TIRANË- Një grua është vrarë me thikë nga bashkëshorti i saj në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në një kompleks banimi pas shkollës “Harry Fultz”, ndërsa në banesë kanë qenë edhe dy nipërit e saj të mitur, njëri 14 vjeç.
Gruaja Lumturie Patushi, 58 vjeçe, është transportuar me urgjencë në spital, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve. Bashkëshorti Hysni Patushi, 69 vjeç, është larguar nga vendngjarja dhe është shpallur në kërkim nga policia. Ai dyshohet se në momentin e krimit ka qenë i dehur.
Sipas të dhënave paraprake, dy bashkëshortët kanë pasur probleme edhe më herët. Në momentin e ngjarjes, përveç dy nipërve, në banesë ka qenë dhëndri i çiftit, i cili jetonte në shtëpinë e vjehrrve. Ai është shoqëruar në polici dhe po merret në pyetje.
"Rreth orës 10:20, në rrugën “Panorama”, dyshohet se, pas një konflikti në banesë, shtetasi H. P., 68 vjeç, ka goditur me mjet prerës bashkëshorten e tij, shtetasen L. P., 58 vjeçe, e cila ka humbur jetën. Autori i dyshuar, shtetasi H. P., 68 vjeç, është larguar nga vendngjarja. Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes", njofton Policia.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të krimit.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Lajmi në përditësim...










Komente
Komento