TIRANE-  Vetëm pas 10 ditësh mund të kemi një përgjigje rreth shkaqeve reale te vdekjes në Tiranë të 27 vjecarit italian Luca Olivotto. Lajmi u bë i ditur nga Besim Ymaj në një intervistë të dhënë për shqiptarja.com. Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ymaj ka shpjeguar procedurat e ndjekura dhe fazën se ku ndodhet autopsia e shtetasit Italin, duke shtuar se këto rezultate do ti bëhen të ditura prokurorisë. Luca Olivotto ndërroi jetë më 18 tetor në Shqipëri, pasi ai kishte ardhur për tu kuruar duke besuar kurën e mjekut italian Tulio Simoncini, mjek i cili në Itali është pa të drejtën e ushtrimit të profesionit që prej vitit 2003.

Familjarët e Luca Olivottos, kanë hedhur dyshime për autopsinë si qëndron e vërteta?

Në fakt për cdo autopsi që kryhet ka një procedurë ligjore, duke përfshirë këtu dhe autopsinë për shtetas të huaj. Ne si mjekësi ligjore kur vjen një kufomë kemi për detyrë të kontaktojmë një familjarë apo një nga përfaqësuesit e një shteti kur viktima është shtetas i huaj. Për këtë rast kemi zbatur cdo procedurë duke kontaktuar familjarët. Ata kanë qenë prezent në momentin e nisjes së autopsisë dhe kanë kërkuar të marrë pjesë dhe një mejk ligjor italian. Pasi jemi njohur me ketë kërkesë ja kemi ëprcjell prokurorisë dhe ky organ vendosi pranimin e këtij mjeku në nisjen e autopsisë. Pra në autopsinë e Lucas, kanë qenë prezent Familjarët, mjeku ligjor italian si dhe grupi hetimor.

z.Ymaj në çfarë faze ndodhet autopsia e Luca Olivottos?

Aktualisht ne kemi nisur autopsinë e shtetasit italian dhe në këtë fazë kemi konstatuar që në trupin e të ndjerit ka një masë tumorale e cila ndodhet në kokë. Për sa i përket raportit mjeko ligjor, ai kërkon 3 javë kohë dhe besojmë se brënda 10 ditësh pasi autopsia ka nisur para disa ditësh nga momenti që po flasim, do të kemi rezultate. Për të përmbyllur raportin mjeko ligjor duhet të realizohen dhe analizat toksikologjike dhe hispatologjike, të cilat ne jemi duke i kryer aktualisht. Pas përfundimit të këtyre proceseve, ne do të kemi një përgjigje të plotë se pse ka ndërruar jetë Luca dhe nëse ka patur një mjekim të gabuar ndaj këtij pacienti.

Ka patur nga familjarët e 27 vjecarit dhe një dyshim për marrjen e provave, si kateteri dhe valvola, çfarë mund të na thoni për këto prova?

Jam njohur me intervistën e babait të Lucas, dhe dua të saktësoj se provat e marra nga trupi i viktimës ndodhet në Institutin Mjeko Ligjor dhe asnjë provë s'mund të zhduket apo të humbas, për aq kohë sa cdo veprim është kryer në prani të grupit hetimor. Kateteri, valvola, dy prova këto të marra në trupin e kufomës ndodhet në bankon e punës së analizave që ne po kryejmë. Në kontaktet që ne kemi patur në momentin që familjarët ishin prezent kemi marrë dhe falenderimin e tyre për punën e kryer. S'do doja të komentoja dyshimet, por ajo çka mund tju konfirmoj është se po kryhet një autopsi e plotë, duke respektuar procedurat ligjore dhe shumë shpejt do të kemi dhe përgjigjet e pikpyetjeve të ngritura.
(sg/shqiptarja.com)