TIRANE, 18 Dhjetor/ATSH/-Pas vendimit të qeverisë për dhënien e shpërblimeve për disa kategori për festat e fundvitit, që u bë publik nga Kryeministri Edi Rama në seancën e sotme parlamentare, kanë reaguar ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj dhe deputeti Erjon Braçe.
Ata deklaruan se ky vendim dëshmon se qeveria është më pranë shtresave në nevojë. Në një postim në rrejtin social "Facebook",  ministri Veliaj shkruan se: "Për 8 vjet, çdo dhjetor, pensionet, ndihma ekonomike dhe aftësia e kufizuar nuk paguheshin prej muajsh. Po këtë vit? Çdo pagesë bëhet në kohë, ndërsa për fundvit shpërblejmë shtresat në nevojë" .
Gjithashtu, po në rrjetet sociala ka komentuar edhe deputeti Erjon Braçe, i cili shkruan se "në kushtet e vështirësive ekonomike e financiare qeveria e kryeministrit Rama vendosi drejt për të shpërblyer, pensionistë kryefamiljarë, pensionistë në tërësi, familje me ndihmë ekonomike, veteranë të luftës mbi 65 vjeç, ish-të përndjekurit politikë mbi 65 vjeç, policë, mjekë, mësues, nxënës të shkëlqyer e studentë të ekselencës, të cilët kanë bërë diferencën me rezultatet e tyre. Unë jam i kënaqur personalisht edhe për: mësuesit e shkollës "18 Tetori" në Lushnje, shkollë e rankuar ndër 10 më të mirat e vendit nga Matura Shtetërore; 400 dollarë për secilin mësues; punonjësit e njësisë pyjore Lushnje për punën e shkëlqyer në mbrojtjen dhe rivitalizimin e parkut Divjakë"-u shpreh Brace./a.g/