TIRANE- Zgjerimi i varrezave të Tufinës, në periferi të Tiranës, me një sipërfaqe prej prej 4090m² me një vendim të fundit të qeverisë, do të plotësojë për një vit nevojat e qytetit, sipas përllogaritjeve nga Ndërmarrja e Shërbimeve Funerale pranë Bashkisë së Tiranës.

Drejtori i kësaj ndërmarrje pranë bashkisë së Tiranës, Riza Hajdini tha për ATSH-në se varrezat e Tufinës, me një sipërfaqe prej rreth 35 hektarë, janë zgjeruar përmes këtij vendimi në pjesën lindore të saj.

“Nga zgjerimi i Tufinës, me një truall prej 4090m², do të shpronësohen dy pronarë, (njëri prej tyre ka rreth 90% të truallit), për të cilët është çelur një fond prej 30 560 000 lekë, një vlerë që do të përballohet nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës, planifikuar në buxhetin e saj”.

Vendimi i qeverisë për Tufinën erdhi gjashtë muaj pas dhënies së 4107m² tokë në Sharrë, si një nevojë emergjente për kryeqytetin, ku banon rreth 30% e popullsisë së vendit dhe tendenca është që edhe në vitet në vazhdim, popullsia e Tiranës të rritet çdo vit me rreth 3%.

Aktualisht nevojat për funerale në qytetin e Tiranës përballohen nga dy varreza, përkatësisht ajo e Sharrës dhe e Tufinës. Këto varreza lipset të përballojnë një intensitet varrimesh prej 10 individësh në ditë. Kjo do të thotë që në kryeqytet, ndërrojnë jetë çdo vit rreth 3 mijë banorë.

Hajdini tha se po shihet mundësia që varrezat e Sharrës dhe Tufinës të pësojnë një zgjerim edhe vitin e ardhshëm. Por Bashkia e Tiranës ka deklaruar se nuk mund ta mbështesë plotësimin e kësaj nevoje në rritje, vetëm duke kërkuar zgjerim të sipërfaqeve të reja për varre, thjesht sepse kjo është e pamundur fizikisht dhe financiarisht.

Sipas të dhënave, çdo vit, qytetit i duhet të përballojë kërkesat për rreth 3000 varrime, gjë që do të thotë se kërkimi për truall të ri, për t’i plotësuar këto nevoja të familjeve të Tiranës presupozon gjetjen e përvitshme të mbi 15000 metrave katrorë sipërfaqe, ku përveç varrit përfshihen edhe shërbimet mbështetëse, si rrugët, ndërmjetëse, pemët, gjelbërimi dekorativ etj.

Gjendja e sektorin funeral të Tiranës dikton një rishikim të plotë të mënyrës së menaxhimit të funeraleve në kryeqytet, pasi situate në këtë drejtim nuk është e mirë.

Nisur nga kjo, Bashkia e Tiranës propozoi në fillim të vitit, nisjen e një reforme thelbësore dhe të qëndrueshme për të mundësuar administrimin e një procesi dinjitoz të varrimit, si pjesë e respektit ndaj qytetarëve dhe respektimit të besimit të tyre fetar.

Pjesë e kësaj reforme janë ndërtimi i varrezave murale, një realitet tashmë i konsoliduar prej vitesh në kryeqytetet e Bashkimit Europian. Bëhet fjalë për zhvendosje të varreve të vjetra dhe shumë të vjetra në sistem vertikal varrimi të tipit mural, mjaft më dinjitoz se gjendja tashmë e degraduar dhe e shpërfillur e këtyre varreve. Si fillim synohet të fillohet me zhvendosjen e varreve mbi 40 vite të vjetra dhe pa dyshim aty ku ekziston konsensusi edhe për varre të tjera.
Kështu, sipas statistikave të shërbimit funeral të Bashkisë, përllogariten përafërsisht rreth 5300 varre, të zhvendosur në Tufinë, nga ish - varreza e Bamit në vitin 1964. Po kështu rreth 11 parcela në të dy varrezat janë varre të vjetra e shumë të vjetra me të porsalindur. Vetëm në intervalin 1964-1980 janë varrosur përafërsisht 15000 banorë.

Shqyrtimi selektiv dhe i kujdesshëm i këtyre rasteve dhe kalimi i tyre në sistemin mural, në një mënyrë shumë dinjitoze, do të mundësonte sipas Bashkisë së Tiranës, çlirimin e sipërfaqeve të konsiderueshme nga varrezat aktuale, të cilat nga bllokimi i plotë do të mund të funksiononin edhe për 10 vitet e ardhshme.
(sg/atsh/shqiptarja.com)