FIER- Është dashur vdekja e një fëmije 3-vjeçar që Ministria e Arsimit të kuptojë që kopshti ‘Flatrat e Dijes’ në Fier nuk plotësonte as standardet minimale për të qenë një kopësht. Ky kopësht privat nuk kishte drejtues dhe as personel të kualifikuar për mësimdhënien, kishte regjistruar fëmijë të moshës nën 3 vjeç, në kundërshtim me ligjin dhe ka pranuar fëmijë mbi numrin e lejuar, nuk plotëson kushtet minimale, si edhe ka pasur probleme me dokumentacioni.

Pikërisht si rezultat i këtyre shkeljeve, Ministria e Arsimit, rreth 4 javë pas humbjes së jetës së tre vjeçarit ka marrë vendimin për të mbyllur kopështin privat ’Flatrat e Dijes’ në lagjen Sheq i Vogël të qytetit të Fierit.

“Ministria e Arsimit dhe Sportit, nisur nga rasti tragjik i Fierit, kërkoi menjëherë nga Drejtoria e Arsimit Parauniversitar Publik (DPAP) ngritjen e një grupi pune për inspektimin e institucionit arsimor parashkollor, kopshti “Flatrat e Dijes”. Sipas relacionit të grupit të punës janë gjetur këto shkelje:

Nuk ka drejtues Didaktik. Ka regjistruar fëmijë të moshës nën 3 vjeç, në kundërshtim me ligjin. Personeli mësimdhënës nuk plotëson kriteret e parashikuara në ligjin 69/2012 neni 57. Nuk plotëson standardet infrastrukturore. Ka regjistruar dhe pranuar fëmijë mbi numrin e lejuar. Nuk ka përmbushur detyrimet në lidhje me dokumentacionin e nevojshëm, duke përfshirë edhe kontratat me prindërit. Nisur nga këto shkelje, MAS mori vendimin për mbylljen e veprimtarisë së këtij kopshti dhe revokimin e licencës nga QKB”, njofton Ministria e Arsimit.

Fëmija 3-vjeçar ndërroi jetë në kopështin ‘Flatrat e Dijes’ më datë 7 janar. Lidhur me këtë ngjarje është arrestuar edukatorja Redina Binjaku. Edukatorja akuzohet nga prokuroria për shkelje të rregullores në punë. Sipas dëshmisë së edukatores 27-vjeçare, 3-vjeçari ka tentuar të marrë çantën dhe i ka ngecur kapuçi i xhupit në varëse e për pasojë është mbytur, ndërsa kamerat e sigurisë në kopsht pritet të zbulojnë gjithçka ndodhi që solli vdekjen një 3-vjeçarit.

Sipas dëshmisë, Binjaku ka qenë duke tundur një fëmijë të grupit për ta vënë në gjumë, në atë moment 3-vjeçari është shkëputur dhe ka dalë nga klasa për të marrë xhupin. Pas 2 minutash edukatorja ka kërkuar, ku vajti 3-vjeçari, ka dalë nga klasa dhe e ka gjetur të mbytur tek varësja e rrobave. I ka dhënë ndihmën e parë, frymëmarrje artificiale, ka kërkuar ndihmë, por fëmija nuk ka mundur të shpëtojë.

Ekzistenca e kamerave të sigurisë ka qenë objekt debatit ku ka qenë daja e 3-vjeçarit që ka thënë se nga përfaqësues të kopshtit fillimisht i janë premtuar pamjet, por më tej i është thënë se nuk ekzistojnë. Fotot e siguruara nga Report Tv tregojnë se kamerat ekzistojnë dhe nuk kuptohet arsyeja se pse fshihen nga pronarët e kopshtit. Të afërmit e 3-vjeçarit dhe nëna Donalda Kodheli kërkojnë drejtësi për humbjen e djalit.

(Klikoni këtu për të lexuar dokumentin)