Ketjona Ibrahimi me banim në Gramsh, u operua në spitalin e Elbasanit dy ditë më parë, por pas ndërhyrjes ajo ka ndërruar jetë.

Sipas autopsisë, është konstatuar se problemi ka qenë në mushkëri dhe se vdekja ka ardhur nga mpiksja e gjakut në mushkëri.

18-vjeçarja mbërriti në spital me dhimbje barku

Mësohet se 18 vjeçarja është dërguar fillimisht në spitalin e Gramshit me dhimbje barku dhe të vjella.

Pasi është trajtuar e nuk ka pasur përmirësime, është dërguar në urgjencën e spitalit të Elbasanit. Ajo ka qëndruar, me gastroenterologun por më pas është dyshuar për probleme në organet e riprodhimit.

Më pas 18 vjeçarja i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale por pa gjetur shkakun e dhimbjeve.

Pas ndërhyrjes në maternitet është kthyer në kirurgji, dhe është bërë ekzaminimi pasi është konstatuar një lëng në hapësirën e barkut.
Është marrë lëngu dhe është dërguar në laborator. Deri në 10 të mbrëmjes mësohet se ajo ka pasur përmirësime, ndërsa në orën 10 ka pësuar arrest kardiak.

Mjekët kanë ndërhyrë por nuk kanë arritur ta shpëtojnë.
Ndërkohë pritet ekspertiza e mjekësisë ligjore për të konfirmuar plotësisht shkakun e vdekjes.

Familjarët akuza mjekes, procedohet
Policia ka proceduar penalisht në gjendje të lirë mjeken kirurge J.K, 43-vjeçe me banim në Elbasan. Procedimi i saj ka ardhur pas kallëzimit të familjarëve të vajzës që humbi jetën pas operacionit.

Ajo akuzohet për mjekim të pakujdesshëm ndaj pacientes adoleshtente. 

Njoftimi i policisë:
Specialistët për Krimet, në Komisariatin e Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori për proçedim penal në gjendje të lirë për veprën penale “Mjekimi i pakujdesshëm" në ngarkim të shtetases J.K., 43 vjeçe, banuese në Elbasan. 

Ajo duke qenë me profesion mjeke kirurge në spitalin e Elbasanit, në datë 8 korrik 2017, kreu një ndërhyrje kirurgjikale tek  pacientja K.I.. 
Pacientja K.I,  ndërroi jetë pak pas operacionit. 

Sipas kallëzimeve të familjarëve dyshohet se 18 vjeçarja ka humbur jetën si pasojë e mjekimit të pakujdesshëm.

 Grupi hetimor po kryen veprime të mëtejshme në bashkëpunim me ekspertët mjeko–ligjorë për përcaktimin e shkakut të vdekjes.

 Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprën penale "Mjekimi i pakujdesshëm" parashikuar nga neni 96  i Kodit Penal.



ketjona ibrahimi
Ketjona Ibrahimi, vajza që humbi jeten pas operacionit

Redaksia Online
l.q/d.b/Shqiptarja.com