Drejtuesit politik të PS tur blic në Tiranë! Veliaj: Me ndihmën e diasporës, fitojmë kryeqytetin me mbi 100 mijë vota! Spiropali: Dhuna i ul votat opozitës

Drejtuesit politikë të Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, nisën sot një tur të shpejtë në të gjithë qarkun, për t’u takuar me anëtarët socialistë të Kamzës, Vorës, Kavajës dhe Rrogozhinës, si parapërgatitje për zgjedhjet e 2025.

Në takimin me strukturat e PS në Kamzë, Veliaj tha se me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, Shqipëria është më afër se kurrë familjes evropiane.

“Duhet ta ngremë Flamurin e Republikës së Shqipërisë në oborrin e Bashkimit Europian. O jemi afër sot, o s’kemi qenë kurrë më përpara! Kjo është arsyeja pse na duhet ky mandat i katërt, për ta çuar Shqipërinë në familjen evropiane, si aspirata e qindra viteve, por është fati ynë, i kësaj skuadre, i PS-së dhe Edi Ramës, që ta përmbushim këtë mision. Është i dukshëm vendimi politik që Shqipëria të ndahet nga të tjerët në rajon, si vendi që po ecën më shpejt, që po përmbush më shumë reforma, dhe është më gati për t’u bërë anëtare e re BE-së. Kjo do të thotë se me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, Shqipërisë i është ngritur koka. Sot pasaporta e Shqipërisë vlen më shumë, himni dhe flamuri i Shqipërisë respektohen më shumë, sot shqiptarët trajtohen kudo me më shumë konsideratë”, tha ai, duke ironizuar edhe situatën ku ndodhet opozita. “Qartazi ata kanë hallin e tyre, hallin e dikujt që është në katin e 8, hallin e bombave që kanë bërë, të problemeve që kanë, ndërkohë ne kemi ambicien për Shqipërinë e 2030”.

Ndërkohë Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali tha se sot socialistët po punojnë për Shqipërinë e vitit 2030. Kryeparlamentarja kujtoi demokratëve se dhuna që kanë paralajmëruar vetëm do t’u ulë mbështetjen me vota.

“Sa më të dhunshëm, sa më agresivë, sa më të paarsyeshëm…Aq më pak vota do të marrin, në Kamëz, në qarkun Tiranë e kudo  Ne do flasim për veten, puna jonë duhet të flasë për ne dhe unë mezi pres të punoj me secilin prej jush, në të gjitha qëndrat e votimit, për t’i dhënë një fitore PS, Edi Ramës, në Bashkinë e Kamzës, në Bashkinë e Kavajës, në Bashkinë e Rrogozhinës, në Bashkinë e Vorës, patjetër në Bashkinë e Tiranës, ku Erioni dhe Ogerta po punojnë së bashku, dhe kudo tjetër në Shqipërinë tonë, e cila në 2030-ën, duhet të jetë anëtare e Bashkimit Europian dhe nuk mund të mbahet peng nga askush dhe për asnjë arsye”.

Ndërkaq, Veliaj nënvizoi se ambicia për mandatin tjetër të PS është rritja më e madhe e pensioneve dhe rrogave të shqiptarëve.

“Unë besoj fort te ambicia që shtroi kryeministri në Asamble dhe në Kongres, - por sidomos grupet e punës, që tashmë kanë filluar të gjitha analizat dhe propozimet konkrete, - që ky të jetë mandati i rritjes më të madhe ndonjëherë të pensioneve dhe rrogave. Këtë mandat, këtë fitore, ta përkthejmë të gjithën jo si fitore për inat të tjetrit, por si fitore për të rritur masivisht pensionet për gjyshërit dhe prindërit tanë. Ky është misioni! Rritja e rrogave dhe pensioneve është mënyra më e mirë se si përkthehet gjithë ky idealizëm, gjithë ky pasion, ky afrim me Evropën”, tha ai.

Më tej, Veliaj u ndal edhe te vota e diasporës, teksa kërkoi prej strukturave një angazhim edhe më të madh për të siguruar mbështetjen e tyre.

“Mesazhi i tretë ka të bëjë me votën e emigrantëve. Ne kemi potencialin për një Parti Socialiste të dytë, për një skuadër si kjo, të dytë, që jeton jashtë vendit. Në fakt, filozofia nuk duhet të jetë të shkojmë jashtë e t’i gjejmë ku votojnë. Filozofia duhet të jetë krejt ndryshe. Të gjejmë të gjitha familjet tona, kushërinjtë tanë, komshinjtë, krushqitë tona në secilën prej organizatave tona, duke ditur që janë të regjistruar, dhe duke i gjetur nga këtu, për t’i inkurajuar që, kur të hapet dritarja e KQZ-së për regjistrimin e emigrantëve, ne që aty do të duhet ta dimë sa do jetë fitorja jonë.

 Në Tiranë fituam me 60 mijë vota, në Kamzë me 12.500 vota, këtu me 6000 vota, në total e kemi të gjithë potencialin që, me ndihmën e diasporës, të fitojmë me mbi 100 mijë vota ndaj rivalëve tanë”, deklaroi Veliaj.

Në këtë takim morën pjesë edhe deputetja e PS, Lindita Nikolla dhe kryetari i Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli. Veliaj dhe Spiropali zhvilluan takime edhe me strukturat socialiste të Vorës, Rrogozhinës dhe Kavajës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:46
Turi blic me strukturat në qarkun e Tiranës, Veliaj: I bindur për fitoren në Kavajë! Një njeri që drejton partinë nga azili në katin e 8 nuk mund të jetë partner për BE

1727635734_veliajvore.jpg

Erion Veliaj dhe Elisa Spiropali me strukturat e PS-së

“Një njeri që e drejton partinë politike nga kati i 8 nuk mund të jetë partner për BE-në”.

Kështu deklaroi nga Kavaja Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, gjatë takimit me socialistët e kësaj zone, i shoqëruar edhe nga kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali. Veliaj theksoi se PS është e destinuar të fitojë për të qeverisur dhe për të rritur rrogat dhe pensionet.

“Është shumë e rëndësishme të dimë pse po shkojmë në këtë fushatë. Nuk po shkojmë për inat të atyre sepse nuk kemi inat me ta. Ne nuk kemi fiksim të rrasemi të gjithë në ballkonin e katit të 8. Sigurisht, një njeri që drejtoi partinë politike nga azili në katin e 8 nuk mund të jetë një partner për të futur Shqipërinë në BE. Edhe ata e dinë që do humbasin. Ata thonë të marrim disa mandate, të ruajmë atë interesin tonë, por nuk kanë aspiratë për të drejtuar Shqipërinë sepse e dinë që nuk i qas njeri. Ne jemi të destinuar të fitojmë, të qeverisim dhe të shpërblejmë të gjithë njerëzit për punën e tyre, me pensionet e tyre dhe rrogën e tyre. Jam i bindur se Kavaja do të rikthehet me fuqinë e saj në forcën e saj, në dashurinë e saj për një fitore”, tha Veliaj.

Drejtuesi politik nënvizoi se PS është forca politike që do të realizojë anëtarësimin e Shqipërisë në BE, duke përmbushur një aspiratë të vjetër të shqiptarëve.

“Ne kemi një qëllim shumë të qartë, ai që quhet vizioni i Shqipërisë 2030 apo vizioni i PS. Ne duam të jemi forca politike, me kryeministrin Edi Rama, që flamurin e Republikës së Shqipërisë e ngre në oborrin e BE si anëtar me të drejta të plota. Pse po ndahemi vetë nga të tjerët? Po ndahemi nga të tjerët sepse me Edin kryeministër dhe me këtë qeveri kemi bërë më shumë punë në më pak kohë”, tha ai.

Veliaj u shpreh se Shqipëria e sotme është shumë ndryshe nga ajo e disa viteve më parë.

“Ishim të fundit që dolëm nga komunizmi, ishim të fundit që gjetëm një lloj paqeje pas piramidave. Kavaja e di fare mire çfarë ka përjetuar me PD. Uniforma e Shqipërisë ka qenë e zezë, o ishte 21 janari, o Gërdeci. Ne shkojmë në këtë fushatë, si fushata që do na japë mandatin kur Shqipëria të futet në BE. Është komplet Shqipëri tjetër, qytetet tona janë krejt ndryshe. Disa gjëra që kanë ndryshuar duhet t’i shohim të gjithë. Ekonomia e një shtëpie të madhe, që quhet Republika e Shqipërisë, ka qenë 12 miliardë, ka shkuar në 25 miliardë, pra është dyfishuar. Tani që është dyfishuar ekonomia e vendit, kryeministri ka caktuar një skuadër ekskluzivisht për reformën në pensione”, tha Veliaj.

Ora 18:42
Vota për diasporën, Veliaj: Sot është realitet falë PS-së! Me ndihmën e diasporës, fitojmë me mbi 100 mijë vota në Tiranë

 

Në zgjedhjet parlamentare të 2025, për herë të parë do të votojnë edhe emigrantët, të cilët mjafton të kenë një adresë të saktë banimi në vendin ku jetojnë.

Nga Vora, ku zhvilloi një takim me strukturat e PS-së, së bashku me kryeparlamentaren Elisa Spiropali, Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, vlerësoi se ky është një tjetër premtim i mbajtur.

“Dikush mund të thotë se këta e filluan fushatën para kohe. Kjo është diçka që ne e kemi pasur betejë, qëkur kemi qenë në opozitë. E morëm atë nismë modeste që kur unë punoja si Sekretar për Diasporën dhe Emigrantët; më pas, në 2013, nuk u lejuam të punonim me diasporën, por na u desh të inkurajonim ardhjen fizike të tyre këtu për të votuar. Sot kësaj i ka ardhur fundi. Nuk ka rëndësi për kë voton diaspora. Ideale do të ishte të votonte për partinë tonë, si partia që ka transformuar e modernizuar më shumë Shqipërinë, megjithatë secili bën zgjedhjen e tij i lirë. Ne si socialistë jemi krenarë që, për herë të parë në historinë e Shqipërisë moderne, ajo që garantohet nga Kushtetuta, e drejta e votës, mundësohet edhe për emigrantët falë vendimmarrjes së PS”, tha ai.

Nisur edhe nga rezultatet fantastike të zgjedhjeve të mëparshme, Veliaj shprehu bindjen se PS ka potencialin që, bashkë me ndihmën e diasporës, të fitojë me mbi 100 mijë vota diferencë ndaj rivalëve në qark.

“Në Tiranë janë 974 qendra votimi. Ata nuk kanë fituar asnjë qendër votimi. Ndaj, ne s’kemi garë me njeri tjetër. Ne garën e kemi me veten tonë. Në zgjedhjet e fundit ne fituam këtu [në Vorë] me 71%. Është shumë e rëndësishme që kjo të jetë baza e fitores për zgjedhjet e ardhshme dhe nëse në Tiranë fituam me 60 mijë vota, në Kamzë me 12.500 vota, këtu me 6000 vota, në total e kemi të gjithë potencialin që, me ndihmën e diasporës, të fitojmë me mbi 100 mijë vota ndaj rivalëve tanë. Jo se i kemi inat ata, por sepse kemi pasion kauzën, ambicien tonë, dëshirën që  Shqipëria të futet në BE, planin tonë për rritjen e pensioneve dhe pagave, dhe të sigurohemi që Vora të mos kthehet kurrë pas e të vazhdojë lart e më lart”, theksoi Veliaj.

G.K/S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lon: 29/09/2024 19:59

    Pa nderhyrje jurre nuk fironi ju P..S

    Përgjigju
  • Enmir: 29/09/2024 19:41

    Titull palidhje

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Si u shpall Armik i Popullit Edison Gjergo! Suzana Varvarica në  Esencë-Report Tv

Si u shpall Armik i Popullit Edison Gjergo! Suzana Varvarica në  Esencë-Report Tv