë dhe nuk bëjnë dot asnjë hap për be’ përtej saj.

Në Shqipëri ka ndeshje mes dy botësh.

Njëra është bota euroatlantike. Bota e demokracisë, e shtetit ligjor dhe e votës së lirë. Tjetra është ajo pakicë gjithmonë e më tronditëse që është e gatshme të gdhihet me çdo djall të mundshëm për të mundësuar thyerjen e pushtetit të shqiptarëve.

Edhe kujtesa e ka të vështirë të orientohet në përçartjet dhe raportin tërësisht të deformuar që Sali Berisha ka me të vërtetën.

Për non gratën e shqiptarëve, amerikanëve dhe britanikëve, nuk ka një të vërtetë, por ka vetëm interes për të përdorur gjithçka në emër të interest të saj.

Kur nisi foltoren e quante Bashën njeriun e rublave ruse. Si njeriun që me para ruse donte të blinte emër në Amerikë. E përzuri nga selia dhe u betua se do ta auditonte këtë të keqe të PD-së, që ishte peng I Edi Ramës dhe antar I klubit të zit të përfituesve të rublave të zeza bashkë me parti të tjera nga Maqedonia e Veriut, mali I Zi apo Bosnjë Hercegovina.

Tani Doktori, kjo manushaqe e dimrit të thellë, e drodhi dhe lulëzoi ndryshe. Nga fajtor, edhe pse nuk e thotë, e sheh Lulin si viktime të lobimit të Edi Ramës. Që edhe sikur të ishte kështu, është të barazosh denoncuesin me fajtorin, të bësh një dëshmitarin dhe mëkatarin.

Dhe e gjitha kjo, për paradoksin më qesharak të mundshëm, duke pretenduar se ngrejnë lart flamurin amerikan në duart non grata për Amerikën.

Megjithatë unë dua të tregohem e ndershme me ju.

Dua t’ju njeh një meritë dhe një progres që deri më tani askush nuk jua ka thënë. Eshtë një gjë e jashtëzakonshme, një arritje madhështore ajo çfarë ju keni arritur me vetveten.

Metamorfoza e famshme e Kafkës, shndrrimi I njeriut në insekt, konkurohet denjësisht nga shndrrimi juaj nga subjekte të filmave të Hollywoodit në autorë skenaresh që do të trondisnin edhe vetë Hollyëoodin. Nga çadrat me helm gjarpërinjsh nga Mashkullora që vranë protestuesit e 21 janarit tek guerriliet socialiste që hodhën në erë Gërdecin, nga fishekët kinezë që blinin boronicat e Zenit tek dorëheqja e dytë e munguar për Zenin e CEZ-it, nga një milion shqiptarët e 6 dhjetorit të vjetshëm tek Samiti I BE-së që nuk u bë në Tiranë për shkak të Edi Ramës. Dhe mbi këtë bazë nuk ka assnjë habi nëse e besoni vertet se në Neë York e Uashington nesër do të gjykojë një trupe plepistësh nga sera e Durrësit të dikurshëm dhe se hetimin dhe ngritjen e akuzës aty, e ka bërë shoqëria e Gazidedes.

Nuk di nëse ja vlen t’u qash hallin apo ky është hall që nuk vajtohet dot, por të besosh se ky grup shqiptarësh të refuzuar nga shqiptarët, më pak se gishtat e një dore, është viktimë e një komploti ndërkombëtar, duhet të marrësh mendjen e flamujve dhe ta shohësh botën si Albanë, me këlliç në dorë.

Zoti ju ndjeftë sepse robi nuk ka çfarë ju bën.

Lundërthyerit e bregut verior të lanës, dy që bërtasin dhe lorri pas tyre, janë në fakt Selmanët që nuk duhen qarë veç e veç, por duhet të vajtohen të gjithë së bashku.

Të nderuar kolegë,

Ne, socialistët shqiptarë kemi një takim të detyruar nga kushtetuta me ju të gjithë. Ne kemi një proces politik në të cilin gjykatës do të jetë votuesi shqiptar që do të gjykojë.

Jua them sinqerisht edhe pse as unë nuk kam tagër t’ju jap këshilla dhe as ju nuk kemi dëshirë të dëgjoni këshilla: Sa kohë endeni kuturu dhe flisni kuturu për gjëra që as I dini dhe as I keni në dorë, shndërrohuni në opozitë reale.

Shndërrohuni në opozitë normale. Shihni nëse mund të gjeni ndonjë gjë që bëjmë keq ne dhe mohojeni. Vrisni mendjen sesi mund ta bëni më mirë se ne dhe pohoni një alternativë tjetër. Bëhuni bashkë kashtë e kokrra sepse po lini kokrrën e namit.

Unë nuk hyj tek basti juaj se cili është është kryetar partie, sepse ky është vendim I gjykatës dhe I vullnetit të demokratëve, por di të them se me Berishën kryetar, me Ilirin aleat, ju kurrë nuk do të kapërceni gardhin e selisë tek Lana dhe nuk do të shëtisni asnjëherë në lëndinën e pushtetit, siç keni livadhisur dikur.

E di që është e pamundur të ndryshoni sepse vesi jeton shumë më gjatë se shpirti, por mendojeni njëherë. Përpiquni të jeni normale edhe pse e di që për ju ky është mision I pamundur.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Një nga ne/ 'Ndenja 16 vite vetëm', prek i moshuari: Ndjeva një boshllëk, më mirë në azil me shokë

Një nga ne/ 'Ndenja 16 vite vetëm', prek i moshuari: Ndjeva një boshllëk, më mirë në azil me shokë