Vdekja e Mandelës, Nishani: Iku
një prej udhëheqësve më të mëdhenj

Vdekja e Mandelës, Nishani: Iku<br />një prej udhëheqësve më të mëdhenj
TIRANË - Pas ndarjes nga jeta i Nelson Mandelës, reagime kanë ardhur edhe nga Shqipëria. Presidenti Bujar Nishani, kryeministri Edi Rama, kanë lëshuar nga një deklaratë për ndarjen nga jeta të Nelson Mandelës, ish-Presidentit të Republikës së Afrikës së Jugut. Gjithashtu një shënim në profilin e tij në Facebook ka lënë edhe ish-kryeministri Sali Berisha.
 
ORA 14:50 RAMA: BOTA HUMBI NJË NJERI TË MADH
Kryeministri Edi Rama, mesazh ngushëllimi për vdekjen e Nelson Mandelës. Ai shkruan se, “miliona njerëz në botë kanë humbur një njeri të madh. Sot bota humbi njeriun e sakrificës së pafund për ideale dhe për ideale dhe vlera të patjetërsueshme”. “Modeli i Nelson Mandelës do të na frymëzojë parreshtur dhe inkurajojë në vazhdimesi miliona njerëz në botë për një jetë më të drejtë”, thuhet në mesazhin e kryeministrit Edi Rama, pas vdekjen së Nelson Mandelës.

DEKLARATA E PRESIDENTIT BUJAR NISHANI
“U hidhërova pa masë, kur mësova lajmin se Nelson Mandela ndërroi jetë. Me këtë humbje, njerëzimi i jep lamtumirën njërit prej udhëheqësve më të shquar moralë dhe ikonës së qëndrueshmërisë dhe luftës për drejtësi dhe dinjitet njerëzor. Zoti Mandela nuk u gjunjëzua në betejën  e Tij kundër aparteidit as nga 27 vjet heqje lirie.

 “Vitet e gjata të vuajtjes nuk e ligështuan Mandelën dhe nuk e vranë shpirtin e Tij. Përkundrazi, e mbushën me dëshirë për pajtim dhe mirëkuptim mes njerëzve. Ai dhe ëndrra e Tij dolën fitimtarë. Largpamësia dhe zemërgjerësia e tij e shpëtuan popullin Jugafrikan nga vuajtjet dhe mundimet.

“Nelson Mandela, me vrapimin e Tij të pandalshëm drejt lirisë, i ka lënë njerëzimit si trashëgimi me vlerë të pamasë dhe të përjetshme, modelin e transformimit të epokës dhe jetës me mirësi dhe urtësi.

 “Në emrin tim dhe të popullit shqiptar, i përcjell ngushëllimet tona të thella bashkëshortes Graça Machel, të gjithë familjes dhe popullit të Afrikës së Jugut. Ne shqiptarët i bashkohemi popullit jugafrikan dhe mbarë botës në këtë hidhërim”, thuhet në deklaratën e Presidentit, Bujar Nishani.
 
BASHA: MANDELA NA FRYMËZOI PËR NJË BOTË MË TË MIRË
Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka bërë një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Nelson Mandelës: “Ndarja nga jeta e Nelson Mandelës, simbolit te përpjekjeve për liri dinjitetit njerëzor dhe barazi është një humbje e madhe për gjithë njerëzimin.

Nëpërmjet vullnetit të papërkulshëm për të sakrifikuar lirinë e tij për lirinë e të tjerëve, Nelson Mandela ndryshoi kursin e historisë në vendin e tij dhe frymëzoi miliona njerëz dhe liderë të përpiqen për një botë më të mirë dhe më të drejtë.

Mandela besoi, jetoi dhe luftoi për një ideal të lartë, idealin e një shoqërie të lirë e demokratike, pa diskriminim dhe ku të gjithë qytetarët, pa dallim race apo statusi social, gëzojnë mundësi të barabarta dhe jetojnë së bashku në harmoni.

Ndjekja, persekutimi, burgosja e izolimi nuk e mposhtën shpirtin e tij luftarak dhe as zvetënuan dot kauzën e tij, e cila pushtoi zemrat e mbarë njerëzimit dhe e vendosi Mandelën ne  altarin e  pavdekësisë për mësimin e madh të faljes dhe pajtimit shoqëror, të  dashurisë e përkushtimit ndaj njerëzve të thjeshtë, të bashkëjetesës në harmoni e barazi të të gjithë njerëzve e popujve.

Në emër të Partisë Demokratike i shpreh ngushëllimet më të sinqerta kombit afrikano-jugor për humbjen e birit dhe udhëheqësit më të shquar të tij. Sot, në bashkojmë lutjet tona me ato të çdo qytetari të kombit afrikanojugor dhe të çdo ithtari të lirisë anembanë planetit, që shpirti i këtij njeriu të madh të prehet në paqen e amshuar”, thuhet në mesazhin e Bashës.

SHËNIMI I BERISHËS NË FACEBOOK
“Vdiq Mandela! Kombi i tij por dhe mbarë njerëzimi humbën ikonën e qëndresës njerëzore, luftëtarin më të madh të lirisë dhe dinjitetit njerëzor dhe kombëtar të kohës sonë.
Dhimbje dhe pikëllim në zemrat e qytetarëve të Afrikës së Jugut por dhe njerëzve liridashes në mbarë botën.

Le të lutemi të dashur miq që kujtimi i pavdekshëm i Presidentit Mandela të frymëzojë njerëzit në luftën e tyre për liri dhe shpirti i tij të gjejë paqen e merituar!”, shkruan Berisha në Facebook.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit