Një foto ku duket trupi i pajetë i Doku Umarov, i njohur si Bin Laden i Rusisë, duket se shuan dyshimet e të gjithë atyre që nuk e besonin që ai ishte vrarë. Fotoja e tij është publikuar në rrjetin social Instagram nga kreu i Republikës së Çeçenisë dhe poshtë fotos shkruhet se tani të gjithë duhet të besojnë se ky “mi”, siç ai e cilëson, ka vdekur.

Umarov është një nga armiqtë më të kërkuar të Putin, i akuzuar për terrorizëm, rrëmbim, vrasje dhe tradhëti. 

Ai mendohet se është përgjegjës për një seri sulmesh vdekjeprurëse si sulmi në tren në Moskë, sulmi mbi digë në Siberi, sulmi në metronë e Moskës në 2010-tën dhe sulmi në aeroportin e Domodedovo, ku kanë gjetur vdekjen me shumë se 200 persona.

Umarov ishte deklaruar i vdekur gjashtë herë të tjera, para se rusët të deklaronin vrasjen e tij në prill. Ata nuk dhanë asnjë provë në atë kohë, dhe nuk dihet përse kreu i Republikës së Çeçenisë vendosi ta publikojë atë në një kohë kur gjithë vëmendja e botës është në Rusi pas goditjes së avionit Malajzian në lindje të Ukrainës.

Doku Umarov
(Në foto: Doku Umarov, i njohur si Bin Laden i Rusisë)

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)