Tre “fshatra” tutje meje, në Boston, jeton një djalë nga fshatrat e Leskovikut. Takohemi rrallë, por na hahet muhabeti. Djaloshi, që ka ardhur mjaft i ri nga Jugu i Shqipërisë, mbaroi shkollën në Boston. Punoi ku mundi, por sot është jo vetëm me një diplomë të shkëlqyer, por ka ngjitur majat e karrierës në fushën e tij, duke drejtuar një ndërmarrje të rëndësishme shtetërore me 700 punonjës. Jo keq për një djalë që e kishte parë Tiranën vetëm dy herë në periudhën e tij “shqiptare”.
Para se të vija në Tiranë e ftova për kafe. Erdhi menjëherë dhe, pasi u përshëndetëm, i thashë që po iki në Shqipëri. Do dal edhe nga Leskoviku, i thashë. Qeshi.
“Je i marrë,” më tha. “Andej nuk ka mbetur më njeri. Kot që vete.”
“Po ti,” i thashë, “sa ke që nuk shkon?”
“Po nja 10 vjet,” më thotë.
“Pse?” e pyes.
“Po ç’të bëj. Herën e fundit që isha, ata pak komshinj që kanë mbetur në fshat akoma ziheshin për gardhet. Babai ankohet se nuk shet dot mollët. Nëna vjen vërdallë. Spital nuk ka me. Ilacet ja u dergoj une. Sa herë i merr malli, i sjell këtu. Rrinë ca, pastaj mërziten dhe ikin.”
“Po mirë,” i them, “punët të kanë ecur. Pse nuk bën ndonjë gjë andej nga fshati? Ja, unë do iki në Leskovik, po mund të iki edhe në Konicë, të shikoj nëse e shtyj atë idenë e rregullimit të shtëpisë së Faikut.
Fshati i tij sheh Konicën dhe vetë ai vjen nga një shtëpi me tradita.
“Eeee,” qeshi.
“Po ç’dua unë andej, o Auron?” më thotë. “Kush punoi për Shqipërinë dhe ia pa hajrin?”
Ç’ti thoja.
foto 1. Shtepia ne Korce ku ka jetuar dy vjet poeti i njohur Grek Jorgo Seferi. Restauruaar nga Shteti Grek ne shenje kujtimi, mirnjohje dhe politike sigurisht.
foto 2. Shtepia ku ka lindur Faik Bej Konica dhe i vellai diplomati i shquar Mehmet Konica ne qytezen e Konices. E lene ne fatin e saj pa asnje interesim nga Institucionet shqiptare per ta restauruar.
Komente









