Franco Baresi, ish-kapiteni legjendar i Milanit dhe nënkryetar nderit i klubit kuqezi, është ndarë sot nga jeta në moshën 66-vjeçare.
"I konsideruar gjerësisht si një nga mbrojtësit më të mëdhenj në historinë e futbollit, Baresi revolucionarizoi rolin e mbrojtësit, duke udhëhequr me autoritet prapavijën e pathyeshme të Milanit gjatë një prej periudhave më të suksesshme në historinë e klubit, si në Itali ashtu edhe në Evropë", shkruan UEFA.
Gjatë gjithë karrierës së tij si futbollist, Baresi veshi vetëm fanellën e Milanit. Ai mbajti shiritin e kapitenit për 15 sezone, duke fituar 3 Kupa të Kampioneve / UEFA Champions League, 2 Superkupa të Evropës, 6 tituj kampionë të Serie A, 4 Kupa të Italisë dhe 2 Kupa Ndërkontinentale.
"E gjithë historia e Milanit është në lot pas ndarjes nga jeta të Franco Baresit," thuhet në deklaratën zyrtare të klubit. "Shembulli, integriteti dhe përkushtimi i tij do të mbeten përgjithmonë të gdhendur në ADN-në e klubit, ashtu si edhe fanella e tij ikonike me numrin 6. Në këtë moment të vështirë, AC Milani i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Baresi, një dhimbje që ndihet si e përbashkët nga çdo zemër kuqezi."
Në nivel ndërkombëtar, Baresi shënoi një gol në 81 ndeshje me kombëtaren e Italisë. Ai ishte pjesë e skuadrës në Euro 1980 dhe Euro 1988, ndërsa në vitin 1982 u shpall kampion bote me Italinë. Më vonë u bë kapiten i "Azzurrëve", duke i udhëhequr deri në finalen e Kupës së Botës 1994.
Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), Giovanni Malago, deklaroi:
"Futbolli italian humbet një nga legjendat e tij, një kampion të jashtëzakonshëm që gjatë gjithë karrierës së tij veshi vetëm dy fanella, atë të Milanit dhe atë të kombëtares italiane. Do ta nderojmë ashtu siç e meriton në ndeshjet e ardhshme të kombëtares, ndaj së cilës ai tregoi gjithmonë një dashuri dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, duke u bërë një nga simbolet më të lavdishme të futbollit italian."
Lajmi kryesor:
Lamtumirë Franco Baresi! Mbrojtësi kampion që bëri histori me Milanin ndahet nga jeta në moshën 66-vjeçare






