BOSTON-Ndahet nga jeta pas një sëmundje të rëndë në moshën 49 vjecare ish anëtarja e
e Gjykatës së Lartë Znj. Irma Bala (Hebovija). Irma Bala vdiq dje paradite në Boston të SHBA.
Nëpërmjet një mesazhi, Trupa Gjyqësore dhe të gjithë punonjësit e Gjykatës së Lartë i kanë shprehur ngushëllime familjes.
“Ndarja e parakohshme nga jeta e njeriut tuaj më të dashur na ka pikëlluar thellë dhe duke qëndruar pranë jush në këto ditë dhimbje. Humbja e koleges dhe mikes sonë Irma është e pazëvendësushme, pasi familja ka humbur njeriun e saj më të dashur, ne kemi humbur miken tonë të shtrenjtë dhe drejtësia shqiptare juristen dhe gjyqtaren e shquar”.

Znj. Irma Bala ka lindur më 19 Maj 1963 në Shkodër. Është diplomuar për Drejtësi në Universitetin e Tiranës në vitin 1985 dhe ka marrë titullin Master për Shkenca Juridike pranë këtij fakulteti. Znj. Bala ka punuar si Hetuese pranë Zyrës së Hetuesisë në Shkodër në periudhën 1985-1988. Nga viti 1988 deri në vitin 1994 ka ushtruar funksionin e Gjyqtares pranë Gjykatës së Rrethit Shkodër. Në periudhën 1994-2001 ka punuar si Këshilltare Ligjore pranë Gjykatës së Lartë. Gjithashtu, ajo ka punuar si pedagoge e jashtme pranë Fakultetit të Drejtësisë nga 1994-2000 dhe ka kryer disa kualifikime pas-univesitare në Programe për të Drejtat e Njeriut dhe Ligjin brenda dhe jashtë vendit.

Me dekretin nr.2962, datë 9 Prill 2001, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë Znj. Irma Bala (Hebovija) u emërua anëtare e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë.