Në një kosh mbeturinash në zonën e Lanabregas, në Dajt, janë gjetur mesditën e së mërkurës 11 qen të ngordhur.
Qentë janë konstatuar nga anëtarë të Animal Rescue Albania, të cilët kishin marrë më herët denoncime nga banorë të zonës për hedhjen e trupave të kafshëve, duke krijuar atë që ata e cilësojnë si një “varr masiv qensh”.
“Ka qenë shumë e vështirë për të identifikuar vendin se ku po i hidhnin, por duke kërkuar vazhdimisht gjetëm një pjesë të tyre. Qentë ishin të ngrirë. Sapo ishin hedhur. Dhomat frigoriferike mund ti ketë vetëm një klinikë veterinare apo një strukturë spitalore” thotë Indrit Osmani nga Animal Rescue Albania.
Sipas Indrit Osmani, në vendngjarje janë gjetur edhe mbetje spitalore, çka ngre dyshime për përfshirjen e Strehëzës Veterinare të Bashkisë Tiranë, që ndodhet në Tufinë.
"Ne kemi pasur informacion se nga cila klinikë vinin. Këta vijnë nga klinika veterinare e Bashkisë së Tiranës, Agjensisë së Mbrojtjes së Konsumatorit. Nuk kemi arritur t’i filmojmë dot kur i kanë nxjerrë nga klinika dhe i kanë hedhur këtu por e dinim që kjo procedurë ndodhte vazhdimisht dhe dinim vendin ku hidheshin qentë të shpërndarë në kosha të ndryshëm për të mos lënë gjurmë”, thotë ai.
Një kallëzim penal është depozituar në komisariatin numër 4. Autoritetet policore kanë nisur hetimet, por e vetmja kamera sigurie që është gjetur në zonë sipas burimeve policore nuk ka funksionuar. Mungesa e pamjeve vështirëson identifikimin e autorëve.
Report TV ka kërkuar një reagim zyrtar nga Bashkia e Tiranës, por deri në publikimin e kësaj kronike nuk ka pasur asnjë përgjigje lidhur me denoncimet e ngritura nga Animal Rescue Albania.
“Kemi pasur informacion që kjo ndodhte prej kohësh” shprehet aktivisti Indrit Osmani gjatë një interviste me gazetaren e Report TV, Joana Preja, në lidhje me zbulimin makabër të një varri masiv qensh të zbuluar në zonën e Lanabregasit në Tiranë.
“Ka qenë shumë e vështirë për të identifikuar vendin se ku po i hidhnin por duke kërkuar vazhdimisht gjetëm një pjesë të tyre. Qentë ishin të ngrirë. Sapo ishin hedhur. Dhomat frigoriferike mund ti ketë vetëm një klinikë veterinare apo një strukturë spitalore” thotë ai duke akuzuar klinikën veterinare të Bashkisë së Tiranës, si vendin ku qentë e ngordhur janë mbajtur në kushte frigoriferike.
“Nuk janë dyshime. Gjerat janë të qarta. Ne kemi pasur informacion se nga cila klinikë vinin. Këta vijnë nga klinika veterinare e Bashkisë së Tiranës, Agjensisë së Mbrojtjes së Konsumatorit. Nuk kemi arritur t’i filmojmë dot kur i kanë nxjerrë nga klinika dhe i kanë hedhur këtu por e dinim që kjo procedurë ndodhte vazhdimisht dhe dinim vendin ku hidheshin qentë të shpërndarë në kosha të ndryshëm për të mos lënë gjurmë” thotë ai.
Gjatë intervistës, ai foli për shkelje të protokollit për asgjësimin e qenve të ngordhur, duke argumentuar se janë Ministria e Bujqësisë dhe Shërbimi Veterinar Shtetëror ai që përcakton vendin për groposjen e kafshëve.
““Ne kemi pasur gjithmonë dyshime që vriten nga Bashkia e Tiranës. Në rastin konkret nuk janë asgjësuar. Nuk u është bërë asnjë eksperiment. Thjesht u është bërë eutanazia, janë grumbulluar në frigoriferë dhe më pas janë hedhur. I janë shmangur protokollit që thotë se në rast kufomash të kafshëve, është Ministria e Bujqësisë dhe Shërbimi Veterinar Shtetëror që përcakton vendin për groposjen e kafshëve” tha ai.
I pyetur nëse ka besim tek drejtësia mbi këtë çështje, Osmani solli në kujtesë edhe rastin e nëntorit të vitit 2025 kur punonjës të Bashkisë u filmuan në përfshirjen e tyre në helmimin e qenve.
“Kemi bërë denoncim dhe shpresojmë” thotë ai.

Organizata Animal Rescue Albania ka denoncuar në rrjetet sociale një “varr masiv qensh: në Tiranë, ku sipas tyre bëhet fjalë për 11 qen.
Ata theksojnë se trupat ishin të ngrirë, çka tregon se janë mbajtur gjatë në ambiente frigoriferike. Gjithashtu janë gjetur mbetje spitalore që ngrenë dyshime mbi përfshirjen e strukturave si dhe qese e materiale që mund të ndihmojnë për zbardhjen e ngjarjes.
Organizata thotë se ka bërë kallëzim penal dhe dorëzuar çdo provë, ndërsa kërkon hetim të plotë transparent dhe urgjent. Gjithashtu shprehet se e dinë kush fshihet pas ngjarjes dhe bën thirrje se një vepër e tillë është dështim i rëndë njerëzor e institucional dhe nuk i përket një qyteti që pretendon të jetë europian.
Postimi i plotë:
"Masakër në zemër të Tiranës: Varr masiv qensh në mes të Tiranës- 11 trupa qensh të ngrirë dhe një ndërgjegje e vdekur
Sot u përballëm me një nga pamjet më makabre që kemi parë ndonjëherë. Pas një raportimi nga vullnetarët, shkuam në vendngjarje dhe ajo që gjetëm ishte përtej çdo imagjinate njerëzore.
Në kazanët e mbeturinave u gjetën mbi 11 trupa qensh të pajetë, të hedhur pa asnjë mëshirë, si të mos kishin qenë kurrë qenie të gjalla.
Faktet tronditëse:
Trupat ishin të ngrirë: Gjendja e tyre tregon qartë se janë mbajtur për një kohë të gjatë në ambiente frigoriferike përpara se të hidheshin.
Mbetje spitalore: Mes trupave u gjetën materiale veterinare dhe pjesë trupore që lidhen me ndërhyrje sterilizimi, çka ngre dyshime serioze mbi përfshirjen e strukturave të caktuara.
Prova në vendngjarje: Kemi gjetur qese dhe materiale specifike që mund të ndihmojnë në identifikimin e origjinës së këtij krimi.
Asnjë krim nuk mbetet pa gjurmë.
Kemi depozituar menjëherë kallëzim penal dhe kemi dorëzuar çdo provë në dispozicionin tonë. Tashmë, barra i mbetet autoriteteve: kërkojmë një hetim të plotë, transparent dhe urgjent.
Kushdo që fshihet pas këtij akti duhet të mbajë përgjegjësi penale.
Dhe le të jetë e qartë: për ne nuk ka asnjë dyshim se kush e ka kryer këtë akt dhe nga kanë dalë këta qen. Ne e dimë shumë mirë kush jeni — dhe ata e dinë po aq mirë që ne e dimë.
I bëjmë thirrje vullnetarëve, punonjësve apo qytetarëve që kanë informacion:
Mos heshtni.
Heshtja juaj është ajo që e lejon këtë barbarizëm të vazhdojë.
Vrasja masive dhe trajtimi i kafshëve si mbeturina spitalore është një dështim i rëndë njerëzor dhe institucional.
Një qytet që pretendon të jetë europian nuk mund të lejojë që kazanët e plehrave të kthehen në varreza masive të fshehta.
Tirana nuk mund dhe nuk duhet të jetë kjo."
Komente











