Aktori i Batman-it, Robert Pattinson, është konfirmuar si James Bond-i i ri.

Llogaria zyrtare e 007 në Instagram ka publikuar një video misterioze, në të cilën shkruhet: “Identiteti u konfirmua.”

Videoja që konfirmon Robert Pattinson në rolin e James Bond-it e shfaq aktorin anglez me një armë në dorë, i veshur me smoking.

“James Bond do të rikthehet”, thuhet në të.

Në një deklaratë, Pattinson shprehet:

“James Bond është një nga personazhet më legjendarë në historinë e kinemasë dhe të më besohet roli i agjentit 007 është nderi i jetës sime. Jam thellësisht mirënjohës ndaj Denis, Amy, David, Tanya dhe të gjithë ekipit të Amazon MGM Studios për besimin që kanë treguar tek unë. Të them se ky rol është një ëndërr e bërë realitet do të ishte pak të thuhej. Nuk mund të isha më i emocionuar për këtë bashkëpunim dhe për punën që na pret me këtë ekip fantastik.”

Regjisori i filmit, Denis Villeneuve, ka falënderuar aktorët që ishin pjesë e audicioneve, duke theksuar se “vetëm njëri mund të jetë agjenti 007.”

“Jam jashtëzakonisht i lumtur të mirëpres Robert Pattinson si James Bond-in tonë të ri. Ai ka shpirtin e përjetshëm të agjentit 007 dhe sjell një frymë krejtësisht të re. Mezi pres të fillojmë punën”, u shpreh regjisori.

Emërimi i Pattinson vjen pas një periudhe që shënon ndërprerjen më të gjatë në historinë e filmave 007 dhe i jep fund viteve të tëra spekulimesh intensive se kush do ta trashëgonte këtë rol pas Daniel Craig.

Kjo ndodh pesë vjet pas filmit të vitit 2021, "No Time to Die", i pari në historinë 64-vjeçare të Bondit në ekranin e madh që përfundoi me vdekjen e personazhit.

Role të tjera të spikatura të Pattinson kanë qenë ato në filmat "Twilight", "Batman" dhe "Oddyssey".