TIRANË- Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë akuzuar policinë për vdekjen e Lear Kurtit, i cili ndërroi jetë pak ditë më parë pasi u shoqërua nga policia, sepse kishte konsumuar një dozë kokainë, nga frika se mos efektivët e kapnin me drogë. Berisha duke ju referuar deklaratave të familjarëve në media, u shpreh se nuk ka asnjë dyshim se Lear Kurtit i morën shpirtin xhelatë të veshur më uniformë dhe pasi i morën shpirtin e dërguan në spital. Sipas Berishës autopsia i është bërë me nxitim dhe pa asnjë prani të familjarëve dhe të avokatëve të tij. Të gjitha këto veprime u shpreh Berisha janë bërë me urdhërin e Edi Ramës dhe Bledi Çuçit. Duke u ndalur tek protesta, Berisha ftoi qytetarët që të vijojnë protestat në mënyrë që krimet mos të përsëriten.

‘Gazetarët kanë bërë investigime, kanë sjellë fakte dhe prova shteruese për mbytjen e Lear Kurtit, të riut 32-vjeçar, nga banditë me uniformë të droguar. ‘O noke, më mbytën’, ishte klithma para se të jepte shpirt, sipas dëshmitarit të pranishëm në vendngjarje dhe mikut të Lear Kurtit.

Investigimet serioze të rrjeteve televizive hodhën poshtë si trillime të turpshme pretendimet e Edi Ramës dhe Çuçit të tij të familjes, hodhën poshtë trillimet, manipulimet dhe inskenimet e një krimineli me uniformë të pashoq në radhët e policisë shqiptare, Ardi Veliu, i cili për të mbrojtur padronët e tij si puthadorë, përdhosi dhe vrau për së dyti Lear Kurtin.

Investigimet e rrjeteve televizive faktuan se mbi Lear Kurtin një bandë prej katër policësh, sigurisht prej tyre të droguar, u vërsulën në rrugë me një egërsi çnjerëzore. Këto filmime faktuan se Ardi Veliu, ky mashtrues i paskrupullt, gënjeu shqiptarët kur deklaroi se Lear Kurti po qëndronte para një objekti, për të krijuar përshtypjen se po përgatitej për një akt delikuent, në një kohë kur ai po ecte i vetmuar, nga kamerat, duke biseduar me mikun apo familjarët e tij.

Nuk ka asnjë dyshim se Leart Kurtit i morën shpirtin xhelatë me uniformë dhe pasi i morën shpirtin e dërguan në spital. I bënë autopsinë pas asnjë prani të familjarëve dhe të avokatëve të tij.

Të gjitha këto u bënë me urdhër të Edi Ramës dhe Bledi Çuçit. Viktima u deklarua i dyshimte për delinkuentë. Me urdhër të Ramës dhe Çuçit Veliu deklaroi se policia e çoi të gjallë në spital. Autopsia u bë në kundërshtim me ligjin. Ftoj qytetarët të vijojnë protestën, në mënyrë që këto krime të mos përsëriten.’- u shpreh Berisha.

Ndërkohë në një konferencë për mediat Ilir Meta tha se Lear Kurti është vrarë nga policia patronazhiste e Edi Ramës, ndërsa u ka bërë thirrjeve organeve hetimore që të vijojnë hetimet. Meta u shpreh se policia tashmë nuk shihet më si një institucion që mbron jetën e qytetarëve. Meta drejtoi gishtin nga kryeministri Edi Rama duke e bërë përgjegjës dhe frymëzues të kësaj situate kriminale. Ai kërkoi largimin e kreut të qeverisë dhe ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi si dhe nisjen e procedimit penal të Ardi Veliut.

Kujtojmë se paraprakisht spitali i Traumës tha se Kurti mbërriti i vdekur, por një foto ku duket 32-vjeçari duke marrë serum apo mbase me trupin e pajetë bëhet ndonjë veprim tjetër u publikua më vonë. Ende janë të paqarta rrethanat e vdekjes së Lear Kurtit. Natën kur Lear Kurti u dërgua në spital nga efektivët, 'Trauma' deklaroi se 32-vjeçari kishte ardhur pa shenja jete. Nga ana tjetër, policia deklaroi që Lear Kurti ndërroi jetë në spital. Hetimet po vijojnë dhe pritet të zbardhet dinamika e ngjarjes, ndërkohë që sipas ekspertizës, Kurti ndërroi jetë pasi gëlltiti qesen me kokainë dhe kaloi në overdozë.

Mbrëmjen e 19 tetorit në lagjen ‘Riza Cuka’ në Tiranë, policia i ka bërë thirrje 32-vjeçarit Lear Kurtit, për të ndaluar, por ky i fundit nuk është bindur dhe është larguar me vrap. Efektivët kanë arritur që ta kapin, dhe më pas e kanë shoqëruar në komisariat. Por në ato moment 32-vjeçari nuk është ndjerë mirë dhe ka ndërruar jetë në komisariat.

Sipas ekspertizës, Lear Kurti, ndërroi jetë nga arresti kardiak që iu shkaktua si pasojë e overdozës, pasi gëlltiti qesen me kokainë, nga frika se mos e kapte policia me drogë. Deri në sqarimin e plotë të vdekjes së 32-vjeçarit në duart e policisë, kryepolici Muhamet Rrumbullaku, i pezulloi nga detyra efektivët që e shoqëruan të riun në komisariat.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:48
Vdekja e 32-vjeçarit Lear Kurti, Meta: Policia nuk shihet si një institucion që të mbron! Ardi Veliu të procedohet penalisht

 

Në një konferencë për mediat Ilir Meta ka akuzuar policinë e Shtetit për vdekjen e të riut Lear Kurti, ndërsa u ka bërë thirrjeve organeve hetimore që të vijojnë hetimet. Meta u shpreh se policia tashmë nuk shihet më si një institucion që mbron jetën e qytetarëve.

Meta drejtoi gishtin nga kryeministri Edi Rama duke e bërë përgjegjës dhe frymëzues të kësaj situate kriminale. Ai kërkoi largimin e kreut të qeverisë dhe ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi si dhe nisjen e procedimit penal të Ardi Veliut.

Deklarata e plotë e kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta

Rastin tronditës të humbjes së jetës së Lear Kurtit, qeveria dhe policia e Ramës po përpiqet ta trajtojë si një ngjarje të zakonshme për të mbuluar një krim flagrant shtetëror. Po tentohet të fshihet e vërteta, ndërsa është ende shumë e fresket në kujtesën e të gjithë shqiptarëve, vrasja makabër e Klodian Rashës dhe mashtrimi i policisë së Ramës dhe Ministrisë së Brendshme. E mbushur me patronazhistë, të frymëzuar dhe të mbështetur politikisht nga arroganca e kryeministrit dhe sjellja dhe qëndrimet e njëjta me të dhe të Ministrit të Brendshëm, policia sot nuk shihet më si një institucion që mbron jetën dhe sigurinë e qytetarëve, por si kërcënim kriminal për ta. Mbi bazën e disa fakteve publike ulëritëse, që rëndojnë edhe më shumë paligjshmërinë ku është zhytur policia e Ramës, natyrshëm shtrohen disa pyetje.

Cila është arsyeja që policia deklaroi që i riu vdiq në spital, ndërkohë që spitali konfirmoi se ka ardhur i vdekur?  Cilët janë arsyet që autopsia u bë para kohës së detyruar me ligj, sepse autopsia është bërë 5 orë pas vdekjes dhe jo 12 orë sipas ligjit? Dhe u bë nga një ekspert i vetëm, ndërkohë që duhej të bëhej nga një grup ekspertësh? U përdor si argument që në trupin e të ndjerit u gjet një qese plastike me kokainë, ndërkohë që për arritjen e konkluzioneve, duhet patjetër të kompletohen të gjitha analizat toksikologjike, për të vërtetuar nëse substanca ishte vërtet kokainë dhe e dyta cila ishte niveli i saj në gjak? 

Duke qenë se vendngjarja ishte jo më larg se 100 metra nga spitali i Traumës, përse nuk u transportua direkt në spital për të marrë ndihmën mjekësore, por u dërgua direkt në komisariat.  Si është e mundur dhe si ka mundësi që është lejuar që edhe në krevatin e spitalit, i shtruar, Lear Kurti ka qenë me pranga në duar?!

Disa pyetje: A kanë pasur kamerat trupi punonjësit e policisë dhe çfarë evidentojnë ato? A kanë funksionuar kamerat në komisariat dhe çfarë evidentojnë ato? A ka pasur komunikim të patrullës me sallën operative dhe a është i regjistruar ky komunikim? Nëse është e vërtetë që i riu ka gëlltitur qesen, përse nuk u pritën analizat toksikologjike për të vërtetuar llojin e lëndës narkotike dhe sasinë e saj në gjak? Pse u ndryshua versioni nga sëmundje zemre në epilepsi e më pas te ‘gëlltitja e qeses’? A ka patur prezencë të përfaqesuesit ligjor të familjes gjatë autopsisë? A është marrë miratimi i familjes për kryerjen e autopsisë? A janë parë kamerat e zonës për veprimet e personit dhe të patrullës? Janë tronditëse dëshmitë e shokut të ngushtë, prezent në vendngjarje dhe nënës së tij, të cilat pasqyrojnë më së miri veprimet barbare dhe të dhunshme të policisë së Ramës. 

Ishte policia e Ramës që shkaktoi vetëvrasjen e 31-vjecarit Ilvi Meta në paraburgimin e Kavajës. Ishte policia e Ramës ajo që vrau 27-vjeçarin Enea Ftoi, babain e tre fëmijëve në Komisariatin e Korçës. Ishin policët e Ramës që i morën jetën vogëlushes Joniada Avdiaj në Himarë. Është policia e Ramës që dhunon të rinjtë e të rejat në protesta të drejta dhe legjitime, i dhunojnë me policë të maskuar me xhupa dhe kapuç të zinj, që sillen si kriminelë dhe që nuk kursejnë as gazetarët me dhunën e tyre në prani të kamerave. Kjo situatë kriminale që ka mbështetës dhe frymëzues personalisht Edi Ramën ka vetëm një zgjidhje: Largimin e menjëhershëm të Ramës, Ministrit të Brendshëm Çuçi si përgjegjësit kryesorë të krimit shtetëror të përsëritur.   Të procedohet Ard Veliu manipulues i disa ngjarjeve shumë të rënda kriminale të policisë së Ramës. Prokuroria duhet të zbardhë tërësisht ngjarjen, jashtë ccdo ndërhyrjeje dhe presioni qeveritar dhe policor. Avokati i Popullit duhet të bëjë sa më parë transparencën e gjithë kësaj ngjarjeje kriminale me pasoja tragjike. Koha nuk pret për të parandaluar vrasje të tjera të qytetarëve nga policia e patronazhistëve të Edi Ramës që atij i duhet vetëm për të vjedhur votat dhe për të dhunuar qytetarët e Shqipërisë. Koha nuk pret për të parandaluar fatkeqësi dhe tragjedi të tjera për familjet shqiptare dhe tronditje të tjera për të gjithë opinionin shoqëror në vendin tonë. Ndaj i bëj thirrje medias dhe shoqërisë civile të monitorojnë hetimin dhe njëkohësisht të ecim të gjithë së bashku në transparencë të plotë deri në ndëshkimin e autorëve të kësaj tragjedie që mban vetëm një emër policia patronazhiste e Edi Ramës.