Ruçi do të zëvendësojë në postin e kreut të Parlamentit, Ilir Metën, i cili tashmë mban postin e Presidentit të Republikës.
Procesi është menaxhuar nga një komision prej 4 anëtarësh, 3 të mazhorancës dhe 1 i opozitës nga LSI, pasi PD nuk mori pjesë.
Ish-kryetari i grupit të PS është zgjedhur me 80 vota pro, 40 kundër dhe një abstenim, ndërsa 19 deputetë të LSI nuk morën pjesë në votim.
Ruçi mori 74 votat e PS, 3 të PDIU, një të PSD, Tom Doshi dhe 2 vota nga PD, duke shkaktuar tronditje te e djathta.
Votimi ishte i fshehtë, por nuk përjashtohet mundësia që të kenë qenë tre votat që kanë rrjedhur nga PD duke marrë parasysh edhe votën e pavlefshme, që ishte e bardhë.
PD e akuzon Rucin si eksponent të ish-diktaturës komuniste dhe për këtë arsye, argumentojnë ata, ai nuk duhet të zgjidhej në foltoren e numrit një të Kuvendit.
Ndërsa antikomunistët dhe ish-të përndjekurit kanë protestuar para Kuvendit të Shqipërisë.
Protestës në fund të votimit i janë bashkuar edhe deputetët e Partisë Demokratike me Bashen ne krye.
Fjala e parë e Ruçit: Garantojmë Reformën në Drejtësi
Pas zgjedhjes si Kryetar i Kuvendit të shqipërisë ditën e sotme me 80 vota pro e 40 kundër, Gramoz Ruçi në fjalën e tij falënderoi kolegët për besimin, ndërsa garantoi zbatimin e Kushtetutës së Shqipërisë si dhe mbështetje për qytetarët.
Ndër të tjera Ruçi u ka bërë thirrje dy opozitave që ti bashkohen Kuvendit për të gjitha ligjet dhe reformat që do të ndërmerren.
“Mirënjohje të thellë për besimin që më dhatë duke më zgjedhur drejtues të Kuvendit të Shqipërisë.
Dëshiroj të shpall se gjatë drejtimit të kësaj detyre do të jem garant i zbatimit të Kushtetutës së Shqipërisë si dhe në mbështetje të qytetarëve dhe të secilit prej jush.
Vullneti i popullit ja delegoi qeverisjen një qeveria të vetme, përgjegjësia jonë do t’ia kthej këtë pushtet qytetarëve nëpërmjet politikave që do të hartojmë në shërbim të tyre.
Fitorja nuk është gjithçka por vetëm fillimi i përgjegjësive. Nga ana tjetër u bëjë thirrje opozitareve që t’i bashkohen këtij tempulli. Opozita nuk i shërben shumicës dhe qeverisë, por qytetarëve. Ata presin nga të dyja opozitat që të kontrollojë qeverinë”, tha Ruçi.
Ruçi vuri theksin në reformat që i nevojiten vendit për rrugën drejt zhvillimit, duke thënën se do të garantojë Reformën në Drejtësi dhe Vettingun, për shembje e “mureve të pandëshkueshmërisë”.
“Do të garantojmë Reformën në Drejtësi dhe Vettingun. Për ne Reforma në Drejtësi është rruga për të ndërtuar një Shqipëri më të drejtë, e me akses të barabartë për qytetarët.
Të shembim murin e pandëshkueshmërisë, për të mbrojtur pronën e çdo qytetari”, tha Ruçi.
[gallery]23809[/gallery]
[gallery]23817[/gallery]
Lajmet minutë pas minute nga seanca e parë e Kuvendit
Ora 19:30 Mbyllet numërimi, Ruçi zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit të Shqipërisë
Votimi për Gramoz Ruçin
Morën pjesë 121 deputetë
19 deputetë nuk morën pjesë
120 fletë të vlefshme
1 abstenim
Gramoz Ruci 80 vota pro
40 vota kundër Ruçit
Ora 19:15 Mbyllet votimi, fillon numërimi
Ora 18:55 Vendimi i grupit të LSI: Deputetët në sallë, por nuk do të votojnë
Ora 18:50 Rama i jep dorën Bashës: Mirë se erdhe kryetar!
Ora 18:45 Rama voton për kryetarin e ri të Kuvendit
Ora 18:35 Kush ia zuri karrigen? Tom Doshi ndjek në këmbë seancën/ FOTO
Ora 18:30 Kundër Ruçit, antikomunistët, konfrontim me policinë
Shoqata Antikomuniste dhe ish-të Përndjekurit vijojnë protestën para Kuvendit duke kundërshtuar Gramoz Ruçin në krye të parlamentit.
Nuk kanë munguar edhe konfrontimet me policinë, ndërsa të gatishmëri është një numër i konsiderueshëm efektivësh.
Ora 18:25 Nis votimi për zgjedhjen e Ruçit, PD bojkoton komisionin
PD nuk dorëzoi asnjë emër në komisionin e votimit për Rucin, ndërsa nga LSI është Braimllari. Në komision nga PS do të jenë Manja, Hyseni dhe Angjeli.
Ora 18:20 Besnik Bare: Gramoz Ruci është propozuar nga 55 deputetë të PS për kryetar të Kuvendit të Shqipërisë
Ora 18:15 Betohet kryetari i PD, Lulzim Basha
Ora 18:10 Betohen 140 deputetët e Kuvendit
Ora 18:05 Vasilika Hysi: Verifikuam mandatet, gjithçka në rregull
PS 74 MANDATE
PD 43 MANDATE
LSI 19 MANDATE
PDIU 3 MANDATE
PSD 1 MANDAT
Ora 18:00 Nis Kuvendi, seanca e dyte brenda dites
Ora 17:55 Nebil Cika: Zgjedhja e Ruçit, poshtërim
Ka nisur protesta para Kuvendit, ndërsa kryetari i Shoqatës Antikomuniste dhe ish-të Përndjekurve, Nebil Cika deklaroi se “Kundërshtojmë zgjedhjen e Gramoz Rucit në parlament dhe qeveri. Ruci është ministri i fundit i Brendshëm i komunizmit.
Ne nuk mund ta pranojmë këtë poshtërim, edhe gjithë shqiptarët duhet të bashkohen me ne sot.
Njerëzit po mblidhen, kemi pak probleme me policinë, që kërkon ta lerë të qetë ish-shefin e ministrisë së Brendshme.
Këta janë njerëz me precedent penal, nëse u jepet forca, mund ta përdorin sërish” deklaroi ai.
Ora 17:50 Arrin edhe Rama ne Kuvend
Ora 17:50 Mbërrijnë në Kuvend ambasadorët dhe krerët e komuniteteve fetare
Ora 17:45 Gramoz Ruçi futet në Kuvend, pas pak pritet që të zgjidhet kryetar
Ora 10:40 Basha rikthehet pas 6 vitesh: Gjithçka normale!
Lulzim Basha është rikthyer në Kuvend pas 6-vitesh. Ai la sallën e Kuvendit në 2011-ën, kur u zgjodh kryebashkiak i Tiranës.
Pas daljes nga Kuvendi seancën konstituese të kësaj të shtune, i pyetur nga mediat, kryetari demokrat, Lulzim Basha ka komentuar seancën e parë të kësaj legjislature parlamentare.
"Nuk kishte ndonjë impakt. Ishte një ritual ceremonial të nisjes së seancës, gjithçka normale.
Pse kërkova fjalën unë do ta mësoni në seancën e pasdites", ka thënë ai.
Ora 10:35 Flet për Report Tv deputetja më e re, Reme Lala: Do u shërbej dibranëve
Reme Lala, deputetja e PDIU në Qarkun e Dibrës, është më ligjvënësja me re e kësaj legjislature të Kuvendit.
Gjatë një prononcimi për Report Tv, Lala u shpreh se e kishte lexuar rregulloren e Kuvendit, ndërsa premtoi se do luftojë për qytetarët e Dibrës.
“E kam lexuar rregulloren e Kuvendit. Ishte emocionuese dita e parë në Kuvend, por shkoi shumë mirë çdo gjë.
Misioni im kryesor është të luftoj çdo ditë për Dibrën”, u shpreh Reme Lala, deputete e PDIU në Dibër.
Ora 10:30 Rama “mbledh” deputetët e PDIU
Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në seancën e parë plenare të legjislacionit IX, që nisi punimet paraditen e sotme.
Në përfundim të seancës, që zgjati pak minuta, kryeministri Rama zhvilloi një takim me dy deputetët e PDIU.
Rama u pa duke biseduar me dy deputetët Aqif Rakipi dhe Reme Lala.
Ndërkohë, Parlamenti do të mblidhet sërish pasditen e sotme, në orën 18:00, në një seancë të dytë, ku do të zgjidhet kryetari i ri, Gramoz Ruçi.
Ora 10:25 Bare mbyll seancën e parë, seanca tjetër në 18:00
Ora 10:20 Komisioni që do bëjë verifikimin e mandateve
Izmira Ulqinjaku - PD
Kejdi Mehmeti - LSI
Anduel Xhindi - PS
Ora 10:15 Nis seanca e parë Kuvendit, e drejton Besnik Bare
Ka nisur seanca e parë e Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit, që shënon edhe nisjen e rrugëtimit 4-vjeçar të legjistaturës së XIX parlamentare.
Seanca konstituive drejtohet nga deputeti i PS, Besnik Bare pas refuzimit në bllok që bënë deputetët e PD Sali Berisha, Halim Kosova dhe Tritan Shehu, si më të vjetrit.
Ora 10:10 PD shtyn protestën në orën 18:00
PD dhe ish të përndjekurit politikë kanë shtyrë protestën përpara Kuvendit për në orën 18:00. Zhvendosja e protestës është bërë se seancën e dytë të Kuvendit do zgjidhet kryetari i ri i parlamentit, ish-kryetar i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi
Ora 10:05 Berisha: Basha të ishte në Kuvend që në 2013
Teksa ngjiste shkallët e Kuvendit, ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se Lulzim Basha do jetë zëri kryesor i opozitës në Kuvend.
I pyetur nga gazetarët, Berisha tha se për këtë nuk ka asnjë diskutim. "Pa asnjë diskutim". “Është një zhvillim shumë pozitiv që kryetari i PD-së është deputet.
Ka qenë një gabim në legjislaturën e kaluar, kur Basha nuk ishte në parlament”, ka thënë Berisha.
Ora 10:05 Mbërrijnë Basha dhe Berisha
Kryetari i PD, Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha kanë mbërritur në sallën e Kuvendit.