Veliaj- Klerikëve: Privilegj që ju
pritëm, Tirana ka pemën e Paqes

Veliaj- Klerikëve: Privilegj që ju<br />pritëm, Tirana ka pemën e Paqes
TIRANE- Takimi i paqes në Tiranë mbyllet me marshimin e 4 mijë klerikëve dhe qindra qytetarëve. Gjatë tri ditëve klerikë dhe përfaqësues të ndryshëm të feve kanë zhvilluar seminare, fjalime për paqen, në takimin e 28-t Ndërkombëtar, që u mbajt në Shqipëri.

Të pranishëm në marshimin e paqes ishte Presidenti i Republikës Bujar Nishani, Ministri i Mirëqenies Sociale Blendi Klosi, Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe shumë përfaqësues të shtetit por dhe të feve. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj theksoi se ky takim ishte një privilegj për qytetin e Tiranës. Veliaj së bashku me krerët e komuniteteve fetare në Shqipëri ka mbjellë dhe pemën e ullirit që do të quhet si pema e besimit dhe e paqes. “Ka qenë një privilegj i jashtëzakonshëm që qyteti ynë i mrekullueshëm ka qenë shtëpia që ju mikpriti në këto tre ditë.

Faleminderit që na zbukuruat qytetin! Në këtë vend dhe për të përkujtuar këtë ngjarje të jashtëzakonshme këto tre ditë, në këtë komb që për një kohë të gjatë ishte simbol i një shteti ateist, përfaqësuesit e besimeve shqiptare do të mbjellim një pemë ulliri, pema e parë në Parkun e ardhshëm të Besimit ku do mbjellim çdo pemë të Biblës, Kuranit dhe çdo libri të shenjtë këtu në mes të Tiranës”, - u shpreh Erion Veliaj. I pranishëm në takimin e paqes ishte edhe Kryepeshkopi Anastas Janullatos i cili vlerësoi bashkëjetesën fetarë në vendin tonë.

Nga ana e tij Presidenti Bujar Nishani u shpreh se Shqipëria është shembull për paqen si dhe falenderoi klerikët për këtë takim të mbajtur në Tiranë. “Kjo është toka ku Krishti dhe Muhamedi ecin krah për krah, vendi ku njerëzit ecin me njëri­-tjetrin dhe duan më shumë paqen dhe lirinë pavarësisht besimeve të ndryshme. Kështu kanë udhëtuar shqiptarët në histori krah për krah që kur harta e besimeve mori karakter mozaiku, sëbashku, të vetëdijshëm për njësinë kombëtare, të vetëdijshëm për gjuhën, kulturën, traditat, kodet zakonore duke iu falur Zotit në objektin e tij të kultit pa cenuar lirinë dhe ritet e tjetrit.

Nuk kam bashkëkombës timin që nuk e ndjen si të vetin, si të shenjtë, si të përjetshëm Gjergj Kastriotin, Nënë Terezën apo Ismail Kadarenë, po ashtu edhe qindra personalitete që e kthyen atë në altar të identitetit evropian. Paqja dhe liria janë garanci për çdo besim, imponimi, dhuna dhe feja nuk mund të bashkëlidhen me njëra-­tjetrën. Vetëm një imponim është i detyrueshëm ai që detyron çdokënd të respektojë paqen dhe lirinë” – u shpreh Presidenti Bujar Nishani. Klerikët kanë falënderuar Shqipërinë për organizimin e takimit të 28-t Ndërkombëtar të Paqes, i cili organizohej në vendin tonë për herë të parë.
 

Çështja e emigrantëve dhe lufta pjesa e diskutimeve
 
Gjatë tri ditëve në Tiranë nga komuniteti Sant’Edigio dhe Ministria e Mirëqenies Sociale janë organizuar takime në kuadër të paqes. Klerikët e huaj kanë vlerësuar harmoninë fetare në Shqipëri. Në këto tri ditë është diskutuar për çështjen e emigrantëve si dhe lufta që po zhvillohen në disa vende islamike.

Të rinj, përfaqësues të huaj të feve dhe përfaqësues të komuniteteve fetare kanë hedhur idetë se si paqja mund të arrihet falë dhe bashkëpunimit midis popujve. Takimi i 28 Ndërkombëtar për Paqen është hapur dhe mbyllur me moton: Paqja është Gjithmonë e mundshme.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 9 Shtator 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kë do të forcojë më shumë protesta e 7 tetorit?



×

Lajmi i fundit

Pas ndërhyrjes kirurgjikale, Rama i kthehet aktivitetit të përditshëm

Pas ndërhyrjes kirurgjikale, Rama i kthehet aktivitetit të përditshëm