Erion Veliaj në pyetjen drejtuar përfaqësuesëve të Këshillit të Minisitrave, kërkoi të dinte se çfarë mund të kishte ndryshuar nëse do të ishte thirrur në mbledhjen e ditës kur u firmos dhe shkarkimi.

Veliaj u shpreh se diskutimi do të kishte bërë të mundur thënien e disa të vërtetave. Kryebashkiaku në detyrë tha se ndoshta Këshilli i Ministrave do të ishte stepur nga vendimi nëse do të kishte marrë vesh se prokurori që po e heton është në konflikt interesi me personin në hetim. Erion Veliaj nuk la pa përmendur dhe Nesti Angonin, emri me të cilin është regjistruar kallëzimi në SPAK për Veliajn, duke thënë se nesër Nesti mund të shpikë dhe për ato që ndodhen sot në Këshillin e Ministrave.

 Veliaj vijon të thotë se kryetarët e bashkive janë në presion të vazhdueshëm nga prokurorët e SPAK me qëllim futjen e personave të afërm në punë, ndërsa shton se pasi këto kërkesa nuk plotësohen, kërcënime mbërrijnë nëpërmjet avokatëve.

“A do të kishte ndryshuar gjë nëse unë do të ftohesha në Këshillin e Ministrave. Nuk mund ta di. Por di të them se forca e argumentit njerëzit i ndryshon. Nëse do ju thoja që jam në konflikt interesi me një prokuror për të cilin ka pasur debate për një leje ndërtimi. Ndoshta nuk do ishit nxituar dhe do të thonit që një. Ndoshta duhet të ndërhyjmë në ligjin e konfliktit të interesit që një prokuror e një kryetar bashki nuk mund të hetojnë njëri tjetrin kur janë në konflikt interesi.

Nëse do ju thosha që jam prej një njeriu që nuk ekziston, ndoshta këshilli i ministrave do më dëgjonte dhe do të thonte, prit pak se ky Nesti mund të dali nesër dhe të thurë për nene intriga. A do të lëshojmë njerëzit tek hijenat? Kë do të kallëzoj unë për kallëzim të rremë nëse kjo histori nuk është kështu? Ndoshta KM do të thonte që kjo është një mundësi për të filluar një iniciativë ligjore per të mbrojtur kryetarët e bashkive.

Po nëse do të thoja që të gjithë kryetarët e bashkive janë në presion konstant se prokurorët e posaçëm i kërkojnë që t’iu fusin të gjithë fisin në punë. Kjo është e vërtetë dhe në Bashkinë e Tiranës. Ju do të shqetësoheshit si janë të pambrojtur këto njerëz? Ju kërkojnë prokurorët e SPAK leje ndërtimi e t’i fusin njerëzit në punë, dhe kur nuk ia bën i thonë avokatit ia tregoj unë atij. Dëgjesa do na mundësonte të flisnim dhe të dëgjonit historitë përse unë jam në burg”, tha Veliaj.


Lajmi kryesor:

Shkarkimi/ Veliaj në Kushtetuese: U rrëmbeva pa akuzë, vota më e fortë se kulisat politike! 7 orë seancë, Qeveria e Presidenca: Ankimi s’është kompetencë e juaja