Gjykata e Lartë la në fuqi dënimin për mjekët Elona Burba dhe Petrit Rexhepi, të shpallur fajtorë për mjekim të pakujdesshëm, lidhur me vdekjen e Dorjana Hakës, bashkëshortes së ish-portierit Alban Hoxha. Gjykata vendosi mospranimin e rekursit të paraqitur nga mjekja Elona Burba, duke vlerësuar se vendimi i Gjykatës së Apelit nuk përmban shkelje të ligjit material apo procedural dhe se përgjegjësia penale e saj është provuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm.
Elona Burba u dënua me 1 vit burg, dënim i konvertuar në 2 vite shërbim prove, ndërsa për dy vite iu hoq e drejta e ushtrimit të profesionit. Ndërsa mjeku Petrit Rexhepi u dënua me 6 muaj burg, i konvertuar në 1 vit shërbim prove. Çështja lidhet me vdekjen e Dorjana Hakës, e cila më 4 nëntor 2014 u shtrua në maternitetin “Koço Gliozheni” për një lindje të planifikuar me operacion. Sipas të dhënave të administruara gjatë fazës së hetimit, ndërhyrja fillimisht u konsiderua e suksesshme dhe nëna bashkë me foshnjën rezultonin në gjendje të mirë. Gjendja e saj u përkeqësua disa ditë më vonë. Ajo u dërgua fillimisht në reanimacion dhe më pas, në gjendje kritike, u transferua në spitale të tjera në Tiranë. Pas rreth 15 ditësh e shtruar në Spitalin nr. 5, Haka ndërroi jetë.
Sipas ekspertizave mjeko-ligjore, gjendja shëndetësore u përkeqësua si pasojë e një tromboze cerebrale, pra krijimit të një mpiksjeje gjaku në enët e trurit. Ekspertiza përcakton se vdekja erdhi si pasojë e arrestit kardiak, të shkaktuar nga tromboza e venave të trurit dhe ënjtja e trurit. Ndërkohë, ekspertët evidentuan edhe një pikë që lidhet me përgjegjësinë e mjekëve. Sipas tyre, para ndërhyrjes kirurgjikale nuk u kryen analizat INR dhe APTT, të cilat kontrollojnë nëse gjaku mpikset normalisht. Mungesa e këtyre analizave përpara operacionit është një nga elementet kryesore të evidentuara në ekspertizë lidhur me përgjegjësinë e personelit mjekësor. Gjykata e Apelit, bazuar në ekspertizën mjeko-ligjore, vlerësoi se këto analiza ishin të detyrueshme sipas protokollit mjekësor në fuqi në atë kohë.
Sipas ekspertëve, shtatzënia dhe lindja me operacion përbëjnë faktorë rreziku për trombozë dhe kryerja e analizave të koagulimit shërbente për të përcaktuar masat që duhej të merreshin për parandalimin e saj. Gjykata konstatoi gjithashtu se ilaçi që pengon mpiksjen e gjakut, i dhënë pas operacionit, ishte bërë me vonesë.
Në vendim, Gjykata e Lartë vlerëson se Gjykata e Apelit i ka analizuar provat në tërësi dhe se ato janë të mjaftueshme për të provuar përgjegjësinë penale të Elona Burbës. Gjykata rrëzon edhe pretendimin se mungesa e autopsisë e bën të pamundur përcaktimin e shkakut të vdekjes.
Sipas ekspertizës së administruar në proces, shkaku kryesor ishte tromboza e venave cerebrale, komplikacion të cilin gjykatat kanë vlerësuar se mund të parandalohej nëse do të ndiqej protokolli mjekësor dhe do të kryheshin analizat e kërkuara përpara operacionit. Për Gjykatën e Lartë, fakti që ndërhyrja kirurgjikale ishte e planifikuar i jepte stafit mjekësor kohën e nevojshme për të verifikuar nëse ishin kryer të gjitha analizat dhe ekzaminimet e parashikuara. Në përfundim, Kolegji ka vlerësuar se rekursi i Elona Burbës nuk ishte i bazuar dhe lë në fuqi vendimin e gjykatave më të ulëta, duke e bërë përfundimtar dënimin për dy mjekët për mjekim të pakujdesshëm.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë









Komente
Komento