Ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur akuza në drejtim të kreut të qeverisë Edi Rama, në lidhje me vdekjen e Enver Sheshit i arrestuar për aferën e inceneratorëve. Sipas Berishës, Enver Sheshi kishte vendosur që të fliste, por Rama vendosi që ta dërgonte në botën tjetër këtë dëshmitar të rrezikshëm.

‘Zhvillimet e ditëve të fundit faktojnë përfundimisht se ky është shteti i mafies, qeveria është mafia e shtetit. Jam këtu për të denoncuar edhe njëherë, errësirën me të cilën qeveria përpiqet të mbulojë vdekjen e të ndjerit Enver Sheshi, arrestuar për aferën e inceneratorëve. Menjëherë pas komunikatës zyrtare, e cila ngjallte më shumë dyshime se sqarime, një breshëri mesazhesh nga qytetarët vërshuan, të cilët shprehnin dyshime dhe bindje se i ndjeri Enver Sheshi është viktimë e mafies qeveritare të djegësave. Këto të dhëna, këto informata shtonin se Enver Sheshi, i arrestuar për një skemë të devijimit të parave të djegësve, kishte vendosur të fliste. Dhe pas kësaj, xhelati mafioz i kësaj afere të tmerrshme, e cila ka për kokë direkt, Edi Ramën, gjeti mënyrën sipas këtyre burimeve, ta çojë në botën tjetër, dëshmitarin e rrezikshëm.’- tha Sali Berisha.

Sipas Sali Berishës, Komuniteti Shqiptar i Helsinkut nuk u lejua që të hetojë në lidhje me vdekjen e Enver Sheshit. Nga selia blu, drejtuesi i ‘Foltores’ në PD, tha se Enver Sheshi dinte të fshehta e u bë një bllokim total i hetimit nga shoqëria civile për vdekjen e tij.

‘Pra, Enver Sheshi dinte shumë të fshehta. Kishte dëgjuar shumë. Veprimet i kishte kryer me garanci të madhe për mbrojtje. Nuk jam këtu për të bërë nekropolitikë, jo! Por, në çdo rast, vdekje në rrethana të dyshimta, akti i parë me ligje kombëtare dhe ndërkombëtare, është transparenca e plotë për të gjithë ndodhitë. Çfarë ndodhi me Enver Sheshin? Bllokim total i një hetimi nga shoqëria civile. Komiteti Shqiptar i Helsinkit, i sinjalizuar për dyshimet e forta për vdekjen e Sheshit, dërgoi vëzhguesit e pavarur në institucionet përkatëse. Vëzhguesit e pavarur, gjetën në çdo institucion që trokitën, bllokim, mashtrim. Ata konstatuan se drejtori i burgut 313 nuk pranoi t’i lejonte ata të njiheshin dhe të merrnin të dhënat më elementare, madje as të këqyrin qelinë ku i ndjeri Enver Sheshi. Nuk u lejuan të takojnë asnjë gardian, asnjë punonjës të burgut, as ata që vuanin dënimin së bashku me të. Komiteti i Helsinkit gjeti të njëjtën situatë në Prokurorinë e Tiranës dhe Policinë e Shtetit.’- u shpreh Sali Berisha.

Enver Sheshi 59-vjeçari i cili ishte arrestuar për inceneratorin e Fierit ndërroi jetë në urgjencën e spitalit të QSUT. Dyshohet se 59-vjeçari vdiq nga arresti kardiak. Sheshi, ndodhej në burgun 313 dhe mendohet se si pasojë e infarktit, ndërroi jetë një orë pasi mbërriti në urgjencën e QSUT.  Enver Sheshi bëri disa herë kërkesë në Gjykatën e Posaçme në mënyrë që t’i ndryshohej masa e sigurisë ‘arrest me burg’ por nuk u pranua. Sheshi ishte i akuzuar si pjesë e dosjes së inceneratorit të Fierit ndërsa më herët ishte dënuar një herë për evazion fiskal për të njëjtën çështje. Për këtë arsye, avokatja e tij Edlira Kapllani ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë për shkak se 59-vjeçari ishte dënuar më herët për të njëjtën çështje. Ndërsa familjarët e tij pretendojnë se ky i fundit ka bërë ankimimin për masën e sigurisë nga Apeli për shkak të gjendjes së tij të rënduar shëndetësore. Familjarët e Sheshit janë shprehur se do të kallëzojnë prokurorët dhe gjyqtarët për veprën penale, ‘Vrasje me Dashje.’

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:34
Instalimi i 21 kamerave të sigurisë në Shkodër, Berisha: Dëshmia flagrante se na sundon mafia! Kudo jemi të filmuar

 

Vendosja e21 kamerave të sigurisë në Shkodër, sipas Sali Berishës është dëshmi se qyteti është nën sundimin e mafies. Sipas Berishës, një sistem kamerash të specializuara nga organizatat kriminale, ka edhe në Vlorë, Elbasan e në Korçë, kudo jeni të filmuar.

‘Mafia është ajo që sundon kudo. Krimi është ai që vendos. Ai ka bajlozët e tij, të përfaqësuar me Edi Ramën në qeveri. Krimi ka përfaqësues në parlament me Ballën e Gjiknurin. Krimi ka përfaqësues Erion Veliajn në Bashkinë e Tiranës.

Krimi vendos kudo. Njëlloj si në narko-shtetet më të konsoliduara në histori, në Amerikën Latine, rrugët, sheshet e qyteteve tona janë të vendosura tërësisht, në çdo metër katror në kontrollin e syrit të ciklopit.  Kamerat e vendosura nga organizatat kriminale, të cilat bashkëpunojnë ngushtë me segmentet e tyre në polici dhe institucionet e tjera.

Vendosja e Shkodrës në një sistem kamerash të specializuara nga organizatat kriminale, është dëshmia më flagrante e gjithë fuqisë së mafias në këtë vend. Mendoni ju se është vetëm Shkodra? Absolutisht jo. Është çdo pjesë e këtij territori. Shkoni në Vlorë, nisuni në Elbasan, në Korçë, kudo jeni të filmuar.’- tha Berisha.