Tiranës i shtohet një tjetër kënd lojërash, Veliaj: Kur fokusohemi bëjmë gjëra të mrekullueshme

Tiranës i shtohet një tjetër kënd lojërash, Veliaj: Kur fokusohemi bëjmë gjëra të mrekullueshme

Këndi i lojerave në Rr. “Myrteza Topi” në Njësinë 9

Një kënd i ri lojrash është dhurata e Bashkisë së Tiranës për vogëlushët e lagjes “Myrteza Topi” në Njësinë 9. Ky është këndi i 36 që ndërtohet në lagjet e Tiranës dhe i treti në Njësinë 9, i cili u realizua në bashkëpunim me Ambasadën e Çekisë në vendin tonë. Këndi do të shërbejë edhe si një hapësirë çlodhjeje për të rriturit. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, falenderoi ambasadën çeke për bujarinë e treguar dhe u shpreh se investimi te këndet e lojërave është një investim për të ardhmen e qytetit.

“Kur kemi ardhur këtu për herë të parë, edhe gjatë fushatës, s’ka pasur fëmijë; jo se nuk ekzistonin, ata këtu kanë qenë, por për sa kohë s’ka pasur kushte, kënde lodrash, apo një mjedis të sigurt ku mund të luanin, mbylleshin brenda. Fakti që ky është këndi i tretë i lodrave që krijojmë në Njësinë 9, ndërkohë që në gjithë Tiranën janë edhe 35 të tjerë, do të thotë se kur ne shqiptarët fokusohemi tek puna, edhe me pak ndihmë nga miqtë tanë ndërkombëtarë, mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme”, tha Veliaj.

Ai theksoi se i gjithë projekti i ndërtimit të këndeve të lojërave dhe rekreacionit është pritur shumë pozitivisht nga qytetarët, ndërsa shtoi se investimet do të vazhdojnë, si në vitin e fundit të këtij mandati, ashtu edhe në mandatin e ardhshëm, për ta bërë Tiranën së pari një qytet të fëmijëve.

“Jam i bindur se kjo lagje ka nevojë për shumë punë, jam i sigurt që çdo bllok mund të ketë nevojë për kënde lodrash, por gjasat janë që ata që kanë bërë 35 kënde mund të bëjnë edhe 100; nëse s’bëjmë dot asgjë dhe nuk fillojmë nga diku, atëherë s’mbarojmë dot asnjë punë. Ndaj, besoj se për shumë ndërhyrje që kemi nisur në Njësinë 9, ky është vetëm fillimi. Pjesa që ka mbetur nga ky mandat apo edhe mandatin tjetër, do të sigurohemi që në çdo lagje të kemi një kënd të vogël, ku fëmijët të gëzojnë një jetë që ja vlen të mbahet mënd si fëmijëri e bukur në Tiranë”, shtoi ai.

Ministria e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, vuri në pah ndryshimin që ka pësuar Njësia 9, duke theksuar se tre vite më parë këto punë ishin të paimagjinueshme. “Kur kemi qenë përpara një viti këtu, edhe përgjatë fushatës elektorale, banorët e zonës nuk e besonin që do arrihej që të sigurohej infrastruktura e përshtatshme dhe aq më pak këndi i fëmijëve. Sot shohim që bëhet realitet, falë përkushtimit të kryetarit të bashkisë, falë punës së Bashkisë së Tiranës dhe Njësia 9 po transformohet tërësisht. Jo vetëm se projektet strategjike po e transformojnë dhe po e zhvillojnë atë, por gjithashtu edhe këto kënde të vogla, brenda komuniteteve, ndihmojnë kaq shumë për të socializuar dhe për të bërë që fëmijët të kalojnë vërtet një fëmijëri të lumtur në mjedise të pastra”, tha Manastirliu.

Ambasadori çek në vendin tonë, Jaroslav Ludvai falenderoi Bashkinë e Tiranës për bashkëpunimin dhe u shpreh se këndi i lojrave është dhuratë për fëmijët e Njësisë 9, që edhe ata të kenë mundësi argëtimi. Sipas bashkisë së Tiranës, këndi i lojrave dhe sheshi rekreativ në Rr. “Myrteza Topi” ka një hapësirë prej 1408 m2, nga të cilat 160 m2 gjelbërim. Në të janë vendosur disa module lojërash për fëmijë, si dhe gjithë infrastruktura për një shesh rekreativ, përfshi stola, kosha, ndriçim etj.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Bravo,por:: 10/10/2018 17:03

    ..po bej ndo1 kend lojrash edhe te 21 shi o Njish....,aty mbas kopshtit te ish Fusha e Zeze...,se ferra dhe balte ka ..,si mos me keq...Pa harruarr Pallatet

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen