Vdekja e 32-vjeçarit Lear Kurti, Meta: Policia nuk shihet si një institucion që të mbron! Ardi Veliu të procedohet penalisht

 

Në një konferencë për mediat Ilir Meta ka akuzuar policinë e Shtetit për vdekjen e të riut Lear Kurti, ndërsa u ka bërë thirrjeve organeve hetimore që të vijojnë hetimet. Meta u shpreh se policia tashmë nuk shihet më si një institucion që mbron jetën e qytetarëve.

Meta drejtoi gishtin nga kryeministri Edi Rama duke e bërë përgjegjës dhe frymëzues të kësaj situate kriminale. Ai kërkoi largimin e kreut të qeverisë dhe ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi si dhe nisjen e procedimit penal të Ardi Veliut.

Deklarata e plotë e kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta

Rastin tronditës të humbjes së jetës së Lear Kurtit, qeveria dhe policia e Ramës po përpiqet ta trajtojë si një ngjarje të zakonshme për të mbuluar një krim flagrant shtetëror. Po tentohet të fshihet e vërteta, ndërsa është ende shumë e fresket në kujtesën e të gjithë shqiptarëve, vrasja makabër e Klodian Rashës dhe mashtrimi i policisë së Ramës dhe Ministrisë së Brendshme. E mbushur me patronazhistë, të frymëzuar dhe të mbështetur politikisht nga arroganca e kryeministrit dhe sjellja dhe qëndrimet e njëjta me të dhe të Ministrit të Brendshëm, policia sot nuk shihet më si një institucion që mbron jetën dhe sigurinë e qytetarëve, por si kërcënim kriminal për ta. Mbi bazën e disa fakteve publike ulëritëse, që rëndojnë edhe më shumë paligjshmërinë ku është zhytur policia e Ramës, natyrshëm shtrohen disa pyetje.

Cila është arsyeja që policia deklaroi që i riu vdiq në spital, ndërkohë që spitali konfirmoi se ka ardhur i vdekur?  Cilët janë arsyet që autopsia u bë para kohës së detyruar me ligj, sepse autopsia është bërë 5 orë pas vdekjes dhe jo 12 orë sipas ligjit? Dhe u bë nga një ekspert i vetëm, ndërkohë që duhej të bëhej nga një grup ekspertësh? U përdor si argument që në trupin e të ndjerit u gjet një qese plastike me kokainë, ndërkohë që për arritjen e konkluzioneve, duhet patjetër të kompletohen të gjitha analizat toksikologjike, për të vërtetuar nëse substanca ishte vërtet kokainë dhe e dyta cila ishte niveli i saj në gjak? 

Duke qenë se vendngjarja ishte jo më larg se 100 metra nga spitali i Traumës, përse nuk u transportua direkt në spital për të marrë ndihmën mjekësore, por u dërgua direkt në komisariat.  Si është e mundur dhe si ka mundësi që është lejuar që edhe në krevatin e spitalit, i shtruar, Lear Kurti ka qenë me pranga në duar?!

Disa pyetje: A kanë pasur kamerat trupi punonjësit e policisë dhe çfarë evidentojnë ato? A kanë funksionuar kamerat në komisariat dhe çfarë evidentojnë ato? A ka pasur komunikim të patrullës me sallën operative dhe a është i regjistruar ky komunikim? Nëse është e vërtetë që i riu ka gëlltitur qesen, përse nuk u pritën analizat toksikologjike për të vërtetuar llojin e lëndës narkotike dhe sasinë e saj në gjak? Pse u ndryshua versioni nga sëmundje zemre në epilepsi e më pas te ‘gëlltitja e qeses’? A ka patur prezencë të përfaqesuesit ligjor të familjes gjatë autopsisë? A është marrë miratimi i familjes për kryerjen e autopsisë? A janë parë kamerat e zonës për veprimet e personit dhe të patrullës? Janë tronditëse dëshmitë e shokut të ngushtë, prezent në vendngjarje dhe nënës së tij, të cilat pasqyrojnë më së miri veprimet barbare dhe të dhunshme të policisë së Ramës. 

Ishte policia e Ramës që shkaktoi vetëvrasjen e 31-vjecarit Ilvi Meta në paraburgimin e Kavajës. Ishte policia e Ramës ajo që vrau 27-vjeçarin Enea Ftoi, babain e tre fëmijëve në Komisariatin e Korçës. Ishin policët e Ramës që i morën jetën vogëlushes Joniada Avdiaj në Himarë. Është policia e Ramës që dhunon të rinjtë e të rejat në protesta të drejta dhe legjitime, i dhunojnë me policë të maskuar me xhupa dhe kapuç të zinj, që sillen si kriminelë dhe që nuk kursejnë as gazetarët me dhunën e tyre në prani të kamerave. Kjo situatë kriminale që ka mbështetës dhe frymëzues personalisht Edi Ramën ka vetëm një zgjidhje: Largimin e menjëhershëm të Ramës, Ministrit të Brendshëm Çuçi si përgjegjësit kryesorë të krimit shtetëror të përsëritur.   Të procedohet Ard Veliu manipulues i disa ngjarjeve shumë të rënda kriminale të policisë së Ramës. Prokuroria duhet të zbardhë tërësisht ngjarjen, jashtë ccdo ndërhyrjeje dhe presioni qeveritar dhe policor. Avokati i Popullit duhet të bëjë sa më parë transparencën e gjithë kësaj ngjarjeje kriminale me pasoja tragjike. Koha nuk pret për të parandaluar vrasje të tjera të qytetarëve nga policia e patronazhistëve të Edi Ramës që atij i duhet vetëm për të vjedhur votat dhe për të dhunuar qytetarët e Shqipërisë. Koha nuk pret për të parandaluar fatkeqësi dhe tragjedi të tjera për familjet shqiptare dhe tronditje të tjera për të gjithë opinionin shoqëror në vendin tonë. Ndaj i bëj thirrje medias dhe shoqërisë civile të monitorojnë hetimin dhe njëkohësisht të ecim të gjithë së bashku në transparencë të plotë deri në ndëshkimin e autorëve të kësaj tragjedie që mban vetëm një emër policia patronazhiste e Edi Ramës.


Lajmi kryesor:

Vdekja e Lear Kurtit, Berisha dhe Meta akuza policisë: I morën shpirtin xhelatë me uniformë! E vrau policia patronazhiste e Ramës


M.Q./r.k./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Një nga ne/ 'Ndenja 16 vite vetëm', prek i moshuari: Ndjeva një boshllëk, më mirë në azil me shokë

Një nga ne/ 'Ndenja 16 vite vetëm', prek i moshuari: Ndjeva një boshllëk, më mirë në azil me shokë