Frrok Çupi: Varka e Noes në Vuçitol

Frrok Çupi: Varka e Noes në Vuçitol

Sali Berisha

Pjesë nga libri: “E pashë shtetin duke rënë” / Një retrospektivë e viteve të nxehta 1996 – 1997

Para disa ditësh njëri nga të afërmit e Berishës paska shkruar një libër rreth këtij dhe me sa mbaj mend paska guxuar të shkruajë disi kështu: I shikoni këtë majë mali mbi Vuçitol ( fshati) dhe këtë shtëpi me frengji të Berishajve?! Këtu tregojnë se Noe dikur kishte lidhur Varkën magjike…

Kështu paska shkruar autori i librit

E lemë mënjanë naivitetin e një servili të pashembullt. Le të marrim seriozisht çfarë po ndodh mes këtij njeriu- kasandër dhe autor libri, me situatën e tanishme të Presidentit të Republikës. Këtij i nevojitet Varka e Noes. Aq shumë i duhet, saqë ndonjë mëngjes mund të ngrihet me ëndrrën për Varkën t’i kërkojë libër- shkruesit: “Ma bëj të vërtetë gënjeshtrën e Varkës së Noes”.

“Varka e Noes” që nga Bibla ka hyrë në fjalorin e politikës për tu shërbyer atyre që kanë mëkatuar me shtetin dhe me politikën. Berisha, si i vetmi përfaqësues legjitim i shtetit pa institucione, e ka futur orientimin qeverisës në të tilla labirinthe, saqë i nevojitet Varka.

Praktikisht, është këputur linja që ushqente trurin perendimor se “shteti në Shqipëri punon në favor të demokracisë”. Përkundrazi, tashmë dihet se ndodh e kundërta. Vetë “Zeri i Amerikës”, pardje përdori fjalorthin “parlamenti i vetëshpallur shqiptar”. Mbas katër muajsh mund të nodhë që tërë Bota qytetare të përpunojë fjalorthin “presidenti i vetëshpallur Berisha”.

Atëherë ky do të ishte fundi i çdo grimce shteti legjitim. Vendi ku sundon Berisha ka marrë mallkimin të quhet një “precedent i vjedhjes së votave”. Investitorë të huaj nuk mund të ketë, sa kohë që fajdet gëlltisin paratë dhe shpresën ekonomike të qytetarëve.

Qeveria e vetme e botës që po e fillon vitin e ri pa aprovuar buxhet është Shqipëria. Arka e shtetit është boshatirur. Kanalet e ndihmave monetare me jashtë janë mbyllur. Nga brenda po ngrihet vala e mosdashjes popullore për ekipin dhe stilin berishian.

Si mund të kalohet kjo situatë? Varka e Noes është e vetmja shpresë.

Dhjetor 1996

LONDRA KËRKON “BLACK OUT” ME TIRANËN

11 deputetë të grupit të laburistëve në Parlamentin anglez, dje lëshuan një Mocion ku i kërkojnë qeverisë dhe më gjërë politikës së Mbretërisë së Bashkuar, që të ndërpresin lidhjet me “qeverinë e infektuar” shqiptare. Shqipëria, përmes modelit të qeverisë, ekspozohet si një “zbulim” prehistorik, me virusin satanik që dikur kishte ndotur botën shtetërore deri afër zhdukjes.

Mortaja e korrupsionit të papërmbajtur qeveritar dhe e varfërimit të skajshëm popullor; “shejtanllëku” për të peshkuar në hedhurinat e historisë fajdetë piramidale, me qëllim grabitjen shtetërore të individëve; pjesëmarrja hapur në trafikun e armëve, drogës, klandestinëve, karburanteve dhe helmeve – këto shenja kanë dalë në skopinë që i bëri Bota organizmit të sëmurë shtetëror.

Sapo shqiptarët dhanë larmin për fatkeqësinë e tyre, më anë të demonstratave masive, menjëherë qytetërimi i përparuar mbylli qepenat në drejtimin e Shqipërisë. Këtë e njoftoi Anglia, por ka njoftuar edhe Italia, Franca, Gjermania dhe Amerika edhe pse e angazhuar hap pas hapi. Edhe burrat më të “dashuruar” pas Berishës deri në dobësi njerëzore, si anglezi Xhefri Pati, etj., tani ndiehen të turpëruar dhe para përgjegjësisë për papërgjegjësinë e treguar.

Pse është mbështetur qeveria shqiptare përballë popullit të revoltuar, kur Perëndimi kishte mjaft të dhëna mbi “mortajën” e qeverisë shqiptare, sipas lordëve anglezë?! Kjo është, në esencë, kërkesa që po bën brenda për brenda politika Perendimore, duke vështruar nga larg Shqipërinë.

Ndërkohë që politika zyrtare shqiptare, kishte gënjyer me tonelata, sikur Perëndimi po pikonte në mjaltë për zbulimin “Berisha”. Mashtrimi i gjatë na kushtoi kaq shumë. Tani kur në vend të Zairesë apo Ruandës, në ekrane apo gazeta, bota gjenë “Albania”, ne ndodhemi nën rrezikun e izolimit të frikshëm.

Civilizimi përparimtar do të përpiqet të mbajë qeveritë e veta larg shembullit të Shqipërisë, me qëllim që të mos u infektohet shteti.

Shkurt, 1997

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit

'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit