Pritej goleadë, por kampionët në fuqi të Real Madrid janë ndalur që në javën e parë të La Liagës. Në ishullin e Majorkës ishin ‘galaktikët’ që pas disa tentativave gjetën të parët rrugën e rrjetës. Braziliani Rodrygo lëvizi bukur në zonë para se të finalizonte me një gjuajtje ekzakte.
Ky episod krijoi përshtypjen e një ndeshje të lehtë, por vendasit pak nga pak fituan besim për të ardhur deri në minutën e 53 kur sulmuesi shqiptar i Kosovës Vedat Muriqi, me kokë solli barazimin 1-1.
Ky rezultat do mbetej i pandryshuar deri në fund, teksa për t’u evidentuar ishte vetëm kartoni i kuq që ferlan Mendy mori për një ndërhyrje të ashpër ndaj Vedat Muriqit. Një ndeshje ku nuk u mor maksimumi nga Reali, që ka krijuar pritshmëri të jashtëzakonshme sidomos pas ardhjes së Mbappes.