Ndërron jetë në moshën 95-vjeçare Benedikti i XVI, Papa i dorëhequr në 2013-n, i pari drejtues i Kishës Katolike i larguar vetë pas 600 vitesh

Papa Benedikti XVI ka ndërruar jetë në rezidencën e tij në Vatikan, në moshën 95-vjeçare, pothuajse një dekadë pasi dha dorëheqjen nga pushteti për shkak të shëndetit të tij të dobët. Ai drejtoi Kishën Katolike për më pak se 8 vjet. Në vitin 2013, ai u bë Papa i parë që dha dorëheqjen pas 6 shekujsh që nga Gregori XII në vitin 1415.

Benedikti i kaloi vitet e tij të fundit në manastirin Mater Eçlesiae brenda mureve të Vatikanit. Lajmi për vdekjen e tij u bë i ditur në një deklaratë nga Vatikani: “Me dhimbje ju njoftoj se Papa Emeritus, Benedikti XVI, ndërroi jetë sot në orën 9:34 në Manastirin Mater Eçlesiae në Vatikan'.

Pas 'rëndimit të papritur për shkak të moshës' në natën mes të martës dhe të mërkurës, Papa Françesku u kërkoi besimtarëve "një lutje të veçantë për Papa Benediktin", i cili mbante titullin “Emeritus” pas dorëheqjes. Nga mëngjesi i së hënës, 2 janar 2023, trupi i Papës emeritus i Benediktit XVI do të jetë në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan ku do të përshëndetet besimtarët.

I lindur në Gjermani, Joseph Ratzinger ishte 78 vjeç kur në 2005-n u zgjodh në krye të Kishës Katolike, ndër më te vjetrit që merrte këtë detyrë. Gjatë papatit të tij, Kisha Katolike u përball me shumë akuza dhe pretendime për abuzime të priftërinjve me fëmijët në vende të ndryshme të botës.

Në fillim të këtij viti Benedikti XVI pranoi se ishin bërë gabime, edhe gjatë rasteve të abuzimeve në Gjermani kur ai kishte shërbyer si Arqipeshkvi i Mynihut në periudhën 1977-1992.

Dy Papë në Vatikan, një situatë e paprecedentë në histori
Dorëheqja historike e Benediktit XVI, Papa i parë që dha dorëheqjen në gjashtë shekuj, i fundit ishte Gregori XII në 1415 dhe vendimi i tij për të qëndruar dhe jetuar në qytetin Leonine, megjithëse i izoluar në ish-manastirin Mater Ecclesiae, çoi në një situatë vërtet të paprecedentë! Për herë të parë në dy mijë vjet të historisë së Kishës, dy Papë e gjetën veten duke bashkëjetuar në Vatikan. Joseph Ratzinger, ndër të tjera, pavarësisht se kishte braktisur mandatin, nuk donte të quhej "peshkop emeritus i Romës", siç e këshilluan disa, duke zgjedhur me vendimin e tij emërtimin "Papa emeritus", duke ruajtur gjithashtu mantelin e bardhë, ndonëse pa pelerinë, dhe titullin “Shenjtëria e Tij”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 00:27
Udhëheqësit botërorë i bëjnë homazhe ish-Papës Benedikti XVI

Udhëheqësit botërorë po i bëjnë homazhe Benediktit XVI, Papa Emeritus, i cili vdiq të shtunën në  Vatikan në moshën 95-vjeçare. Benedikti, i cili ishte Papa i parë në pothuajse 600 vjet që dha dorëheqjen nga posti i tij, në vend që të mbante detyrën përgjithmonë, vdiq të shtunën, sipas një deklarate nga Vatikani.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se ish-papa "dërgoi një sinjal të fortë përmes dorëheqjes së tij".

“Vdekja e Papa Benediktit më trishton. Simpatia ime shkon për të gjithë katolikët” tha von der Leyen në një postim në Twitter, duke shtuar, “Ai kishte dhënë një sinjal të fortë përmes dorëheqjes së tij. Ai e pa veten së pari si një shërbëtor për Perëndinë dhe Kishën e tij”

Homazhe bëri edhe kryeministri britanik Rishi Sunak.

“Jam i pikëlluar kur mësova për vdekjen e Papa Emeritus Benediktit XVI”, shkroi Sunak në Twitter të shtunën.

"Mendimet e mia janë me njerëzit katolikë në MB dhe në mbarë botën sot," shtoi Sunak.

Mbreti Charles III i Britanisë i dërgoi një mesazh ngushëllimi Papa Françeskut pas vdekjes së Benediktit. “Vizita e tij në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2010 ishte e rëndësishme për forcimin e marrëdhënieve midis Selisë së Shenjtë dhe Mbretërisë së Bashkuar”, tha mbreti në mesazhin e publikuar në faqen zyrtare të familjes mbretërore.

“Kujtoj gjithashtu përpjekjet e tij të vazhdueshme për të promovuar paqen dhe vullnetin e mirë për të gjithë njerëzit dhe për të forcuar marrëdhëniet midis Komunitetit global Anglikan dhe Kishës Katolike Romake,” tha ai.

Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni shprehu admirimin e saj për ish-papën.

“Benedikti XVI ishte një gjigant i besimit dhe i arsyes. Ai e vuri jetën e tij në shërbim të Kishës universale dhe foli, dhe do të vazhdojë të flasë, në zemrat dhe mendjet e njerëzve me thellësinë shpirtërore, kulturore dhe intelektuale të Magjisterit të tij”, shkroi ajo të shtunën në Twitter.

Presidenti italian Sergio Mattarella e përshkroi Papa Benediktin XVI si një "figurë të paharrueshme për popullin italian", duke thënë se Italia është në "vuajtje" për vdekjen e tij. Butësia dhe mençuria e tij ishin një bekim "për komunitetin tonë dhe gjithë komunitetin ndërkombëtar", tha Mattarella të shtunën në një deklaratë.

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se ish-papa "ishte një udhëheqës i veçantë i kishës për shumë njerëz".

“Si një Papë 'gjerman', Benedikti XVI ishte një udhëheqës i veçantë i kishës për shumë njerëz, jo vetëm në këtë vend. Bota humbet një figurë formuese të Kishës Katolike, një personalitet argumentues dhe një teolog të zgjuar. Mendimet e mia janë me Papa Françeskun”, shkroi Scholz në Twitter.

Kancelari austriak Karl Nehammer shkroi në Twitter: “Së bashku ne katolikët vajtojmë vdekjen e Papa Emeritus Benediktit XVI. Ai ishte një figurë e shquar historike, një dijetar i madh edhe në moshë të re. Benedikti XVI ishte një nga krerët e paktë gjermanishtfolës të Kishës dhe Papa i parë i kohëve moderne, i cili dha dorëheqjen nga detyra me dëshirën e tij”, shkroi ai.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha të shtunën se "mendimet" e tij ishin me katolikët në mbarë botën pas vdekjes së ish-Papës.

“Mendimet e mia janë me katolikët e Francës dhe të botës, duke vajtuar për largimin e Shenjtërisë së Tij Benediktit XVI, i cili punoi me shpirt dhe inteligjencë për një botë më vëllazërore”, shkroi Macron në Twitter.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i bëri homazhe papës emeritus në një mesazh në Twitter.

“I shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta Papa Françeskut, hierarkisë dhe besimtarëve të Kishës Katolike në mbarë botën për vdekjen e Papa Benediktit XVI – një teolog, intelektual dhe promovues i shquar i vlerave universale”, shkroi Zelensky.

Kryeministri indian Narendra Modi tha se ish Papa do të mbahet mend për "shërbimin e tij të pasur ndaj shoqërisë".

“I pikëlluar për ndarjen nga jeta të Papa Emeritus Benediktit XVI, i cili ia kushtoi gjithë jetën Kishës dhe mësimeve të Zotit Krisht. Ai do të mbahet mend për shërbimin e tij të pasur ndaj shoqërisë. Mendimet e mia janë me miliona në mbarë botën që pikëllojnë vdekjen e tij, "tha Modi në një postim në Twitter.

Kryeministri australian Anthony Albanese tha se ishte "i pikëlluar" nga vdekja e ish-Papës.

"Me pikëllim dëgjova për ndarjen nga jeta të Papa Emeritus Benediktit XVI, këtë mbrëmje. U preftë në paqe të përjetshme," shkroi Albanese në Twitter.

Presidenti rus Vladimir Putin, i cili drejton pushtimin e Ukrainës nga Moska, e quajti ish-papën "mbrojtës të patundur të vlerave tradicionale të krishtera".

"Kam pasur rastin të komunikoj me këtë person të shquar dhe kujtimet më të ndritshme për të do t'i ruaj përgjithmonë. Do të doja t'ju përcjell fjalët e sinqeritetit në këtë orë zie", shtoi ai.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres e nderoi ish-Papën si "një njeri të përulur të lutjes dhe studimit", i cili ishte "parimor në besimin e tij, i palodhur në kërkimin e paqes dhe i vendosur në mbrojtjen e të drejtave të njeriut".

Ora 17:34
Mbreti Charles kujton Benediktin XVI me dhimbje si 'paqebërësin e madh'

“Me dhimbje të pamasë e mora lajmin për vdekjen e paraardhësit tuaj Benediktit XVI”, i shkruan Charles III, Papa Françeskut. Duke kujtuar me nostalgji takimet e tij gjatë vizitës së tij në Vatikan në vitin 2009.

Ai kujton gjithashtu “vizitën e Papa Emeritus Benediktit XVI në vitin 2010 në Mbretërinë e Bashkuar, kaq e rëndësishme në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Mbretërisë së Bashkuar”.

Charles, i cili është  edhe kreu i Kishës Anglikane, ka vlerësuar gjithashtu rolin e Papa Benediktit për të "promovuar paqen dhe prosperitetin midis popujve dhe për të forcuar marrëdhëniet midis Kishës Anglikane dhe Kishës Katolike".

Për ta mbyllur duke u bashkuar me gruan e tij për t'i dërguar urimet më të mira për një pontifikat të mirë Papa Françeskut.

Ora 15:44
Funerali i Papa Benediktit më 5 janar por Vatikani në ‘territor të paeksploruar’! Cilat do të jenë procedurat?

Papa Benedikti XVI ka ndërruar jetë në moshën 95-vjeçare ndërkohë që Vatikani ka bërë të ditur se funerali do mbahet më 5 janar të enjten dhe do drejtohet nga Papa Françesku. Megjithatë, funerali i një Pape në pension është diçka e re për Kishën Katolike moderne

Ka rituale dhe procedura strikte pas vdekjes së një Pape, por është e paqartë nëse këto do të zbatohen për një Papë Emeritus ('emeritus' është një fjalë latine që do të thotë ‘në pension’). Kur Benedikti dha dorëheqjen në vitin 2013, duke përmendur ‘moshën e thyer’, ai u bë Papa i parë në 600 vjet që dha dorëheqjen. Kjo do të thotë se vdekja e tij është një territor i paeksplouar për Kishën Katolike moderne.

Nëse Vatikani ka plane për procedurat pas vdekjes së tij, nuk i ka ndarë ende ato me publikun. Një nga ritualet më të rëndësishme që zakonisht ndodh pas vdekjes së një Pape, përfshin thirrjen e kardinalëve nga e gjithë bota për t’u mbledhur në Vatikan për të zgjedhur një Papë të ri- por kjo nuk do të ndodhë. Biografi i tij, Peter Seëald ka thënë vazhdimisht se Benedikti XVI dëshironte të varrosej në varrin që i përkiste Gjon Palit II përpara se të shpallej shenjtor. 

Ora 15:39
Ndarja nga jeta e Benediktit të XVI, Basha: U përball me dinjitet dhe humanizëm me sfidat e kohës

Ish-kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar për ndarjen nga jeta të Papa Benediktit të XVI. Përmes një postimi, Basha shkruan se Papa u përball me dinjitet dhe humanizëm me sfidat dhe vështirësitë e kohës.

“Lamtumirë Papa Benediktit të XVI që me fuqinë e mendimit, thjeshtësinë dhe përulësinë e tij mishëroi virtytin në shërbim të përkorë ndaj Zotit dhe njerëzve dhe u përball me dinjitet, humanizëm dhe kulturë të thellë me sfidat dhe vështirësitë e kohës. U prehtë në paqe”, shkruan Basha.

Ora 15:31
Ndarja nga jeta e Benediktit të XVI, Alibeaj: Humbje e madhe për komunitetin katolik

Kreu i grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj ka reaguar për ndarjen nga jeta të Papa Benediktit XVI. Alibeaj shkruan se kjo është një humbje e madje për komunitetin katolik.

“Humbje e madhe për komunitetin katolik vdekja e Shenjtërisë së Tij Benediktit XVI! Protagonist i jetës së kishës dhe i kulturës europiane, teolog, profesor, arqipeshkv i Mynihut, Prefekt i doktrinës së besimit. Në këtë moment të trishtuar, bashkohem në lutjet e të gjithë komunitetit katolik”, shkruan Alibeaj.

M.Q./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja