TIRANE - Vdekja misterioze e italianit Luca Olivoto më 18 tetor në kryeqytetin shqiptar, pasi kreu ndërhyrje kirurgjikale pranë klinikës private “Universal Hospital Tirana”, pritet të zbardhet një muaj pas vdekjes.

Të hënën e javës që vjen mjekësia ligjore do të ketë përgjigjen zyrtare të analizave. Këto analiza do të përmbajnë përgjigjet toksikologjike dhe hispatologjike të mostrave të marra në trupin e Lucas nga ku do të zbardhet dhe shkaku ligjor i vdekjes.

Vdekja e Lucas është ende një çështje në hetim për drejtësinë shqiptare dhe përgjigja e raportit mjeko-ligjor, e cila del një muaj pas vdekjes, pritet të jetë një pikë kyçe e hetimeve.

Burime pranë prokurorisë i konfirmuan A1Report se dosja në ngarkim të mjekut italian Tullio Simoncini,  i është kaluar oficerëve të policisë në drejtorinë e Tiranës për tu plotësuar me fakte dhe dëshmi. Ai aplikoi sodë buke në trupin e Lucës për t’i shëruar sëmundjen e kancerit.

Pyetjet, nëse ishte mjekimi i gabuar me sodë buke, gjendja e rënduar shëndetësore e tij, apo pakujdesia e mjekut italian, që shkaktoi vdekjen e Luca OIivotos do të marrin përgjigje në fillim të javës së ardhshme.

Autopsia e Lucas u krye 2 ditë pas vdekjes së tij në prani të ekspertëve, të afërmve dhe një mjeku italian të caktuar nga familjarët e tij.

Pas marrjes së mostrave u vendos që të kryheshin dhe analizat e plota, rezultatet e të cilave në përfundim do t’i dërgohen prokurorisë së Tiranës.

Tulio Simoncini u akuzua publikisht nga prindërit e Luca Olivotots si përgjegjësi për vdekjen e djalit të tyre. Ai është person në hetim për drejtësinë shqiptare dhe për të është marra masa e bllokimit të pasaportës nga autoritetet shtetërore shqiptare.
Redaksia online
(Gre.M/sg/Shqiptarja.com)