Në zgjedhjet parlamentare të 2025, për herë të parë do të votojnë edhe emigrantët, të cilët mjafton të kenë një adresë të saktë banimi në vendin ku jetojnë.
Nga Vora, ku zhvilloi një takim me strukturat e PS-së, së bashku me kryeparlamentaren Elisa Spiropali, Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, vlerësoi se ky është një tjetër premtim i mbajtur.
“Dikush mund të thotë se këta e filluan fushatën para kohe. Kjo është diçka që ne e kemi pasur betejë, qëkur kemi qenë në opozitë. E morëm atë nismë modeste që kur unë punoja si Sekretar për Diasporën dhe Emigrantët; më pas, në 2013, nuk u lejuam të punonim me diasporën, por na u desh të inkurajonim ardhjen fizike të tyre këtu për të votuar. Sot kësaj i ka ardhur fundi. Nuk ka rëndësi për kë voton diaspora. Ideale do të ishte të votonte për partinë tonë, si partia që ka transformuar e modernizuar më shumë Shqipërinë, megjithatë secili bën zgjedhjen e tij i lirë. Ne si socialistë jemi krenarë që, për herë të parë në historinë e Shqipërisë moderne, ajo që garantohet nga Kushtetuta, e drejta e votës, mundësohet edhe për emigrantët falë vendimmarrjes së PS”, tha ai.
Nisur edhe nga rezultatet fantastike të zgjedhjeve të mëparshme, Veliaj shprehu bindjen se PS ka potencialin që, bashkë me ndihmën e diasporës, të fitojë me mbi 100 mijë vota diferencë ndaj rivalëve në qark.
“Në Tiranë janë 974 qendra votimi. Ata nuk kanë fituar asnjë qendër votimi. Ndaj, ne s’kemi garë me njeri tjetër. Ne garën e kemi me veten tonë. Në zgjedhjet e fundit ne fituam këtu [në Vorë] me 71%. Është shumë e rëndësishme që kjo të jetë baza e fitores për zgjedhjet e ardhshme dhe nëse në Tiranë fituam me 60 mijë vota, në Kamzë me 12.500 vota, këtu me 6000 vota, në total e kemi të gjithë potencialin që, me ndihmën e diasporës, të fitojmë me mbi 100 mijë vota ndaj rivalëve tanë. Jo se i kemi inat ata, por sepse kemi pasion kauzën, ambicien tonë, dëshirën që Shqipëria të futet në BE, planin tonë për rritjen e pensioneve dhe pagave, dhe të sigurohemi që Vora të mos kthehet kurrë pas e të vazhdojë lart e më lart”, theksoi Veliaj.
Lajmi kryesor: