Jemi sot në këtë takim së bashku për të evidentuar disa momente, që ne i kemi gjykuar të një rëndësie të veçantë e që hyjnë në procesin e diskutimeve lidhur me projektbuxhetin, i cili tashmë e ka marrë miratimin në parim. Ndodhemi në një fazë të re të konkretizimit të diskutimit të tij nen për nen ku ka sigurisht disa momente të caktuara, të cilat kanë nevojë në gjykimin tonë për reflektime përkatëse, për ta bërë sa më efektiv dhe me rezultate të prekshme këtë projektbuxhet të ri si një sfidë të madhe të mazhorancës dhe qeverisë së dalë nga kjo mazhorancë lidhur me një vit të një rëndësie të veçantë siç është viti buxhetor 2014.

Pas një diskutimi të gjatë të grupit parlamentar të LSI-së, grupi ka vendosur të paraqesë dhe ka depozituar në Komisionin e Ekonomisë dhe Financës disa amendamente, që kanë të bëjnë në radhë të parë me disa përgjigje që shkojnë për disa kategori të gjera të shoqërisë shqiptare e ku këto reflektime në gjykimin tonë kanë një rëndësi të dorës së parë e ku reflektimi i tyre do të ishte një mesazh pozitiv lidhur me to.

Në mënyrë konkrete grupi parlamentar i LSI-së ka propozuar që së paku 20 % e të ardhurave të realizuara nga rritja e akcizës për duhanin të kalojë si një fond shtesë në fondet e Ministrisë së Shëndetësisë. Sepse siç dihet rritja e kësaj akcize ka pasur një motiv themelor, unik, pikërisht mbështetjen për shëndetin publik duke e konsideruar pirjen e duhanit si një dëmtues madhor të shëndetit publik. Shtimi i këtyre fondeve në drejtim të Ministrisë së Shëndetësisë do të ishte shumë i rëndësishëm, jo vetëm për organizimin e fushatave të promocionit për luftën kundër duhanit, jo vetëm për të zbatuar mirë ligjin për duhanin në ambientet publike, por edhe për të reflektuar për shtesa të caktuara të barnave në mënyrë të veçantë për sëmundjet respiratore, pra të rrugëve të frymëmarrjes, që shkaktar kryesor kanë pirjen e duhanit. Duke pasur parasysh tërësinë e këtyre efekteve negative do të ishte një mesazh i drejtpërdrejtë që kjo akcizë e shtuar shkon pikërisht për atë që ka qenë edhe qëllimi i saj, influencën e saj në drejtim të përballimit të efekteve në shëndetin publik të popullatës.

Së dyti, ne kemi propozuar gjithashtu një ndryshim tjetër që ka lidhje përsëri me shëndetësinë që ka të bëjë me “check-up”-in, pra kontrollin nga mosha 40 deri në 60 vjeç siç është propozuar nga Ministria e Shëndetësisë, propozim që ne e mbështesim në tërësinë e tij, por është shumë e rëndësishme që ky “check-up” të zgjerohet deri në moshën 65 vjeç për disa arsye të rëndësishme që janë arsye të karakterit edhe shkencor, por edhe fiziologjik, sepse siç mund ta gjykoni edhe ju lehtësisht mbulohet një fashë aktive.

Pra, mosha më aktive mbulohet me një kontroll të drejtpërdrejtë dhe kjo është pozitive, por ky kontroll ndërpritet në moshën 60-vjeç, që është një moshë e natyrshme e ndërprerjes së aktivitetit të drejtpërdrejtë aktiv në moshën e grave, por shtrirja që ne propozojmë deri në moshën 65 vjeç synon një mbulim më të mirë të grupmoshës mashkullore, që siç dihet dalin në pension në moshën 65-vjeçare. Kjo sepse në këtë diferencë moshe verifikohen mjaft sëmundje që lindin dhe zhvillohen në atë moshë, që karakterizojnë moshën e tretë pas 65-vjeçëve, të cilët duke mos u bërë pjesë e depistimit do mund të zhvillohen pa u kapur, do të rëndoheshin dhe në momentin ku ato do të konstatoheshin do të ishte tepër vonë. Sigurisht lidhur me këtë ne propozojmë që fondi prej 15 milionë dollarësh të kishte një rishpërndarje të re ku pjesë e depistimit të shtohej dhe të pakësohej pjesa tjetër në mënyrë që ky depistim, ose ky kontroll i përgjithshëm të kryhej në mënyrë më të plotë efektive dhe të jepte ato rezultate të dëshiruara.

Një amendament tjetër i rëndësishëm, është propozimi ynë që përsa i takon biznesit fason tatimi mbi të ardhurat lidhur me këtë biznes të vazhdonte të qëndronte në masën 10% për disa arsye themelore. Së pari ky biznes ka qenë vërtetë një motor punësimi për shoqërinë shqiptare dhe ka përballuar një peshë punësimi të rëndësishme duke qenë dhe një mbështetje sociale shumë e rëndësishme për mijëra punonjës shqiptarë, të cilët punësojnë këto biznese e që vijnë nga shtresa të varfra të popullatës.

Së dyti, sepse nëpërmjet biznesi ka një komunikim të rëndësishëm me biznesin ndërkombëtar, që ka gjetur partneritetin e tij në Shqipëri dhe si e tillë Shqipëri shihet qartë si një vend ku mund të transferohen biznese të huaja të rëndësishme e të funksionojnë në Shqipëri.

Së treti, nuk duhet të harrojmë që nëpërmjet një tatimi të tillë për specifikën, që ka biznesi fason Shqipëria vazhdon të mbetet një vend atraktiv tërheqës për bizneset e huaja, të cilat kësisoj do të preferonin ta zhvillonin atë më mirë në Shqipëri se sa në vendet fqinje në Ballkan.

Së fundi, duke qenë që ai vazhdon të jetë një burim, një mundësi punësimi e pandërprerë edhe në momentet më të vështira ekonomike të Shqipërisë, ky duhet të ishte një stimul pozitiv për të, që ky biznes të vazhdonte zhvillohej. Sepse sigurisht ato kapacitete punësimi që ka biznesi fason nuk i afrojnë biznese të tjera. Në këtë mënyrë kemi një përgjigje edhe të karakterit ekonomik, por edhe të karakterit social, pra një biznes që zhvillohet dhe mundësi punësimi më shumë që inkurajohen dhe zhvillohen edhe në të ardhmen, aq më shumë që buxheti i ri është një buxhet optimist.

Jep mesazhe të rëndësishme për biznesin dhe sa më shumë mesazhe të tilla të marrin ato biznese të cilat edhe punësojnë gjerësisht shqiptarë, sigurisht kërkojnë edhe inkurajime duke pasur edhe diferencimet përkatëse, për më shumë që niveli i tatimit dhe aplikimi i tij ka qenë një logjikë e re e progresiviteti, pra sjelljes sipas specifikave që biznesi ka. Ky në rast konkret duhet të gjente një reflektim, për të qenë një reflektim i veçantë për një biznes të caktuar, që zhvillohet në këtë territor në mënyrë të veçantë. Kështu që në tërësinë e tij ne ia kemi paraqitur komisionit të Ekonomisë dhe Financave, duke kërkuar mirëkuptimin e tyre dhe eventualisht për miratimin dhe reflektimin e tyre në diskutimin nen për nen në seancën plenare që zhvillohet ditën e shtunë.