TIRANE - Tre muaj pas betejës së televizionit A1Report dhe gazetës Shqiptarja.com në denoncimet publike të veprimeve të policisë Bashkiake ndaj komuniteti rom, gjuetia ndaj tyre nuk është ndalur. Sot kamera e A1Report është gjendur pranë pjesëtarëve të këtij komuniteti për të ndjekur shqetësimet dhe për t’i përcjellë shoqërisë zërin e tyre.

“Po na gjëmon policia.” Është kjo deklarata qe vjen nga komuniteti rom në Tiranë, të cilët rrëfejnë për kamerën e A1Report se janë sulmuar nga policia bashkiake e kryeqytetit e cila i ka marrë karrocat dhe njëkohësisht i pengon të mbledhin kanaçe.

Ata rrëfejnë se ndërsa mbledhin kanaçe dhe lëndë plastike nëpër rrugët e Tiranës, ata ndeshen përditë me frikën dhe presionin e policisë. Pjesëtarët e këtij komuniteti, insistojnë se varfëria dhe pamundësia për të përballuar jetën i ka detyruar të mbledhin kanaçe në rrugë.

grua rome

“Ai po na sulmon neve, ai na len kalamajtë pa bukë neve, nuk na le kalamajtë me punu nëpër kazane...më pisllëk i madh që ka s’ka ku të shkojë. Ne nga zori punojmë më djersë. Nuk gjëmojnë hajdutet e pisllëqet që bëjnë, po gjëmojnë ne që marrim një copë bukë të hanë kalamajtë.”, shprehet një pjesëtare rome.

Edhe fëmijët janë bërë pjesë e kësaj gjuetie. Ata rrëfejnë se jo vetëm që policia Bashkiake i ka marrë karrocat me të cilat ata mbledhin kanaçe, por edhe ka tentuar t’i godasë ata. Një fëmijë rrëfen:

djale rom

“Unë po mblidhja ca bidona dhe ai desh t’më gjuante. Ne ikëm pastaj, i lamë bidonat. Na e mori dhe karrocën e ca gjëra të tjera që kishim.”

Zëri i banorëve të kësaj shtrese të shoqërisë, bëhet edhe më i fuqishëm teksa të dëshpëruar thonë se bëjnë punë të ndershme dhe se dora e policisë duhet të drejtohet ndaj hajdutëve dhe jo të pafajshmëve.

grua rome

“Shumë probleme kemi pasur me bashkiaken. Kemi gjueti akoma. Po na gjëmon policia. Nuk i kemi me hajdullëk, nuk i kemi me drogë, i kemi me djersën tonë. Mijëra pisllëqe kalojmë në duar.”(zonja tregon duart e saj)

Jashtë kamerës ata pranojnë se janë të detyruar të nxjerrin edhe fëmijët në rrugë, duke i shkëputur ata nga shkolla. Një mënyrë që fatkeqësisht shihet si e vetmja mundësi për mbijetesë.

(Gre.M/Shqiptarja.com)