TIRANE - Dalja e Lëvizjes Socialiste për Integrim nga kualicioni qeveritar, ka sjellë edhe dorëheqjet e para nga përfaqësuesit e pushteti vendor. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Petrit Vasili ka dhënë dorëheqjen nga posti që mban. Ai ka informuar përmes një letre kryebashkiakun Lulzim Basha për largimin nga detyra.

Në letrën e tij Vasili shpjegon se arsyet e largimit janë motivet elektorale dhe angazhimi në partinë politike që aderon. Postin e nënkryetarit të Bashkisë, pas zgjedhjeve lokale të 2011, e mbante Edmond Panariti, i cili më pas u emërua Ministër i Jashtëm. Ndërsa, Vasili i emëruar Ministër Shëndetësie, la këtë post duke u bërë nënkryetar i Bashkisë, në muajin Korrik të një viti më parë.

Por, dorëheqja e Vasilit nuk ka qenë e vetmja dje, pasi edhe drejtori i spitalit Rajonal të Vlorës Shkëlqim Selami ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij si drejtor. Dorëheqja e Selami është e dyta në qeverisjen e LSI-së në qytetin bregdetar. Pasi një javë më parë dha dorëheqjen Sekretari i Prefekturës së Vlorës, Kasëm Cenaj, anëtar i LSI-së, PD. Pas presionit të Prefektit të Vlorës, Eduart Velçani, që deklaroi në media se nëse nuk dorëhiqen drejtuesit e LSI-së nga postet që mbajnë në pushtetin vendor, unë do t’i shkarkoj të gjithë, edhe pse deri më tani Prefekti nuk ka shkarkuar asnjë, Selami doli në një konferencë shtypi ku u vetëdorëhoq nga posti i drejtorit për shkakun se “Ishte e pamoralshme të bashkëpunojë me PD-në kur si forcë politike dolëm nga koalicioni.

Dorëheqja ime ka qënë për moral e jo për shkaqe të detyruara nga politika e Tiranës e nga drejtuesit më të lartë të LSI-së”, tha ish-drejtori. Pas dorëheqjes së drejtorit të spitalit të Vlorës, ka reaguar Ministria e Shëndetësisë, ku në një njoftim për median shkruan, se ish drejtori i spitalit Vlorë është shkarkuar nga detyra që mbante me firmën e Ministrit të Shëndetësise Halim Kosova që në datën 10 prill “Motivacioni i shkarkimit; për një performacë më të mirë në punë dhe rritje të cilësisë së shërbimit shëndetësor për qytetarët” thuhet në njoftim.

(sg/shqiptarja.com)