Tavo tha se Simoncini është i pajisur me dokumentacion të rregull. Ai ka marrë lejen nga Urdhri i Mjekut Shqiptar, pasi konvertoi diplomën.
Ndërkaq, në lidhje me spitalin ku italiani mori kurim, ministri i Shëndetësisë tha se spitali është pajisur me leje në vitin 2009. “Ministria e Shëndetësisë është autoriteti që kontrollon funksionimin e spitalit dhe jo vetëm cilësinë e shërbimit nga ana etike, por edhe profesionale. Mjeku ka pasur dokumente të rregullta, ka qenë në Shqipëri dhe pas konvertimit të diplomës ka marrë lejen nga Urdhri i Mjekut Shqiptar”, tha Tavo për Tv A1 Report.
I pyetur nga gazetari Arsen Rusta, në lidhje me rastin e vdekjes së 27-vjeçarit dhe kurës që ai merrte nga mjeku italian në klinikën shqiptare, Tavo nuk komentoi duke ia lënë këtë çështje rezultateve hetimore të prokurorisë shqiptare e cila po bashkëpunon me atë italiane.
27-vjeçari ndërroi jetë më 18 tetor të këtij viti, pasi për sëmundjen e kancerit ai mori si kurim nëpërmjet injeksionit sodë buke nga mjeku italian Tullio Simoncini . Trajtimi në klinikë kushtoi 389 mijë euro, ndërsa vdekja e tij është denoncuar nga vetë të afërmit.
(Gre.M/Shqiptarja.com)