Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak të Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj dha lajmin e mirë se për studentët e kryeqytetit do ketë disa lehtësira, duke nisur nga abonetë falas. Veliaj tha se Bashkia do të hartojë një paketë financiare mbështetëse e cila do t’i paraqitet Këshillit mbledhjen e radhës, me qëllim që të mbështeten studentët në këtë kohë krize ekonomike.
Veliaj tha se propozimi është një lajm i shumëpritur nga studentët dhe që vjen në vitin kur Tirana mban titullin "Kryeqyteti Evropian i Rinisë".
"Propozimi ynë është të subvencionojmë edhe një pjesë të faturës së konvikteve. Vërtet studentët nuk janë rezidentë të Tiranës, por 9 nga 10 studentë qëndrojnë në Tiranë pasi mbarojnë universitetin dhe duke qenë se janë rritur kostot e konvikteve, do na duhet të marrim një vendim të rëndësishëm, të subvencionojmë të paktën gjysmën e faturës së konvikteve ose rreth gjysmën, për t’u siguruar që studentët të mos impaktohen nga kjo situatë.
Gjithashtu, kemi marrë edhe disa propozime të tjera, mes të cilave aboneja falas për studentët, që gjatë kohës së krizës ata të mos preken, sidomos studentët që vijnë në Tiranë, ku kostoja është detyrimisht më e lartë se e një qyteti të provincës. Jemi duke bërë llogaritjet dhe në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak do të sjellim edhe disa paketa financiare që adresojnë këto situata", u shpreh Veliaj.
Gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak, kryebashkiaku Veliaj u ndal edhe në punimet për Unazën e Madhe, i cili tha se do të vijojnë. Ndërsa, u miratua Akt Marrëveshjen Tip “Për përfitimin e trajtimit përmes fondit të banesave nga poseduesit e ndërtimeve pa leje, që preken nga ky projekt dhe nuk përfitojnë dot nga legalizimi”.
Veliaj tha se miratimi i këtij akti është shumë i rëndësishëm për të ecur përpara me punimet e Unazës së Madhe të Tiranës. Kjo marrëveshje synon bonus qeraje 3 vjet për secilën nga familjet që preket dhe trajtim me banesë falas në një nga tre pallatet e reja që do të ndërtohen nga Bashkia e Tiranës për këtë qëllim.
“Nuk duam të humbasim më kohë. Fakti që sot, në pak minuta, mund të shkosh nga ‘Shqiponja’, në Astir, mandej në Selitë, pastaj te Liqeni i Thatë, Kopshti Zoologjik e Botanik, për të mbërritur në Lundër e TEG, duke vazhduar sipër në Farkë te Helikopterët dhe t’i afrohesh Shkozës, është e jashtëzakonshme. Për gjeneratën tone do ishte diçka utopike, e pamundur, por ja që sot u bëka! Pra, kur njerëzit e ndajnë mendjen se do punojnë e nuk do pengojnë njëri-tjetrin, bëhet. Ky projekt i prek si të majtët, si të djathtët. Pra, nuk është gjurmë politike. Kjo punë ka filluar, që në kohë e Olldashit, ka vijuar në kohën e Haxhinastos, e pastaj të gjithë ministrat e Transportit me radhë dhe vetë projekti është bipartizan. Le ta mbarojmë! Rregulli është shumë i thjeshtë: Për të gjithë ata që i kanë pronat me letra, trajtohen nga ARRSH-ja, me shpronësim. Marrëveshja që miratojmë sot zgjidh problemin e familjeve që i kanë shtëpitë pa letra,” tha kryebashkiaku.
“Vendimi që marrim sot paguan qiranë e familjeve që preken për tre vite, si dhe përfitimin e një banese me të njëjtat metra katrorë nga bashkia. Bëhet fjalë për ata që s’kanë asnjë letër, por që është e provuar, edhe nga kryeplaku, ndërlidhësi i komunitetit, njësia administrative, nga vizita në terren, që këta njerëz jetojnë realisht aty. Nëse për një arsye apo një tjetër dikush nuk i ka bërë dokumentet, në këto kohë të vështira Bashkia e Tiranës do të jetë me ty. Ne duam që edhe projekti të ndodhë, - pra, u zgjat Lana nga Materniteti i Ri deri në Shkozë, ka dalë në dritë, është rritur vlera e pronës, është zhbllokuar komplet qarkullimi aty, - të njëjtën gjë duam të bëjmë nga Pallati me Shigjeta deri në Kashar,” shpjegoi Veliaj.
Ai tha se është i vendosur për të vijuar me projektet e domosdoshme për rritjen e Tiranës, megjithë kundërshtarët që, sidomos tani në prag të fushatës, sipas tij do të vendosen në radhë për t’i bllokuar ato.
“Që projekti do të bëhet këtë se luan topi fare! Që do të shihni të gjithë aspirantët për kandidatë për kryetarë Bashkie të Tiranës që do të dergjen përpara fadromave, as kjo nuk diskutohet fare, se ky është një film që e kemi parë. Thjesht po i paralajmëroj se do të humbasin! Do të dilni edhe më keq seç dilte tipikisht në zgjedhje partia juaj sepse njerëzit nuk janë budallenj. Mjafton të shikoni rezultatin zgjedhor tek “Astiri”, ku sa më shumë digjeshin gomat, aq më shumë humbte partia. Ky projekt është i ndershëm, është i drejtë, i jep qytetit zhbllokim, i jep paratë atij që e ka me letra shtëpinë, i jep shtëpi dhe bonus qiraje atij që e ka pa letra fare. Ndaj, ftesa për të gjithë banorët është: Tirana do të ketë një super unazë, njerëzit do të marrin shtëpi dhe qira nëse janë pa letra, njerëzit do të marrin paratë dhe shpronësimin nëse janë me letra, sipas çmimeve te tregut,” tha Veliaj.
Pak ditë më parë, Bashkia e Tiranës nënshkroi marrëveshjen me Bankën Europiane të Investimeve për projektin e banesave sociale, nga i cili do të përfitojnë dhe të gjitha familjet që preken nga projektet publike të qytetit.
Këshilli Bashkiak i Tiranës është mbledhur pak më parë për të disktutuar për rendin e ditës, ndërkohë që mbledhja nisi me një minutë heshtje për Dorina Kukën, këshilltaren e cila u nda nga jeta pak ditë më parë. Në mbledhjen e parë pa Dorinën, kryebashkiaku Erion Veliaj dhe anëtarët e Këshillit nderuan kolegen që u largua në moshë fare të re, vetëm 35 vjeç.
Veliaj tha se Këshilli do të ndihmojë përmes një kontributi financiar familjen e këshilltares së ndjerë.
“Ka qenë vërtet një situatë e vështirë të humbësh një nga koleget më energjike të skuadrës sonë. Unë besoj fort se ky raport njerëzor është përtej raportit politik, përtej punës së përbashkët; ne nuk jemi njerëz që thjesht bëjmë një punë, ne jemi një familje. Në mbledhjen tjetër do kemi përgatitur edhe një material të plotë, për të një trajtim financiar për shpenzimet e familjës së motrës sonë. Besoj është në dinjitetin tonë që të tregojmë solidaritet me këdo në këtë qytet,” u shpreh Veliaj. Dorina Kuka ishte nënë e dy fëmijëve të vegjël.
Po pse nuk I ke bere deri me tani mor burrec. Vetem DO TE, DO TE para zgjedhjeve
Përgjigju