TIRANË - Për të jetuar në Tiranë barra financiare është zero. Kështu u shpreh kryebashkiaku Erion Veliaj lidhur me masat që po ndërmerren për një qytet të pastër. “Barra financiare për të jetuar në Tiranë është zero. Mjafton të mos presësh pemë, të mos hedhësh plehrat në rrugë, të mos vandalizosh, të mos vjedhësh pusetat, të mos përdorësh makineritë e tonazhit të rëndë me baltë nëpër rrugët e Tiranës, të mos ndërtosh pa leje dhe mos t’ua ngarkosh këtë faturë qytetarëve të tjerë”, - u shpreh Veliaj.

Gjatë prezantimit të administratorëve të njësisë nr. 3, Ergesta Ninka, dhe njësisë nr. 4, Lirika Kasa, Veliaj u ka thirrje qytetarëve që të mos ndotin hapësirat publike në mënyrë që të mos penalizohen nga masat që ka ndërmarrë Bashkia e Tiranës. Ai theksoi se tashmë janë kushtet që qytetarët të mos hedhin më plehrat në rrugë dhe të mos urinojnë poshtë urave . “Qytetarët kanë një mijë kazanë ngjyrë portokalli, të cilët nuk bën dot sikur nuk i sheh. Gjithashtu, në pesë pika qendrore të Tiranës kemi vendosur tualete publike, për këdo që ka nevoja personale. Tani që kemi zhdukur çdo alibi është shumë e rëndësishme që të zbatohet ligji”, tha Kryebashkiaku.

Sipas tij, lista e 7 masave të bëra publike janë të bazuara në ligje dhe vendime të mëparshme, por s’janë zbatuar asnjëherë. Masat që ka ndërmarrë bashkia nuk do të zbatohen vetëm në qëndër të të Tiranës por dhe në njësitë e tjera administrative. Për këtë arsyje Veliaj u ka kërkuar krerëve të njësve administrative që të raportojnë çdo rast ku ndotet ambjenti, kur zaptohen hapësirat publike apo kur ndërtohet pa leje.
 
Aksioni

Ndërkohë Policia Bashkiake gjatë një jave aksion në njësinë nr.5, ka vendosur 84 gjoba për lirimin e hapësirave publike nga tavolinat, karriget, vazo lulesh, gardhe dekorative apo mjete të tjera të paligjshme, si dhe 43 gjoba të tjera për dëmtim dhe vandalizim të hapësirave publike. Gjithashtu, edhe Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit ka vendosur 45 gjoba për zënie dhe bllokime të hapësirave publike, rrugë, trotuare, apo vendosje reklamash e postera në mënyrë të paligjshme. Kryetari i Bashkisë theksoi se këto janë masa për të mbështetur 99% të njerëzve që duan higjienë, rregull dhe shtet. “Kjo është arsyeja pse po i themi qytetarëve që të na bashkohen në 4 shtator, të na japin disa orë kohë nga dita e tyre për t’u siguruar që mbledhim ato që i kemi konsumuar vetë”, - përmendi Veliaj.

Për këtë aksion, kryebashkiaku i Tiranës tha se drejtuesit e njësive do të jenë drejtues të shtabeve për pastrimin e qytetit. Ndërsa e cilësoi aksionin për lirimin e hapësirave publike në njësinë nr. 5 si të suksesshëm, kryetari i Bashkisë së Tiranës sqaroi se do të vijohet me një njësi nga fillimi në fund. Në kushtet e gjendjes së vështirë financiare për shkak të borxhit të trashëguar, kryetari i Bashkisë së Tiranës njoftoi se do të merret mendimi i komunitetit për projektet që do të zbatohen me përparësi në zonat ku banojnë. Një nismë e suksesshme për kryetarin e Bashkisë së Tiranës është edhe adoptimi i 31 çerdheve.
 
Ndryshimi
“Në pesë pika qendrore të Tiranës kemi vendosur tualete publike, për këdo që ka nevoja personale. Tani që kemi zhdukur çdo alibi është shumë e rëndësishme që të zbatohet ligji”
 
Penalizimi
Masat që ka ndërmarrë bashkia do të zbatohen dhe në njësitë e tjera administrative. Për këtë arsyje Veliaj u ka kërkuar krerëve të njësve  që të raportojnë rast ku ndotet ambjenti

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)