LAÇ-Gjykata ka lënë në burg dy nga tre personat që qëlluan me armë zjarri në natën e ndërrimit të viteve, kur humbi jetën edhe 16-vjeçari Klejdi Gjeta. Alban Lika, Ernis Lika janë lënë në burg, ndërsa Arbër Lika në arrest shtëpie.

Ata akuzohen për “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit“ dhe “Prishja e qetësisë publike”, pasi ende nuk është vërtetuar nëse 16-vjeçari që humbi jetën në Sanxhak është goditur nga plumbi i armës më të cilën kanë qëlluar tre kushërinjtë Lika.

 

Tre  të rinjtë kanë qëlluar me kallashnikov natën e ndërrimit të viteve në zonën e Sanxhakut në Laç. Por pikërisht në zonën e Sanxhakut në Laç, natën e ndërrimit të viteve vdiq edhe 16-vjeçari Klejdi Gjeta. Ai kur po hidhte fishekzjarrë në tarracën e shtëpisë, është goditur nga një plumb qorr.

Prokuroria ka dyshime se njëri nga plumbat që është qëlluar në ajër nga 3 të rinjtë ka goditur aksidentalisht edhe 16-vjeçarin Klejdi Gjeta. Të rinjtë kanë pranuar se kanë qëlluar në ajër, por nuk kanë treguar se ku e kanë fshehur armën.

E ndërsa në gjykatë po jepeshin vendimet, jashtë ambienteve familjarët e tre të rinjve kanë akuzuar gazetarët dhe policinë se i kanë fajësuar pa të drejtë për ngjarjen.

Sipas tyre tre të rinjtë kanë qenë duke festuar natën e ndërrimit të viteve dhe nuk kanë asnjë lidhje me vdekjen e të riut Gjeta. Policia ka qenë vetëm pak metra larg, por nuk ka ndërhyrë në momentin që familjarët kanë akuzuar gazetarët me tone të larta.

d.b/shqiptarja.com