KINE - Ndërron jetë personi i cili mund të konsiderohet në mënyrë të tërthortë përgjegjës për prishjen e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Kinës. Bëhet fjalë për tre herë kampionin e botës në ping-pong Zhuang Zedong, i cili në histori është futur mbi të gjitha si njeriu i zbutjes së tensioneve Kinë-Amerikë. Një gjest i tij shënoi në fakt afrimin diplomatik mes Washingtonit dhe Pekinit në vitet '70, në kohën e Mao Ce Dunit dhe Richard Niksonit.

Gjithçka ndodhi rastësisht, kur në vitin 1971 kampioni amerikan Glen Cowan humbi autobusin e skuadrës në qytetin Nagoya në Japoni dhe pranoi që të udhëtonte me autobusin e rivalëve kinezë. Zhuang i dhuroi sportistit amerikan një pikturë të shoqëruar me një deklaratë diplomatike.

“Pavarësisht se qeveria amerikane nuk është mike e Kinës, amerikanët janë miq të kinezëve”, ishte dedikimi i Zhuangut. Mao Ce Duni përfitoi duke e quajtur Zhuangun jo vetëm një lojtar të mirë ping-pongu, por edhe një diplomat të shkëlqyer dhe ftoi skuadrën amerikane të ping-pongut, në Pekin. Vitin pasues, për herë të parë presidenti amerikan Nikson vizitoi Kinën Komuniste.

Por, duket se një gjë e tillë nuk i ka ardhur për shtat Shqipërisë, e cila në ato kohë kishte marrëdhënie të shkëlqyera me Kinën. Pasi kjo e fundit u afrua me Amerikën nis edhe “krisja” e marrëdhënieve tona me kinezët. Do të kalonin vetëm kohë dhe Shqipëria dhe Kina i shkëputën tërësisht marrëdhëniet me njëra-tjetrën. Dhe, duket se zanafilla e këtyre problem ka qenë pikërisht mbreti i ping-pongut Zhuang Zedong, i cili ka ndërruar jetë sot në moshën 73-vjeçare në Kinë.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)