Report Tv zbardh detaje të reja nga aksidenti tragjik mesnatën e kaluar në autostradën Tiranë-Durrës, pranë Maminasit ku humbën jetën dy persona. 23-vjeçarja Elena Avdillari, e cila mbeti viktimë e këtij aksidenti, kishte prerë biletën për të udhëtuar me traget në drejtim të Italisë. Pasi ka mbërritur në Portin e Durrësit, Report Tv mëson se ajo është kthyer nga policia për shkak të lëvizjeve të herë pas hershme në drejtim të Italisë, ku edhe kishte afatet e qëndrimeve në zonën "Schengen". 

Elena do udhëtonte me autobus së bashku me një grup tjetër pasagjerësh, të cilët do embarkoheshin në tragetin e linjës Durrës-Bari rreth orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme. Pasi është kthyer nga policia, e mbetur në Durrës në orët e vona, Elena Avdillari është detyruar të marrë një taksi për t'u kthyer në shtëpi, në Tiranë. 

elena avdillari
(23-vjeçarja që humbi jetën, Elena Avdillari)

Pranë Maminasit automjeti 'Taksi' ku udhëtonte nëna e një fëmije, goditet nga pas nga një "Benz ML" dhe për rrjedhojë përplaset me bordurat e një pike karburanti. Bilanci është tragjik, dy të vdekur, 23-vjeçarja Elena Avdillari dhe drejtuesi i taksisë Bujar Agalliu.

bujar agalliu
(Bujar Agalliu, drejtuesi i automjetit taksi i cili humbi jetën)

Shkaktari i aksidentit, Fatjon Zhaborja, 32-vjeç, drejtuesi i automjetit tip "Benz", braktis makinën pas aksidentit dhe largohet në drejtim të paditur. Ai është shpallur në kërkim nga policia. Report Tv ka zbardhur edhe të shkuarën e 32-vjeçarit i cili në vitin 2005 është dënuar me burg për plagosje me thikë të një 53-vjeçari, ngjarje kjo e ndodhur pranë ambasadës greke.  

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com