Varrezat e ushtarëve grekë,
Kotzias përshëndet vendimin

Varrezat e ushtarëve grekë,<br />Kotzias përshëndet vendimin<br>
Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias e ka quajtur një hap shumë pozitiv, vendimin e qeverisë shqiptare për rifillimin e ndërtimit të varrezave të ushtarëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke Sipas kreut të diplomacisë greke, ky akt pason vendimin e kaluar të qeverisë shqiptare, e cila po rindërton gjithashtu me fondet e saj edhe kishën e vogël të Shën Athanasit, e cila u shkatërrua vitin e kaluar në Dhërmi të Himarës.

I pyetur sesi e komenton vendimin e qeverisë shqiptare për varrezat greke, Kotzias ka deklaruar: “Mendoj se ligji zbatues i miratuar nga Këshilli i Ministrave të Shqipërisë me anë të të cilit zgjidhen çështjet e varrezave të ushtarëve dhe oficerëve grekë që ranë në luften italo-greke, është një hap i madh për atë që ne e themi në mënyrë popullore ‘qetësimin e shpirtit të të rënëve’, por është gjithashtu një hap besimi mes dy vendeve tona”.

Kotzias dhe kryeministri Tsipras janë sulmuar shumë këto ditë nga opozita e mediat opozitare, pas vizitës së presidentit turk Erdogan në Greqi. Ata janë akuzuar se po tregohen të dobët ndaj Turqisë e fqinjëve të tjerë, ndaj Kotzias nuk ka harruar të shigjetojë kundërshtarët pas këtij suksesi diplomatik.

“Ky akt i madh, ashtu si dhe të tjera më të vogla, vërtetojnë se diplomacia mund të arrijë shumë më tepër se klithmat e protestës pa asnjë përmbajtje, se diplomacia është rruga për të zhvilluar marrëdhëniet pozitive me fqinjet dhe se qeveria dhe unë personalisht, kemi zgjedhur pikërisht këtë rrugë, duke marrë përsipër barrën e pajtimit paqësor, të diplomacisë dhe të zhvillimit të një axhende pozitive me shtetet fqinje”, ka deklaruar ministri i Jashtëm i Greqisë.

Pas takimit të 11-12 nëntorit në Kretë midis Kotzias e Bushatit, dy ministrat e Jashtëm do të takohen sërish më 20 janar, këtë herë në vendin tonë, në Korçë. Edhe në këtë takim objektivi do të jetë arritja e një marrëveshje të re midis Shqipërisë e Greqisë.

Kujtojmë se në mbledhjen e saj të fundit më datë 13 dhjetor, Qeveria ka miratuar vendimin për ndërtimin e varrezave të reja ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941. Ky ka qenë një nga kushtet kryesore që ka vendosur gati çdo qeveri greke në bisedimet greko-shqiptare. Në vendimin e Këshillit të Ministrave nuk përcaktohet se sa varreza do ndërtohen dhe vendet ku do ndërtohen ato. Sipas VKM-së së publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë del se varrezat nuk kufizohen në numër dha as në vendodhje.

Madje fraza në fund të vendimit se: “ngarkohen prefektët e qarqeve ku do të zhvillohen punimet për zbatimin e këtij vendimi”, ku flitet në shumës për qarqet haptazi nënkupton që do të jenë disa varreza të shtrira në disa qarqe. Aktualisht në vendin tonë janë dy varreza të ushtarëve grekë, një në Këlcyrë dhe një fshatin Bularat të Dropullit. Këto varreza janë ndërtuar gjatë mandatit të dytë të Qeverisë Berisha, që i ka përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave në vitet 2010 e 2012.

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike