Një incident jashtë fushës së lojës ka shkaktuar polemika në Kupën e Botës 2026, teksa organizatat që monitorojnë racizmin dhe diskriminimin i kanë kërkuar FIFA-s largimin e një zyrtari të VAR-it pas një gjesti të interpretuar si simbol i supremacisë së bardhë.
Ngjarja ndodhi para ndeshjes hapëse mes Gjermanisë dhe Kuraçaos, kur transmetimi zyrtar televiziv shfaqi ekipin e VAR-it në qendrën operative në Dallas. Në pamje u vu re zyrtari australian, Shaun Evans, duke bërë shenjën “OK” me dorën e djathtë, një gjest që ka ngjallur reagime të forta në rrjetet monitoruese të diskriminimit.
Rrjeti 'Fare', partner afatgjatë i FIFA-s dhe UEFA-s në luftën kundër racizmit, deklaroi se gjesti ngjan me simbolin e përdorur nga disa grupe të ekstremit të djathtë si shenjë e “fuqisë së bardhë”. Organizata shkoi edhe më tej, duke kërkuar që Evans të mos ketë më asnjë rol gjatë këtij Botërori.
Megjithatë, qëllimi i gjestit mbetet i paqartë. Nuk dihet nëse zyrtari australian po shprehte një mesazh politik apo thjesht po merrte pjesë në të ashtuquajturën “circle game”, një lojë e njohur mes të rinjve që përdor të njëjtën shenjë me dorë.
Debati rreth simbolit “OK” vazhdon prej vitesh. Në vitin 2019, Liga Anti-Shpifje në SHBA e përfshiu atë në bazën e të dhënave të simboleve të urrejtjes, duke theksuar se interpretimi i tij varet nga konteksti dhe përdorimi konkret.
Shaun Evans është një nga 30 zyrtarët e VAR-it të përzgjedhur nga FIFA për këtë Kupë Bote, që zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë. Ndërkohë, organizata 'Fare' ka ngritur pikëpyetje edhe mbi mënyrën e prezantimit televiziv të zyrtarëve të VAR-it, duke argumentuar se ekspozimi i tyre publik mund të ndikojë në perceptimin e turneut.
Tashmë pritet reagimi i FIFA-s për këtë çështje, e cila ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik në ditët e para të kompeticionit.
Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.
Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.
Komente







